Të ndihmojmë ata që nuk janë gati për librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
1. A do t’u pëlqejë të gjithëve që në fillim libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Shpjegoni.
1 Që të bëhet adhurues i Jehovait, një person duhet të studiojë çfarë mëson Bibla. Por disa nuk janë të krishterë dhe nuk e konsiderojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë. Të tjerë nuk besojnë fare te Perëndia e nuk kanë respekt për Biblën. Cilat botime kanë dalë se janë të dobishme për ata që nuk e pranojnë menjëherë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Sugjerimet e mëposhtme bazohen në komentet e disa lajmëtarëve nga rreth 20 shtete.
2. Nëse dikush na thotë se nuk beson te Perëndia, çfarë duhet të përpiqemi të zbulojmë dhe pse?
2 Ata që nuk besojnë te Perëndia: Nëse dikush thotë se nuk beson te Perëndia, është mirë të kuptojmë pse. Mos ndoshta beson tek evolucioni? Mos e ka humbur besimin te Perëndia për shkak të padrejtësive në botë ose hipokrizisë fetare? A vjen nga një vend që e ka ndrydhur besimin te Perëndia? Ndoshta nuk e mohon me forcë ekzistencën e Perëndisë, por thjesht s’e ka ndier nevojën të besojë tek Ai. Shumë lajmëtarë kanë parë se kur pyesin «kështu keni menduar gjithmonë», kjo e nxit tjetrin të shpjegohet. Dëgjoni dhe mos e ndërpritni. Kur e kuptojmë pse nuk beson te Perëndia, do të dimë si t’i përgjigjemi dhe çfarë botimi t’i ofrojmë.—Prov. 18:13.
3. Si të shfaqim respekt për njerëzit dhe bindjet e tyre?
3 Kur përgjigjeni, tregoni kujdes të mos e bëni personin të ndihet sikur po sulmoni pikëpamjen e tij. Ja një sugjerim që na vjen nga Shtetet e Bashkuara: «Është shumë e rëndësishme të respektojmë lirinë e çdo njeriu për të vendosur çfarë të besojë. Në vend që të përpiqemi të tregojmë se kemi të drejtë, është më mirë të bëjmë pyetje që e ndihmojnë të mendojë e të arrijë vetë në një përfundim.» Pasi e dëgjon të zotin e shtëpisë, shpesh një mbikëqyrës udhëtues i paraprin përgjigjes me këtë pyetje: «A e keni menduar edhe këtë si mundësi?»
4. Si mund t’i ndihmojmë myslimanët ose kinezët?
4 A i keni predikuar ndonjëherë një myslimani? Nëse po, ndoshta e keni kuptuar se myslimanët kanë besim të zjarrtë te Perëndia. Megjithatë, nuk dinë shumë për parajsën që do të vijë në tokë siç kanë parathënë profetët e Jehovait. Ne duam t’ua tregojmë edhe atyre këtë shpresë. Disa lajmëtarë parapëlqejnë që me myslimanët të përdorin broshurën Të kesh vërtet besim—Çelësi për një jetë të lumtur. Disa thonë: «Dua të flas me ju për një profeci të lashtë që parathotë se toka do të kthehet në parajsë. A mund t’ju lexoj çfarë shkroi profeti?» [Lexojnë Isainë 65:21, 22.] E hapin broshurën te faqet 16 dhe 17 dhe i japin mundësi të komentojë për figurat. Kur e ftojmë dikë të shqyrtojë broshurën Të kesh vërtet besim është më mirë të mos e përmendim shprehjen studim biblik, por ta quajmë diskutim. Pasi të mbarojmë broshurën ose pasi të kemi trajtuar disa pjesë, normalisht studenti do të jetë gati të studiojë me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Një pionier në Shtetet e Bashkuara që shërben në fushën kineze thotë: «Shumë njerëz në territorin tonë kanë qejf të lexojnë. Shpesh e lexojnë të gjithë botimin para se t’i rivizitojmë. Por mund të mos e kuptojnë ç’do të thotë të studiosh Biblën. Ja pse më pëlqen të ofroj broshurën Lajm i mirë që në vizitën e parë, sepse është shkruar në një mënyrë që nxit bashkëbisedimin.» Një mbikëqyrës qarkor, i cili shërben në qarkun e gjuhës kineze në Shtetet e Bashkuara, tregon se është e mundur ta prezantosh librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në vizitën e parë. Megjithatë është më e përshtatshme ta fillosh studimin në kapitullin 2 që prezanton Biblën, se në kapitullin 1 që flet për Perëndinë.
