Të bëhemi të zellshëm për atë që është e mirë!
1 Ndërsa i afrohemi periudhës së Përkujtimit për vitin 2003, kemi shumë arsye për të qenë «të zellshëm për atë që është e mirë». (1 Pjet. 3:13) E para nga këto arsye është sakrifica shpërblerëse e Jezu Krishtit. (Mat. 20:28; Gjoni 3:16) Duke folur për këtë, apostulli Pjetër shkroi: «U çliruat nga mënyra e pafryt e sjelljes . . . jo me gjëra të prishshme, me argjend ose ar, por me gjak të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, po, të Krishtit.» (1 Pjet. 1:18, 19) Mirënjohja për këtë shprehje të jashtëzakonshme të dashurisë na detyron të angazhohemi për të bërë atë që është e mirë, duke pranuar që Jezui «e dha veten për ne, për të na çliruar nga çdo lloj paligjshmërie dhe për të pastruar për vete një popull posaçërisht të vetin, të zellshëm për vepra të shkëlqyera».—Titit 2:14; 2 Kor. 5:14, 15.
2 Kur bëjmë atë që është e pëlqyer në sytë e Perëndisë, gëzojmë një marrëdhënie të mirë me të dhe jemi nën mbrojtjen e tij të dashur. Veç kësaj, Pjetri tha: «Ai që dëshiron të ketë dashuri për jetën dhe të shohë ditë të mira, . . . le të largohet nga ajo që është e keqe dhe të bëjë atë që është e mirë; le ta kërkojë paqen dhe le ta ndjekë. Sepse sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre.» (1 Pjet. 3:10-12) Në këto kohë të rrezikshme, çfarë bekimi është të dimë se Jehovai vazhdon të kujdeset për ne dhe është gati të veprojë për dobinë tonë, ‘të [na] ruajë si bebja e syrit të tij’.—Ligj. 32:10; 2 Kron. 16:9.
3 Megjithë sprovat që hasnin, të krishterët e hershëm të cilëve u shkroi Pjetri kishin një zell të zjarrtë që nuk mund të shuhej dhe e shpallën lajmin e mirë sa më shumë që mundeshin. (1 Pjet. 1:6; 4:12) E njëjta gjë është e vërtetë edhe për popullin e Perëndisë sot. Edhe pse jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», çmueshmëria për mirësinë e Jehovait na nxit që ta bëjmë me zell vullnetin e Perëndisë. (2 Tim. 3:1; Psal. 145:7) Le të shqyrtojmë disa vepra të mira, me të cilat mund të angazhohemi gjatë kësaj periudhe Përkujtimi.
4 Të ftojmë të tjerët në Përkujtim: Një mënyrë me anë të së cilës mund të tregojmë çmueshmëri për dhuratën e jashtëzakonshme të shpërblesës është të jemi të pranishëm në Përkujtimin vjetor të vdekjes së Jezuit, që këtë vit do të mbahet të mërkurën, më 16 prill, pas perëndimit të diellit. (Luka 22:19, 20) Vitin e fundit, në 94.600 kongregacionet që raportuan në mbarë botën, patëm një maksimum prej 15.597.746 të pranishmish. Kishte 220.000 veta më shumë sesa një vit më parë.
5 Sa veta do të marrin pjesë këtë vit? Varet shumë nga përpjekjet e zellshme që do të bëjmë për t’i inkurajuar të tjerët që të bashkohen me ne. Filloni të bëni një listë me të gjithë ata që do të dëshironit të ftonit. Në krye të listës mund të vendosni pjesëtarët e familjes suaj. Nëse keni një bashkëshort jobesimtar, shprehini dëshirën e sinqertë që ai ose ajo të marrë pjesë bashkë me ju. Një bashkëshort jobesimtar tha se mori pjesë në Përkujtimin që u bë vitin e kaluar, sepse e kuptoi sa domethënëse ishte për gruan prania e tij. Më pas në listë mund të përfshini edhe të afërmit, fqinjët, shokët e punës ose shokët e shkollës. Sigurohuni që të ftoni edhe studentët e Biblës.
6 Pasi të keni bërë listën, programoni kohë që të ftoni secilin prej tyre. Përdorni ftesat e Përkujtimit. Për të ndihmuar njerëzit që të kujtojnë se kur dhe ku do të mbahet kremtimi, shtypni ose shkruani me shkronja shtypi në fund të ftesës orën dhe vendin e Përkujtimit. Ndërsa afrohet 16 prilli, kujtojini ata që keni vënë në listë ose duke i vizituar vetë, ose duke i marrë në telefon. Le të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë të pranishëm në këtë rast shumë të shenjtë.
