«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim» Vdekja e Jezuit do të përkujtohet më 2 prill
1. Pse 2 prilli i vitit 2007 është një datë e rëndësishme?
1 Më 2 prill 2007, miliona njerëz përreth botës do të mblidhen për të përkujtuar vdekjen flijuese të Jezuit. Ai vdiq si përkrahës i sovranitetit të Atit të tij qiellor, duke provuar kështu se akuza e Satana Djallit që njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm nga egoizmi, është e rreme. (Jobi 2:1-5) Darka e Zotërisë na kujton edhe se nëpërmjet vdekjes së tij si njeri i përsosur dhe pa mëkat, Jezui ‘dha shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mat. 20:28) Ja pse Jezui i urdhëroi dishepujt e tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) A ju ka shtyrë mirënjohja për këtë dhuratë të çmuar nga Perëndia që të filloni të përgatiteni për të përkujtuar këtë akt të pakrahasueshëm dashurie?—Gjoni 3:16.
2. Si mund ta përgatitim zemrën për Përkujtimin?
2 Të përgatitim zemrën: Duke shqyrtuar se çfarë ndodhi gjatë ditëve të fundit të Jezuit këtu në tokë, mund të përgatitim zemrën për Përkujtimin. (Ezd. 7:10) Për këtë na ndihmon një program i veçantë për leximin e Biblës që gjendet te broshura Të shqyrtojmë shkrimet çdo ditë—2007 dhe te Kalendari 2007. Ky lexim i programuar përkon më së miri me ditët kur ndodhën ngjarjet që i paraprinë vdekjes së Jezuit sipas kalendarit të sotëm. Ditët dhe datat në tregimet biblike janë sipas kalendarit judaik, i cili i llogarit ditët nga perëndimi në perëndim. Ky ndryshim është marrë parasysh dhe është pasqyruar në programin e leximit të Biblës për periudhën e Përkujtimit. Rishikimi i këtyre ngjarjeve, meditimi për dashurinë e thellë të Perëndisë dhe lutjet do të na ndihmojnë të nxjerrim dobi në mënyrë të plotë nga kremtimi i Përkujtimit.
3. Si mund t’i ndihmojmë të interesuarit dhe joaktivët të përfitojnë nga Përkujtimi?
3 Të ftojmë të tjerë: Te shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë të muajit shkurt flitej për një fushatë speciale për të ftuar njerëzit në këtë ngjarje të rëndësishme. A keni marrë masa që të merrni pjesë sa më shumë në këtë fushatë? A keni bërë një listë të të njohurve që doni të ftoni dhe a keni filluar t’i ftoni? Planifikoni që mbrëmjen e Përkujtimit të shkoni herët, që të mirëpritni si ata që keni ftuar, ashtu edhe të interesuar të tjerë. Është mirë të uleni me ta dhe të siguroheni që të mos u mungojë as Bibla e as libri i këngës. Prezantojini me pjesëtarë të tjerë të kongregacionit. Pas programit, jini të gatshëm për t’iu përgjigjur përgjigjeve të tyre. Ftojini të dëgjojnë fjalimin publik special që do të mbahet më 15 prill. Pleqtë, në mënyrë të veçantë, do të interesohen dhe sigurohen që ftesën e Përkujtimin dhe të fjalimit special ta kenë marrë edhe ata që më parë shoqëroheshin me kongregacionin, por që tani janë bërë joaktivë.
4. Pas Përkujtimit, si mund t’i ndihmojmë të tjerët të përparojnë nga ana frymore?
4 Të ndihmojmë të sapointeresuarit dhe joaktivët që të përparojnë: Oratori që do të mbajë fjalimin e Përkujtimit, do të shpjegojë shkurtimisht se ofrojmë studime biblike dhe do të inkurajojë të sapointeresuarit të vazhdojnë të mësojnë për Jehovain. Komentet e tij mund t’i përdorni pastaj si bazë për t’u ofruar atyre që ftuat, ndihmë të mëtejshme frymore. Nëse për momentin nuk po bëjnë një studim biblik, sigurohuni që t’i vizitoni pa humbur kohë pas Përkujtimit dhe tregojuni konkretisht se si bëhet një studim biblik falas. Që të përparojnë nga ana frymore, ata kanë nevojë edhe të ndjekin mbledhjet e kongregacionit. (Hebr. 10:24, 25) Duke pasur parasysh këtë, inkurajojini të fillojnë t’i ndjekin rregullisht mbledhjet. Pleqtë duhet të vizitojnë të krishterët joaktivë që ishin të pranishëm në Përkujtim dhe të bisedojnë rreth asaj që u tha gjatë fjalimit. Kjo mund t’i inkurajojë të rifillojnë aktivitetin e tyre në kongregacion.
5. Si mund të ndikojë Përkujtimi te secili prej nesh?
5 Përkujtimi na jep një mundësi të mirë për të medituar seriozisht për atë që kanë bërë Jehovai dhe Jezui për ne. Ky meditim na e thellon dashurinë për ta dhe ndikon në sjelljen tonë. (2 Kor. 5:14, 15; 1 Gjon. 4:11) Tani është koha të fillojmë të përgatitemi vetë e të përgatitim edhe të interesuarit për këtë rast të rëndësishëm gjatë të cilit ‘shpallim vdekjen e Zotërisë’.—1 Kor. 11:26.