T’i japim më të mirën Jehovait
1 Ligji që Jehovai i dha Izraelit përcaktonte se kafshët që do të paraqiteshin si flijim duhej të ishin «pa të meta». Një kafshë me të meta ishte e papranueshme. (Lev. 22:18-20; Mal. 1: 6-9) Përveç kësaj, kur bëhej një flijim, i gjithë dhjami, pjesa më e mirë, i përkiste Jehovait. (Lev. 3:14-16) Jehovai ishte Ati dhe Zotëria i Madh i Izraelit, dhe si i tillë meritonte më të mirën.
2 Ashtu si edhe në kohët biblike, edhe sot Perëndia interesohet vërtet për cilësinë e asaj që ofrojmë. Shërbimi ynë duhet të pasqyrojë nderimin e duhur për Jehovain. Sigurisht, rrethanat e çdo njërit prej nesh ndryshojnë. Megjithatë kemi arsye të forta për të shqyrtuar veten që të sigurohemi nëse po i japim Jehovait më të mirën apo jo.—Efes. 5:10.
3 Shërbim me gjithë zemër: Që të nderojë Jehovain dhe të prekë zemrat e atyre që dëgjojnë, shërbimi ynë nuk mund të jetë mekanik. Kur flasim për Perëndinë e për qëllimet e tij madhështore fjalët duhet të na dalin nga një zemër plot çmueshmëri. (Psal. 145:7) Kjo thekson rëndësinë për të pasur rregullisht një program të mirë leximi dhe studimi personal të Biblës.—Prov. 15:28.
4 T’i japësh më të mirën Jehovait do të thotë edhe të imitosh dashurinë që ka ai për njerëzit. (Efes. 5:1, 2) Dashuria për njerëzit do të na motivojë që t’u japim sa më shumë njerëzve mesazhin jetëshpëtues të së vërtetës. (Mar. 6:34) Ajo na nxit të tregojmë interes për ata me të cilët flasim. Na bën të vazhdojmë të mendojmë për ta pas vizitës së parë dhe na shtyn të kthehemi përsëri. Na nxit gjithashtu të bëjmë gjithçka mundemi që t’i ndihmojmë të bëjnë përparim frymor.—Vep. 20:24; 26:28, 29.
5 «Një sakrificë lëvdimi»: Një mënyrë tjetër me të cilën i japim më të mirën tonë Jehovait është duke qenë të zellshëm në shërbim. Kur jemi të organizuar mirë dhe të përqendruar në shërbim atëherë mund të bëjmë më të mirën brenda kohës që kemi në dispozicion. (1 Tim. 4:10) Përgatitja e mirë na aftëson të flasim qartë e me bindje dhe kështu ka më shumë të ngjarë që të marrim një përgjigje pozitive. (Prov. 16:21) Kur u flasim të tjerëve për lajmin e mirë, fjalët që na dalin nga zemra me të drejtë mund të quhen «një sakrificë lëvdimi».—Hebr. 13:15.