7 Të ndihmojmë të pranishmit në Përkujtim: Mbrëmja e Përkujtimit është gjithmonë një rast emocionues. Kemi mundësinë të mirëpresim njerëz që normalisht nuk marrin pjesë në mbledhjet tona. Merrni masa që, për aq sa e lejojnë rrethanat, të vini herët dhe të rrini deri vonë në vendin ku do të mbahet Përkujtimi. Merrni nismën të njiheni me njerëzit që vijnë për herë të parë. Jini të ngrohtë dhe mikpritës.—Rom. 12:13.
8 A mund t’i ndihmojmë disa nga ata që janë të pranishëm në Përkujtim që të bëjnë përparim më të madh frymor nëpërmjet një studimi biblik në shtëpi? Përpiquni të merrni emrat dhe adresat e të gjithë individëve që ende nuk janë vizituar, kështu që mund t’i ndihmoni. Falë mbështetjes së dashur, disa prej tyre mund të përparojnë deri sa të kualifikohen si lajmëtarë të papagëzuar përpara Përkujtimit të vitit të ardhshëm. Kur t’i vizitoni në shtëpi ata që ndoqën Përkujtimin, bëjuni një ftesë për fjalimin special që do të mbahet më 27 prill.
9 A mund të bëhesh pionier ndihmës gjatë pranverës? Çdo vit zelli për Jehovain na nxit që të përpiqemi fort për të shërbyer plotësisht gjatë këtyre muajve me veprimtari të veçanta teokratike. Vitin e kaluar, në muajin mars, kanë shërbyer si pionierë ndihmës një maksimum i ri prej 709 lajmëtarësh. Edhe në prill patëm 414 pionierë ndihmës. Shërbimi i tyre, si edhe i lajmëtarëve të tjerë e çoi në 5.726 numrin e studimeve biblike. Përpjekjet e përbashkëta të të gjithë kongregacionit për të predikuar me zell lajmin e mirë gjatë periudhës së Përkujtimit mund të sjellin rezultate të shkëlqyera.
10 Një kongregacion në SHBA me 107 lajmëtarë dhe 9 pionierë të rregullt raportoi se prilli që kaloi ishte një «muaj i jashtëzakonshëm», gjatë të cilit shërbyen si pionierë ndihmës 53 lajmëtarë, duke përfshirë edhe të gjithë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës. Si e nxitën pleqtë entuziazmin e të tjerëve për të shërbyer si pionierë ndihmës atë muaj? Ata filluan kohë më përpara, duke inkurajuar sa më shumë lajmëtarë që të bënin kërkesën. Për t’iu përshtatur të gjithë kongregacionit, mbledhjet për shërbimin në fushë u bënë në orare të ndryshme gjatë ditës. Iu kushtua rëndësi e veçantë dëshmisë me telefon, veçanërisht për ata me shëndet të dobët.
11 Një motër 86-vjeçare, e cila nuk mund të ecte për shkak të problemeve shëndetësore, plotësoi kërkesën për pioniere ndihmëse. Që në mëngjes, ajo fillonte të dëshmonte dy orë me anë të telefonit, ndërkohë që rrinte ulur pranë tavolinës së kuzhinës, pastaj çlodhej për pak orë dhe kthehej përsëri për të dhënë dëshmi me telefon. Kontaktoi me dikë që kishte humbur burrin dhe dy bijtë adoleshentë gjatë dy viteve të kaluara dhe nuk e kuptonte pse Perëndia i lejon të ndodhin këto gjëra të liga. I dha një dëshmi të mirë dhe filloi një studim biblik. Dëshmia me telefon gjatë mbrëmjeve dhe gjatë orëve të tjera është një mënyrë e efektshme për të kontaktuar me njerëzit që jetojnë në ndërtesa ose në zona ku nuk mund të futesh. Ajo, gjithashtu, bën të mundur që lajmëtarët të kontaktojnë me njerëzit që nuk ndodhen në shtëpi gjatë ditës.
12 Pleqtë e përfunduan raportin e tyre me këto fjalë: «Ishte një kohë e mrekullueshme dhe i çmojmë privilegjet e bekimet që Jehovai na dha të gjithëve.» Duke bërë planet e duhura, edhe kongregacioni juaj mund të gëzojë bekime të tilla.
13 Përpiquni të merrni pjesë 100 për qind në shërbim: Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin na nxit që të blejmë kohën çdo muaj për të ndarë lajmin e mirë me të tjerët. (Mat. 22:37-39) Mbikëqyrësit e Studimit të Librit të Kongregacionit dhe ndihmësit e tyre duhet të përpiqen të ndihmojnë pjesëtarët e grupit, që të marrin pjesë në shërbim çdo muaj. Një mënyrë shumë e mirë për ta bërë këtë është duke marrë masa që më përpara për të dalë në shërbim me secilin pjesëtar të grupit. Filloni që më përpara, në vend se të prisni fundin e muajit. Kjo do t’ju japë më shumë mundësi për të siguruar ndihmë të dashur.
