Programi i asamblesë së re qarkore
1 Zotëria ynë paratha se dishepujt e tij do të kishin shtrëngime. (Mat. 24:9) Si duhet t’i shohim sprovat? Çfarë do të na ndihmojë për të qëndruar në shtrëngime? Programi i asamblesë qarkore për vitin e shërbimit 2004 do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Tema është: «Gëzoni në shpresë. Qëndroni në shtrëngime.»—Rom. 12:12.
2 Dy simpoziumet: Në simpoziumin e parë, me titull «Jepni fryt me qëndrueshmëri» do të trajtohen mënyrat si japim fryt. Do të intervistohen disa lajmëtarë që të tregojnë si u predikojnë me një ndjenjë urgjence të tjerëve dhe i mësojnë ata. Veçanërisht prindërit duhet t’i kushtojnë vëmendje pjesës «Kur disiplinohen nga Jehovai», në të cilën do të flitet si mund të arsyetojnë prindërit me fëmijët e tyre. Oratori i fundit i simpoziumit do të theksojë se çfarë duhet të bëjmë që të mos e lëmë botën të depërtojë brenda nesh dhe si pasojë të bëhemi të pafrytshëm.—Mar. 4:19.
3 Tema e simpoziumit të dytë është: «Vraponi me qëndrueshmëri në garë.» Ai do të bëjë të qartë si ngjan jeta jonë me një garë. Përse duhet të vrapojmë sipas rregullave? Si të arrijmë të flakim çdo peshë dhe të mos dorëzohemi në garën për jetë? Këshillat biblike, që janë pikërisht për kohën tonë, do të na ndihmojnë të gjithëve që të vazhdojmë të vrapojmë me qëndrueshmëri.
4 Qëndrueshmëria sjell miratimin e Perëndisë: Fjalimet që do të mbajnë mbikëqyrësit udhëtues do të forcojnë besimin e atyre që dëgjojnë dhe zbatojnë këshillat. Një nga fjalimet e mbikëqyrësit krahinor titullohet: «Qëndrueshmëria sjell një gjendje të miratuar.» Fjalimi publik do t’u përgjigjet pyetjeve: ‘Tek emri i kujt duhet të shpresojnë kombet? Çfarë përfshin kjo?’ Fjalimi përmbyllës me titull «Me qëndrueshmëri do të fitoni shpirtrat tuaj» do të shqyrtojë si arriti Jezui të duronte padrejtësitë, pa u hidhëruar.
5 Mos harroni të merrni me vete librin Shkolla e Shërbimit dhe kopjen tuaj të revistës Kulla e Rojës, e cila do të studiohet atë javë. Mbani shënime për t’u përqendruar dhe për t’i rishikuar në të ardhmen. Më vonë në kongregacion do të bëhet një rishikim i programit.
6 Vetë Jehovai e ka përgatitur këtë banket me ushqim frymor. Ejani! Merrni nga ky ushqim! Nëse jemi të pranishëm për të përfituar nga i gjithë programi, do të jemi tej mase të gëzuar.—Isa. 65:14.