Merrni si shembull profetët—Amosi
1. Pse shembulli i Amosit mund të jetë burim inkurajimi për ne?
1 A je ndier ndonjëherë i paaftë për të predikuar ngaqë vjen nga një familje e thjeshtë e nuk ke shumë arsimim? Nëse po, mund të marrësh zemër nga shembulli i Amosit. Ai ishte bari delesh dhe punëtor sezonal, e megjithatë Jehovai e autorizoi të shpallte një mesazh të rëndësishëm. (Amo. 1:1; 7:14, 15) Edhe sot, Jehovai përdor njerëz të përulur e të thjeshtë. (1 Kor. 1:27-29) Ç’mësime të tjera për shërbimin mund të nxjerrim nga profeti Amos?
2. Pse mund të qëndrojmë të palëkundur përballë kundërshtimit në shërbim?
2 Të qëndrojmë të palëkundur përballë kundërshtimit: Kur Amaziahu, një prift i adhurimit të viçit në mbretërinë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit, dëgjoi profetizimin e Amosit, me fjalë të tjera i tha: «Ik që këtu! Na lër rehat! Kemi fenë tonë!» (Amo. 7:12, 13) Amaziahu i shtrembëroi fjalët e profetit kur i kërkoi mbretit Jeroboam të ndalonte veprën e Amosit. (Amo. 7:7-11) Por Amosi nuk u tremb. Sot, disa klerikë kërkojnë mbështetje politike në përpjekjet e tyre për të përndjekur popullin e Jehovait. Gjithsesi, Jehovai na siguron se asnjë armë e sajuar kundër nesh nuk do të ketë sukses për shumë kohë.—Isa. 54:17.
3. Cilat janë sot dy aspektet e mesazhit tonë?
3 Të shpallim gjykimin e Perëndisë dhe bekimet e ardhshme: Edhe pse Amosi profetizoi një mesazh gjykimi kundër mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit, e mbylli librin biblik që mban emrin e tij me premtimin se Jehovai do të rivendoste popullin e tij e do të derdhte mbi ta bekime të panumërta. (Amo. 9:13-15) Edhe ne predikojmë se po afron ‘dita e gjykimit’ të Perëndisë, por ky nuk është i vetmi aspekt i ‘lajmit të mirë për mbretërinë’ që duhet të shpallim. (2 Pjet. 3:7; Mat. 24:14) Shkatërrimi që do të sjellë Jehovai mbi të ligjtë në Harmagedon do të përgatitë udhën për parajsën në tokë.—Psal. 37:34.
4. Pse jemi të sigurt se mund ta përmbushim vullnetin e Jehovait?
4 Sigurisht, predikimi i mesazhit për Mbretërinë në këtë botë me shumë kundërshtarë na vë në provë vendosmërinë për të jetuar në lartësinë e kushtimit tonë dhe për të bërë vullnetin e Jehovait. (Gjoni 15:19) Prapëseprapë jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë të na kualifikojë që të përmbushim vullnetin e tij, ashtu si bëri me Amosin.—2 Kor. 3:5.