Veshja e rregullt tregon nderim të thellë për Perëndinë
1. Si mund të shprehim mirënjohjen për kongresin e ardhshëm krahinor?
1 Së shpejti do të kemi privilegjin të jemi mysafirë në Kongresin Krahinor për vitin 2003 «Jepini lavdi Perëndisë». Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na fton në këtë banket të bollshëm frymor! Mund ta tregojmë nderimin e thellë që kemi për të dhe mirënjohjen për sigurimet e tij frymore nëpërmjet mënyrës si vishemi dhe nëpërmjet paraqitjes sonë.—Psal. 116:12, 17.
2. Përse është e rëndësishme të kemi një paraqitje të pastër dhe të rregullt?
2 Të pastër dhe të rregullt: Paraqitja jonë duhet të pasqyrojë normat e Perëndisë tonë, i cili është i pastër e i rregullit. (1 Kor. 14:33; 2 Kor. 7:1) Trupi, flokët dhe thonjtë tanë duhet të jenë të pastër, dhe duhet të kemi një paraqitje të rregullt. Sot paraqitja e shkujdesur është e zakonshme. Sidoqoftë, nuk është e arsyeshme të kemi një pamje të çrregullt, vetëm sepse një yll kinemaje ose idhull sporti ka një paraqitje të tillë. Nëse ndjekim trillet e modës, njerëzit mund ta kenë të vështirë të shikojnë dallimin midis atyre që i shërbejnë Perëndisë së vërtetë dhe atyre që nuk i shërbejnë atij.—Mal. 3:18.
3. Si mund të sigurohemi që pamja jonë të jetë në përputhje me këshillën që gjendet tek 1 Timoteut 2:9, 10?
3 Veshje që u ka hije shërbëtorëve të krishterë: Kur apostulli Pavël i shkroi mbikëqyrësit të krishterë, Timoteut, i inkurajoi «gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, . . . si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë, domethënë, me anë të veprave të mira». (1 Tim. 2:9, 10) Duhet një shqyrtim i kujdesshëm për t’u siguruar se veshja jonë është e rregullt. Rrobat duhet të jenë të rregullta, të pastra dhe modeste—jo pa shije, sensuale ose provokuese.—1 Pjet. 3:3.
4, 5. Cilave këshilla duhet t’u vënë veshin gratë dhe burrat e krishterë?
4 Pavli këshilloi gjithashtu që të mos kalojmë në ekstrem, me «modele gërshetash dhe me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta». (1 Tim. 2:9) Gruaja e krishterë ndjek një rrugë të mençur, duke qenë e ekuilibruar në përdorimin e bizhuterive, makijazhit dhe stolisjeve të tjera.—Prov. 11:2.
5 Këshilla që Pavli u dha grave të krishtere vlen si parim edhe për burrat e krishterë. Vëllezërit duhet të shmangin stilet që pasqyrojnë prirjen e botës. (1 Gjon. 2:16) Për shembull, në disa vende rrobat e varura si thes dhe shumë të mëdha janë të zakonshme, por ky stil nuk paraqet një pamje të përshtatshme për një shërbëtor të Perëndisë.
6. Përse duhet të mbajmë një standard të lartë për veshjen dhe paraqitjen tonë kur udhëtojmë për në kongres, kur kthehemi, kur jemi atje dhe pas sesioneve të çdo dite?
6 Gjatë aktiviteteve të kohës së lirë: Kur ndjekin programin, shumë vëllezër dhe motra lënë një shembull të shkëlqyer për sa i përket veshjes dhe paraqitjes. Megjithatë, raportet tregojnë se shumë veta janë të pakujdesshëm kur udhëtojnë për në kongres, kur kthehen dhe kur merren me aktivitetet e kohës së lirë pas sesioneve. Në të vërtetë, paraqitja personale, qoftë gjatë programit, qoftë në një kohë tjetër, ndikon në pikëpamjen që kanë të tjerët për popullin e Perëndisë. Meqenëse mbajmë distinktivat e kongresit, duhet të vishemi gjithmonë në një mënyrë që u ka hije shërbëtorëve të krishterë. Shpesh kjo i nxit të tjerët të na lëvdojnë dhe i hap rrugën një dëshmie të mirë.—1 Kor. 10:31-33.
7. Çfarë ndikimi mund të ketë veshja dhe paraqitja jonë te të tjerët?
7 Ashtu si një buzëqeshje miqësore e zbukuron pamjen e fytyrës sonë, po kështu edhe një veshje dhe një paraqitje e rregullt i jep dinjitet mesazhit që japim dhe organizatës që përfaqësojmë. Disa njerëz që do të na vëzhgojnë gjatë kongresit të këtij viti «Jepini lavdi Perëndisë» mund të nxiten të pyesin përse jemi të ndryshëm dhe ndoshta të thonë: «Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar [dhe kemi vëzhguar] se Perëndia është me ju.» (Zak. 8:23) Le të tregojmë të gjithë nderim të thellë për Jehovain nëpërmjet veshjes dhe paraqitjes sonë!
[Kutia në faqen 5]
Të kemi një paraqitje dinjitoze
▪ Kur udhëtojmë
▪ Në kongres
▪ Gjatë aktiviteteve të kohës së lirë