5. Pse duhet të kemi durim?
5 Duhet kohë që dikush të krijojë besim te Perëndia, prandaj durimi është thelbësor. Ndoshta bisedat e para nuk mjaftojnë që personi të bindet se ekziston një Krijues. Por, mbase, me kalimin e kohës do ta pranojë si mundësi ose do të thotë se e kupton pse dikush mund të arrijë në atë përfundim.
6. Pse disave nuk u intereson Bibla?
6 Ata që nuk kanë interes për Biblën ose nuk besojnë tek ajo: Megjithatë, shpesh ata që besojnë se Perëndia ekziston nuk duan të dinë çfarë mëson Bibla, sepse nuk mendojnë se është Fjala e Perëndisë. Ndoshta jetojnë në një shtet jo të krishterë dhe e lidhin Biblën me krishterimin. Ose mund të jetojnë në një shtet të ashtuquajtur të krishterë, por që nuk është fare fetar dhe ndoshta nuk besojnë se Bibla mund t’u hyjë në punë. Si mund t’ia grishim interesin për Biblën që pas ca kohësh të pranojnë të studiojnë me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
7. Cila është shpesh një mënyrë e mirë për t’u ngjallur njerëzve interesin për Biblën?
7 Zyra e degës në Greqi shkroi: «Mënyra më e mirë për të ndihmuar ata që nuk kanë interes për Biblën, është thjesht ta hapësh Biblën e t’u tregosh çfarë përmban. Shumë lajmëtarë kanë vënë re se mesazhi i Biblës ushtron më tepër fuqi te zemra e një personi se çdo gjë tjetër që mund të themi ne. (Hebr. 4:12) Kur shohin emrin e Perëndisë në Bibël, shumë vetave u shtohet dëshira për ta shqyrtuar më thellë.» Zyra e degës në Indi shkroi: «E vërteta për jetën dhe vdekjen i bën për vete shumë hinduistë. Po kështu, edhe premtimi i Biblës për një botë pa diskriminim kastash.» Bisedat për problemet që i shqetësojnë njerëzit në territor, u japin mundësi lajmëtarëve të tregojnë nga Bibla se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për të ndrequr gjërat.
8. Ç’mund t’u themi atyre që nuk e kanë me sy të mirë Biblën për shkak të krishterimit?
8 Nëse dikush s’e ka me sy të mirë Biblën për shkak të krishterimit, tregojini se krishterimi e ka keqparaqitur Biblën dhe mësimet e saj. Zyra e degës në Indi shkroi: «Ndonjëherë, duhet t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se kishat nuk janë përkrahëse të Biblës.» Ata raportojnë se zakonisht hinduistëve u bën përshtypje pjesa 4 e broshurës Cili është qëllimi i jetës: Si mund ta gjesh?, ku shpjegohet se si janë përpjekur kishat ta shtrembërojnë e ta shkatërrojnë Fjalën e Perëndisë. Një pionier në Brazil u thotë njerëzve: «Pse të mos lexosh më shumë për Biblën? Shumë njerëz po e shqyrtojnë me mendje të hapur, pa detyrime ndaj ndonjë grupi fetar. Mund të habitesh nga ajo që do të mësosh.»
9. Pse nuk duhet të dorëzohemi nëse dikush nuk shfaq interes menjëherë për atë që thotë Bibla?
9 Jehovai sheh zemrën e çdo njeriu. (1 Sam. 16:7; Prov. 21:2) Ai po tërheq drejt adhurimit të vërtetë ata që kanë gjendjen e duhur të zemrës. (Gjoni 6:44) Mjaft veta s’i ka mësuar kush për Perëndinë ose s’kanë dëgjuar shumë për Biblën. Shërbimi ynë u jep mundësi «të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë». (1 Tim. 2:4) Prandaj, nëse disa nuk tregojnë menjëherë interes për Biblën, mos u dorëzoni! Përdorni ndonjë nga botimet që keni në dispozicion për t’u ngjallur interesin. Dalëngadalë, mbase do të arrini t’i bëni bisedat me mjetin tonë kryesor për studimin e Biblës, pra me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
[Kutia në faqen 4]
Nëse i zoti i shtëpisë shprehet se nuk beson te Perëndia, mund t’i thoni:
• «Kështu keni menduar gjithmonë?» Në këtë mënyrë do të kuptoni pse nuk beson.
• Nëse beson tek evolucioni, mund t’ju ndihmojnë këto botime:
Rubrika «A është projektuar?» te Zgjohuni!