14 A ka lajmëtarë me shëndet të dobët në studimin tuaj të librit, të cilët e kanë shumë të vështirë të dalin në shërbim? Kuptohet që nëse disa jetojnë nëpër azile ose nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, mundësitë për të dëshmuar do të jenë të kufizuara. Por nëse përfitojnë nga mundësitë e pakta që kanë për të lënë që të ndriçojë drita e tyre, mund t’i nxitin të tjerët që shikojnë veprat e tyre të shkëlqyera, për të pasur interesin e duhur për të vërtetën. (Mat. 5:16) Mbikëqyrësit e Studimit të Librit duhet të sigurohen se këta lajmëtarë e dinë që mund të raportojnë qoftë edhe 15 minuta shërbim në fushë. Mundësia për të raportuar kohën që kalojnë në shërbim i inkurajon këta lajmëtarë besnikë dhe u sjell kënaqësi të madhe. Gjithashtu, ndihmon për t’u siguruar që raporti mbarëbotëror i veprës së popullit të Perëndisë të jetë i saktë.
15 Të rinj që përpiqen të bëjnë plotësisht atë që është e mirë: Sa freskuese është të shikosh që të rinjtë e krishterë përdorin fuqinë dhe energjinë e tyre në shërbim të Jehovait! (Prov. 20:29) Nëse je i ri, si mund të tregosh zell për Jehovain gjatë veprës në këta muaj të veçantë?
16 Nëse nuk je një lajmëtar i papagëzuar në kongregacion, a mund të synosh për këtë privilegj? Bëji këto pyetje vetes: ‘A e kam marrë njohurinë bazë për të vërtetën biblike? A dëshiroj të marr pjesë në shërbimin e Mbretërisë? A kam një sjellje shembullore? A jam në gjendje të tregoj besimin tim, duke u folur të tjerëve për lajmin e mirë? A nxitem nga zemra për të bërë kështu?’ Nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve është po, atëherë fol me prindërit për dëshirën që ke për t’u bërë lajmëtar. Prindërit mund t’i drejtohen njërit prej pleqve të komitetit të shërbimit.
17 Nëse tashmë je lajmëtar i lajmit të mirë, a mund të përfitosh nga pushimet e shkollës për të rritur pjesëmarrjen në shërbim? Me një program të mirë dhe me ndihmën e prindërve dhe të të tjerëve, shumë të rinj të pagëzuar janë bërë pionierë ndihmës. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë ji i vendosur të rritësh pjesëmarrjen në shërbimin në fushë. Vendos një synim për veten. Përveç synimit që të bësh një sasi orësh, vendos edhe një synim tjetër përsa i përket cilësisë së shërbimit. Ndoshta mund të përpiqesh të lexosh një shkrim në çdo derë, të përmirësosh cilësinë e rivizitave, të fillosh një studim biblik ose të zgjerosh shërbimin, për të përfshirë edhe dëshminë me telefon ose disa aspekte të tjera të shërbimit. Ç’mund të themi për synimin që të ftosh një fqinj, shok shkolle ose të afërm që të vijë me ty në Përkujtim këtë vit? Pjesëmarrja e plotë në veprimtaritë teokratike do të jetë shpërblyese dhe patjetër që do t’i inkurajojë pjesëtarët e tjerë të kongregacionit.—1 Sel. 5:11.
18 T’i ndihmojmë të rinjtë që të përparojnë: Gjatë vitit të kaluar të shërbimit në Shqipëri u drejtua një mesatare prej 5.085 studimesh biblike çdo muaj. Me kalimin e kohës, shumë nga këta studentë do të përparojnë deri në kushtim dhe në pagëzim. Megjithatë, përpara se të arrijnë këtë synim, duhet t’i ndihmojmë të kualifikohen si lajmëtarë të lajmit të mirë. Ky është një hap i rëndësishëm për t’i mësuar të rinjtë që të bëhen ithtarë të Jezu Krishtit. (Mat. 9:9; Luka 6:40) A ke ndonjë student të Biblës që është gati për ta ndërmarrë këtë hap?
19 Nëse nuk je i sigurt për përparimin e studentit, kërkoji ndihmë mbikëqyrësit të studimit të librit ose mbikëqyrësit të shërbimit. Ndoshta mund ta ftosh në studim. Këta vëllezër kanë një përvojë të çmuar, e cila mund të shfrytëzohet për të vlerësuar përparimin frymor të studentit. Ata mund të japin sugjerime që do ta ndihmojnë studentin të vazhdojë të përparojë frymësisht.
