Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 4
Ta mësojmë studentin se si të përgatitet
1 Një student që e lexon mësimin që më parë, nënvizon përgjigjet dhe mendon se si të shprehet me fjalët e veta, zakonisht bën përparim të shpejtë frymor. Prandaj, në momentin kur fillon ta drejtosh rregullisht studimin me të, përgatitni një mësim së bashku, në mënyrë që t’i tregosh studentit se si duhet ta bëjë këtë personalisht. Për shumë studentë, do të ishte mirë të përgatitnit së bashku një kapitull ose një mësim të tërë.
2 Nënvizimi dhe shënimet: Shpjegoji studentit si të gjejë në paragraf përgjigjen e drejtpërdrejtë të pyetjeve të dhëna. Tregoji kopjen tënde të librit ose të broshurës që studioni, ku ke nënvizuar vetëm fjalët ose shprehjet kyçe. Ndërsa shqyrtoni materialin, ai mund të ndjekë shembullin tënd, duke nënvizuar në kopjen e tij vetëm atë që nevojitet për t’i kujtuar përgjigjen. (Luka 6:40) Pastaj kërkoji që ta japë përgjigjen me fjalët e tij. Kështu do të dish sa e kupton ai materialin.
3 Shqyrtimi i kujdesshëm i shkrimeve që vetëm janë cituar në paragraf, është një pjesë e rëndësishme e përgatitjes së studentit për studimin. (Veprat 17:11) Ndihmoje të kuptojë se çdo shkrim që jepet, mbështet një pikë në paragraf. Tregoji se si të mbajë shënime të shkurtra në anë të faqes së botimit që po studion. Theksoji faktin që është Bibla baza e asaj që po studiohet. Inkurajoje që, në komentet e tij gjatë studimit, të përdorë shumë nga shkrimet e cituara.
4 Shqyrtimi paraprak dhe një përmbledhje e shkurtër: Para se studenti të nisë studimin e materialit me hollësitë që thamë më lart, do të ishte mirë që të përqendrohej paraprakisht te pjesa që do të studiojë. Tregoji se si mund të krijojë një ide paraprake për materialin, duke analizuar në fillim titullin e kapitullit, nëntitujt dhe figurat. Shpjegoji se në fund të përgatitjes së studimit, do të ishte e mençur t’i bënte një përmbledhje pikave kryesore të mësimit, ndoshta duke përdorur kutinë e përsëritjes, nëse ka. Përsëritja do ta ndihmojë që t’i mbajë mend ato që mëson.
5 Kjo stërvitje për t’u përgatitur mirë në studim, do ta ndihmojë studentin të bëjë komente të vlefshme gjatë mbledhjeve në kongregacion. Do ta ndihmojë gjithashtu që të zhvillojë zakone të mira studimi, nga të cilat do të nxjerrë dobi edhe shumë kohë pasi të ketë mbaruar studimin e Biblës me ty.