Videoja Mrekullitë e krijimit zbulojnë lavdinë e Perëndisë
Broshurat Një jetë e kënaqshme: Si ta arrijmë?, pjesa 4; A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh
• Nëse e ka humbur besimin te Perëndia për shkak të padrejtësive dhe vuajtjeve, mund t’ju ndihmojnë këto botime:
Libri A ka një Krijues që interesohet për ju?, kapitulli 10
Broshurat A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne?, pjesa 6, dhe Cili është qëllimi i jetës: Si mund ta gjesh?, pjesa 6
• Kaloni te libri Çfarë mëson vërtet Bibla? sapo i zoti i shtëpisë të jetë i gatshëm të pranojë se Perëndia mund të ekzistojë. Ndoshta është mirë të filloni me kapitullin 2 ose me një tjetër temë të përshtatshme për të.
[Kutia në faqen 5]
Nëse i zoti i shtëpisë nuk beson te Bibla, provoni këtë:
• Shqyrtoni kapitujt 17 dhe 18 të librit Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
• Për judenjtë, përdorni broshurën A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?, faqet 3-11.
• Diskutoni për dobitë që nxjerrim kur zbatojmë parimet biblike. Botimet që mund të përdorni për të treguar vlerën praktike të Biblës janë:
Rubrika «Ndihmë për familjen» te Zgjohuni!
Videoja Bibla: Fuqia e saj në jetën tuaj
Broshurat Një lajm i mirë nga Perëndia, mësimet 9 dhe 11; Një libër për të gjithë njerëzit, faqet 22-26; dhe Një jetë e kënaqshme: Si ta arrijmë?, pjesa 2
Për myslimanët, përdorni broshurën Të kesh vërtet besim—Çelësi për një jetë të lumtur, pjesa 3.
Nëse predikoni në një zonë me paragjykime për Biblën, do të ishte më mirë ta tregoni burimin e thënieve të mençura pas disa herësh që e vizitoni.
• Shpjegoni si janë përmbushur profecitë biblike. Botimet që mund të përdorni janë:
Videoja Bibla: Histori e saktë, profeci e besueshme
Broshura Një libër për të gjithë njerëzit, faqet 27-29
• Kaloni te libri Çfarë mëson vërtet Bibla? sapo personi të pyesë çfarë thotë Bibla për tema të ndryshme.
[Kutia në faqen 6]
Nëse i zoti i shtëpisë thotë: «Nuk besoj te Perëndia.»
• «A mund t’ju shpjegoj shkurtimisht çfarë më ka bindur mua se ka një Krijues?» Pastaj trajtoni disa pika nga libri Të arsyetojmë, faqet 205-207, ose lini takim të ktheheni e t’i sillni një botim që juve ju ka pëlqyer.
• «Po nëse do të kishte Perëndi, si do të donit të ishte?» Shumë njerëz përgjigjen se do t’u pëlqente një Perëndi i dashur, i drejtë, i mëshirshëm dhe i paanshëm. Tregojini nga Bibla se Perëndia i ka këto cilësi. (Ndoshta mund të përdorni kapitullin 1 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, duke filluar me paragrafin 6.)
Nëse i zoti i shtëpisë thotë: «Nuk besoj te Bibla.»
• «Shumë veta mendojnë kështu. Disa kanë përshtypjen se Bibla nuk është e saktë shkencërisht ose se parimet e saj nuk hyjnë në punë. A e keni lexuar ndonjëherë Biblën? [Prisni përgjigje. Pastaj tregojini hyrjen në faqen 3 të broshurës Një libër për të gjithë njerëzit dhe ofrojini këtë botim.] Shumë njerëz e kanë hedhur poshtë Biblën sepse fetë i kanë keqparaqitur mësimet e saj. Herën tjetër do të doja t’ju tregoja më shumë për këtë nga faqet 4 dhe 5.»
• «Shumë veta nuk besojnë. A mund t’ju tregoj çfarë më ka bërë mua përshtypje për Biblën? [Lexoni Jobin 26:7 ose Isainë 40:22, që tregojnë se Bibla është e saktë shkencërisht.] Bibla ka edhe thënie të mençura për familjet. Kam qejf që herën tjetër të flasim për një nga këto thënie.»
• «Faleminderit që folët hapur. Nëse Perëndia do të kishte shkruar një libër për njerëzimin, çfarë do të përmbante sipas jush?» Pastaj tregojini nga Bibla diçka që përputhet me komentin e tij.