Të imitojmë qëndrimin mendor të Jezuit!
1. Çfarë qëndrimi mendor shfaqi Jezui?
1 Megjithëse nuk e kemi parë kurrë Birin e Perëndisë, me anë të dokumentimeve që kemi për jetën dhe shërbimin e Jezuit, kemi arritur të ndjejmë dashuri për të. (1 Pjet. 1:8) Duke iu bindur vullnetit të atit të tij, ai hoqi dorë nga pozita e lartë qiellore dhe erdhi në tokë. Kur ishte njeri në tokë, me vetëmohim u shërbeu të tjerëve dhe dha jetën për njerëzimin. (Mat. 20:28) Fjala e Perëndisë na nxit: «Mbani në ju atë qëndrim mendor që ishte edhe në Krishtin Jezu.» Si mund ta imitojmë frymën e tij vetësakrifikuese?—Filip. 2:5-8.
2. Çfarë vështirësie hasin shumë të krishterë sot? Çfarë mund t’i ndihmojë që ta kalojnë këtë vështirësi?
2 Kur ndihemi të lodhur: Edhe pse ishte i përsosur, Jezui prapëseprapë lodhej. Njëherë, kur ishte «i lodhur nga udha», i dha dëshmi të plotë një samaritaneje. (Gjoni 4:6) Shumë të krishterë sot hasin të njëjtën vështirësi. Pas një jave të lodhshme pune, mund të jetë e vështirë të gjesh forcën për të marrë pjesë në veprën e predikimit. Megjithatë, nëse predikojmë rregullisht, do të zbulojmë që shërbimi i krishterë na freskon nga ana frymore.—Gjoni 4:32-34.
3. Si mund ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për të mësuar të tjerët?
3 Në një rast tjetër, Jezui dhe dishepujt e tij shkuan në një vend të veçuar në mënyrë që të pushonin pak. Por një turmë e madhe njerëzish e morën vesh se ku ishin dhe shkuan pas tyre. Në vend që të zemërohej, Jezui «u shty nga keqardhja për ta» dhe «filloi t’u mësonte shumë gjëra». (Mar. 6:30-34) Të fillojmë dhe të drejtojmë një studim biblik kërkon të kemi një qëndrim të ngjashëm me atë të Jezuit. Kjo gjë kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe dashuri të vërtetë për njerëzit. Nëse për momentin nuk po drejtoni një studim biblik, mos reshtni së kërkuari!
4. Si mund të na ndihmojë shërbimi si pionierë që të imitojmë qëndrimin mendor të Jezuit?
4 Të vëmë interesat frymore në radhë të parë: Shërbimi si pionierë ndihmës mund të na ndihmojë të përqendrohemi më shumë në veprimtaritë frymore. Një motër në moshë të re shkroi: «Nëna e një shoqes sime na inkurajoi të dyjave që për një muaj të shërbenim bashkë me të si pioniere ndihmëse. Jam vërtet e gëzuar që shkuam me të. Më pëlqeu sepse i njoha më mirë motrat e vëllezërit dhe shumë shpejt ata filluan të ishin si një familje për mua. Më pëlqeu edhe sepse më jepte më tepër mundësi për të folur me të tjerët për Jehovain dhe për t’u mësuar të vërtetat e mrekullueshme të Mbretërisë. E gjithë kjo më afroi më tepër me Jehovain dhe me organizatën e tij.»—Psal. 34:8.
5. Pse duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të imituar qëndrimin mendor të Jezuit?
5 Të gjithë përballemi me luftën e brendshme që vjen nga mospërputhja e dëshirave të mishit të papërsosur me dëshirën për t’i pëlqyer Jehovait. (Rom. 7:21-23) Nuk duhet të shfaqim frymën e botës duke i dhënë përparësi interesave personale. (Mat. 16:22, 23) Jehovai mund të na ndihmojë me anë të frymës së shenjtë që t’ia dalim mbanë. (Gal. 5:16, 17) Ndërsa presim çlirimin në botën e re dhe të drejtë të Perëndisë, le të imitojmë qëndrimin mendor të Jezuit duke vënë interesat e Mbretërisë dhe ato të të tjerëve para interesave tona!—Mat. 6:33; Rom. 15:1-3.