A po përgatitet familja jote për të mbijetuar?
1 Profecitë biblike të përmbushura janë prova bindëse që fundi i kësaj bote të ligë po afron me të shpejtë. Tani jetojmë në kohë kritike, shumë të ngjashme me kohën para Përmbytjes. (Mat. 24:37-39) Noeja mbijetoi nga shkatërrimi i botës së lashtë, sepse «eci me Perëndinë e vërtetë». (Zan. 6:9) Noeja duhet t’i ketë mësuar familjes së tij kërkesat e Jehovait, pasi edhe ata shpëtuan. Si mund ta imitojmë Noenë dhe të përgatitemi të mbijetojmë nga fundi i këtij sistemi të lig?
2 Predikues i drejtësisë: Noeja ngulmoi për 40 a 50 vjet si ‘një predikues i drejtësisë’. (2 Pjet. 2:5) Bashkëkohësit e tij, ndoshta nën ndikimin e engjëjve rebelë që kishin marrë trupa njerëzorë, mund të jenë tallur me të ngaqë predikonte. Në shërbim hasim shpesh indiferentizëm dhe tallje, dhe kjo tregon që ky sistem është afër fundit. (2 Pjet. 3:3, 4) Megjithatë, ndryshe nga njerëzit në ditët e Noesë, shumë po reagojnë mirë ndaj përpjekjeve tona dhe po «vërshojnë» drejt adhurimit të Jehovait. (Isa. 2:2) Do të shpëtojmë ‘veten dhe ata që të dëgjojnë’ vetëm nëse ngulmojmë. (1 Tim. 4:16) Sa e rëndësishme është që, me fjalë dhe me shembullin e tyre, prindërit t’u ngulitin fëmijëve ndjenjën e urgjencës së veprës së predikimit.—2 Tim. 4:2.
3 Ai bëri «pikërisht ashtu»: Mbijetesa e Noesë dhe e familjes së tij varej nga kujdesi me të cilin do të ndiqnin drejtimin e Jehovait. (Zan. 6:22) Edhe për ne sot është e rëndësishme të jemi ‘të gatshëm t’i bindemi’ drejtimit të Biblës dhe të skllavit të besueshëm. (Jak. 3:17) Fëmijët e rritur të një familjeje kujtojnë se si i zbatonte i ati sugjerimet që jepte organizata e Jehovait. Për shembull, siç këshillohet, ai drejtonte një studim familjar çdo javë dhe dilte në shërbim me familjen çdo fundjavë. Çdo javë, përpiqej të merrte një nga fëmijët në shërbim. Palëkundshmëria e tij për të vepruar «pikërisht ashtu» u la mbresa të thella fëmijëve dhe kur u rritën, të gjashtë u bënë shërbëtorë besnikë të Jehovait.
4 Fundi i këtij sistemi do të vijë papritur. (Luka 12:40) Duke imituar Noenë dhe duke treguar besim, me siguri do të shpëtojmë veten dhe familjen tonë.—Hebr. 11:7.