Të gjejmë kënaqësi në studimin e librit Çfarë mëson vërtet Bibla?
1 Një ngjarje emocionuese në Kongresin Krahinor me temë «T’i bindemi Perëndisë» ishte dalja e librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Së shpejti do ta përdorim shpesh në shërbim, sidomos për të drejtuar studime biblike. Prandaj duhet ta njohim mirë këtë botim të ri. Dhe kjo mundësi do të na krijohet kur ta studiojmë në Studimin e Librit të Kongregacionit që nga java që fillon më 17 prill 2006.
2 Mbikëqyrësi i Studimit të Librit të Kongregacionit do ta drejtojë vëmendjen te pyetjet që gjenden në fillim të çdo kapitulli. Pastaj studimi do të drejtohet duke përdorur pyetjet në fund të çdo faqeje. Shkrimet më të rëndësishme për temën do të lexohen dhe diskutohen. Ndërsa kutia «Çfarë mëson Bibla», në fund të çdo kapitulli, do të ndihmojë për të përsëritur atë që është trajtuar, sepse kutia përmban përgjigjet biblike të pyetjeve në fillim të kapitullit. Do të komentoni me kënaqësi pasi ky libër i trajton temat qartë, thjesht dhe në mënyrë interesante.
3 Shtojca e librit jep hollësi për tema të ndryshme. Mund t’i përdorim këto hollësi kur studentët biblikë të kenë nevojë për më tepër informacion në tema të caktuara. Pjesë të shtojcës do të trajtohen herë pas here në Studimin e Librit të Kongregacionit. E gjithë pjesa e shtojcës që lidhet me një temë të caktuar do të lexohet nga lexuesi i studimit të librit dhe artikujt më të gjatë mund të trajtohen pjesë-pjesë. Në shtojcë nuk ka pyetje për studimin. Por mbikëqyrësi i studimit mund t’i nxitë të pranishmit të komentojnë duke u bërë pyetje që nxjerrin në pah pikat kryesore.
4 Studimi i librit Çfarë mëson vërtet Bibla? do të ecë me ritëm të shpejtë në Studimin e Librit të Kongregacionit. Po nuk është e thënë që të ecim me të njëjtin ritëm në studimet biblike, sidomos me ata që nuk kanë shumë ose nuk kanë fare njohuri nga Bibla. (Vep. 26:28, 29) Gjatë studimeve biblike do të jetë e nevojshme që t’i diskutojmë shkrimet më thellë, të shpjegojmë ilustrimet e kështu me radhë. Prandaj vini si synim që të jeni të pranishëm çdo javë dhe të merrni pjesë plotësisht në studimin tonë të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?