Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait
1 «Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.» (Sof. 1:14) Sofonia dhe 11 të ashtuquajturit Profetë të vegjël jetuan duke mbajtur në mend ditën e Jehovait. Shqyrtimi i shkrimeve të tyre të frymëzuara në Studimin e Librit të Kongregacionit me anë të librit Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait, do të na ndihmojë të përgatitemi për atë ditë që ngjall frikë.—Sof. 2:2, 3.
2 Veçoritë: Në vend që të përqendrohet te kuptimet simbolike ose te shqyrtimi varg për varg i këtyre 12 librave profetikë, libri Dita e Jehovait shpjegon si zbatohen këto shkrime të frymëzuara në situatat reale të përditshme. Ai thekson se duhet të mbajmë në mend se dita e Jehovait është shumë afër dhe kjo duhet të ndikojë në vendimet dhe veprimet tona. Përqendrohet në çështjet familjare, marrëdhëniet me bashkëbesimtarët, zgjedhjen e zbavitjes, shërbimin dhe zgjedhjen e karrierës.
3 Pjesa 1 e librit na njeh me 12 profetët dhe shkrimet e tyre. Cilët ishin ata? Çfarë kemi të përbashkët me ta? Pjesa 2 përqendrohet te Jehovai dhe cilësitë e tij. Çfarë na zbulojnë këta profetë për Jehovain dhe personalitetin e tij? Pjesa 3 flet kryesisht për sjelljen dhe marrëdhënien tonë me të tjerët. Si mund t’i pëlqejmë Perëndisë çdo ditë në mënyra praktike? Kurse pjesa 4 shpjegon si mund të jetojmë me gëzim ndërsa presim ditën e Jehovait.
4 Të organizohemi që tani të nxjerrim dobi: Të jemi të vendosur që tani të bëjmë ç’është e mundur që të përfitojmë plotësisht nga studimi i librit Dita e Jehovait, i cili do të fillojë javën e 4 gushtit 2008. Të planifikojmë të jemi të pranishëm çdo javë në Studimin e Librit të Kongregacionit. Të përgatitim çdo mësim me kujdes duke lexuar shkrimet që të kuptojmë si lidhen me materialin që shqyrtohet. Të meditojmë mbi materialin dhe të pyesim veten: «Si mund ta zbatoj këtë kur jam në shtëpi, në shkollë, në punë, në shërbim dhe në marrëdhënie me motrat e vëllezërit e krishterë?» Në studimin e librit, të shkojmë të përgatitur për të komentuar që të inkurajojmë njëri-tjetrin.—Rom. 1:12.
5 Le të na përgatitë tani shqyrtimi i librit Dita e Jehovait për ‘t’i bërë ballë’ ditës së Jehovait që «ngjall shumë frikë». Ajo ditë është vërtet afër!—Joe. 2:11.