‘Çdo gjë ta bëjmë për hir të lajmit të mirë’
1. Çfarë është i gatshëm të bëjë një predikues i Mbretërisë për njerëzit dhe pse?
1 Apostulli Pavël e shihte si përgjegjësi personale t’u shpallte lajmin e mirë njerëzve. (1 Kor. 9:16, 19, 23) Po kështu, shqetësimi ynë për mirëqenien e përhershme të njerëzve na shtyn që të bëjmë çmos t’u japim lajmin e mirë.
2. Çfarë rregullimesh jemi gati të bëjmë kur predikojmë dhe për ç’arsye?
2 Të predikojmë kur dhe ku janë njerëzit: Një peshkatar i mirë nuk e hedh grepin ose rrjetën kur të dojë dhe ku të dojë. Por e hedh atëherë kur ka dhe aty ku ka peshq. Edhe ne, si «peshkatarë njerëzish», mund të kemi nevojë të bëjmë rregullime personale që të gjejmë njerëz në territor dhe kështu të provojmë sa më shumë kënaqësi ndërsa mbledhim «peshq të çdo lloji». (Mat. 4:19; 13:47) A mund të dalim në orët e para të mbrëmjes që t’i gjejmë njerëzit në shtëpi ose të dalim në orët e para të mëngjesit për shërbim rrugor? Pavli kishte si qëllim ‘të jepte dëshmi të plotë për lajmin e mirë’ dhe shfrytëzoi rastet e përshtatshme për ta arritur këtë.—Vep. 17:17; 20:20, 24.
3, 4. Në ç’mënyra mund të përshtatemi ndërsa jemi në shërbim dhe ç’rezultate do të kemi?
3 T’i përshtatim prezantimet sipas nevojës: Shpesh, që të kapin një lloj peshku të caktuar, peshkatarët përshtatin metodat. Si mund ta prezantojmë lajmin e mirë për Mbretërinë në një mënyrë që t’i tërheqë njerëzit e territorit tonë? Me takt, duhet të prezantojmë një temë që është shqetësuese për njerëzit në përgjithësi dhe pastaj të dëgjojmë me kujdes se çfarë thonë. (Jak. 1:19) Mund t’u bëjmë pyetje që të shprehin mendimin e tyre. (Prov. 20:5) Kështu do të jemi në gjendje ta përshtatim prezantimin e lajmit të mirë në një mënyrë që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre. Pavli u bë «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Kor. 9:22) Duhet të përshtatemi me të gjithë, pasi ky është çelësi për t’u prekur zemrën njerëzve.
4 Është vërtet kënaqësi t’u japësh njerëzve «lajmin e mirë për diçka më të mirë»! (Isa. 52:7) Prandaj, le ‘të bëjmë çdo gjë për hir të lajmit të mirë’ që t’ua japim këtë lajm sa më shumë njerëzve.—1 Kor. 9:23.