20 Kur studenti shpreh dëshirën për t’u bërë lajmëtar i papagëzuar dhe ti mendon se mund të kualifikohet, fol me mbikëqyrësin drejtues. Ai do të bëjë të mundur që dy pleq të takohen me ty dhe studentin për të parë nëse kualifikohet, duke përdorur informacionin që gjendet në faqet 98, 99 të librit Të organizuar. (Shiko edhe Kullën e Rojës, 15 nëntor 1988, faqja 17, anglisht.) Nëse studenti miratohet si lajmëtar, duhet të fillosh ta stërvitësh menjëherë. Sapo dorëzon raportin e shërbimit, kongregacioni duhet të njoftohet se ai është lajmëtar i papagëzuar. Shpresojmë që mijëra lajmëtarë të rinj, qoftë të rinj në moshë, qoftë të moshuar, të arrijnë këtë pikë të rëndësishme të përparimit frymor gjatë këtyre muajve të veçantë të veprës.
21 Planifikimi na ndihmon të bëjmë më të mirën: Planifikimi i mëparshëm do të ndihmojë për të pasur sukses në veprimtaritë teokratike gjatë periudhës së Përkujtimit. (Prov. 21:5) Ka shumë çështje që kërkojnë vëmendjen e pleqve.
22 Që të ndihmojnë kongregacionin të bëjë më të mirën në shërbimin në fushë, pleqtë duhet të bëjnë rregullime praktike, për sa u përket mbledhjeve në shërbimin në fushë gjatë javës dhe në fundjavë. Mbikëqyrësi i shërbimit duhet të marrë drejtimin për të bërë këto rregullime. A mund të zhvillohen mbledhje të tjera në mëngjes herët, pasdite vonë ose në orët e para të mbrëmjes? Kongregacioni duhet të njoftohet për këto rregullime. Është e dobishme që programi të vendoset në tabelën e informacionit.
23 Pleqtë duhet të sigurohen që rregullimet për Përkujtimin të bëhen mjaft kohë para datës 16 prill. Këto përfshijnë bashkërendimin për përdorimin e Sallës së Mbretërisë me kongregacionet e tjera që mund të mblidhen atje, pastrimin e Sallës së Mbretërisë, caktimin e përcjellësve, të vëllezërve që do të kalojnë emblemat dhe përgatitjen e emblemave. Kongregacioni duhet të njoftohet për orën dhe vendin e Përkujtimit si dhe për çdo ndryshim në programin e mbledhjes për atë javë. Kujdesi i vazhdueshëm për këto gjëra do të bëjë të mundur që kremtimi «të ndodhë siç ka hije dhe me rregull».—1 Kor. 14:40.
24 Kryefamiljarët mund të përdorin një pjesë të kohës së studimit familjar për të diskutuar se si familja mund të marrë pjesë më shumë në aktivitetin në rritje gjatë periudhës së Përkujtimit. A mund të shërbejnë të gjithë pjesëtarët e familjes suaj si pionierë ndihmës? Ose a është e mundur që familja të përkrahë një ose më shumë pjesëtarë për t’u bërë pionierë ndihmës? Nëse kjo s’është e mundur kini synime specifike si familje që të harxhoni më shumë kohë në shërbim. A ka ndonjë pjesëtar të ri në familje, i cili me pak inkurajim dhe ndihmë mund të kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar? Sa veta mund të ftojë familja juaj këtë vit në Përkujtim? Planifikimi i mirë do të sjellë shumë bekime dhe gëzim për familjen tuaj.
25 Përfitoni sa më shumë nga koha që ka mbetur: Kur u shkroi të krishterëve në shekullin e parë, apostulli Pjetër u kujtoi urgjencën e kohëve, pasi fundi i sistemit judaik ishte afruar. (1 Pjet. 4:7) Sot të gjitha dëshmitë tregojnë se fundi i këtij sistemi mbarëbotëror është afër. Mënyra e jetesës sonë duhet ta tregojë çdo ditë këtë bindje. Si shërbëtorë të zellshëm të Jehovait, duhet të përqendrohemi në veprën urgjente të shpalljes së lajmit të mirë.—Titit 2:13, 14.
26 Tani është koha të jemi të zellshëm dhe të veprojmë. Meditoni për atë që ka bërë Jehovai për ju, për familjen tuaj dhe për kongregacionin. Edhe pse nuk mund t’ia shpërblejmë Jehovait për mënyrat e shumta në të cilat na ka ndihmuar, mund t’i bëjmë Atij adhurim me gjithë shpirt. (Psal. 116:12-14) Përpjekjet tona të zellshme do të shpërblehen me bekime nga Jehovai. (Prov. 10:22) Le të jemi të gjithë «të zellshëm për atë që është e mirë» gjatë kësaj kohe të veçantë të rritjes së veprës, «që për çdo gjë t’i jepet lavdi Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit».—1 Pjet. 3:13; 4:11.
[Kutia në faqen 3]
Pjesëmarrja në Përkujtim në mbarë botën
1999 14.088.751
2000 14.872.086
2001 15.374.986
2002 15.597.746
[Kutia në faqen 4]
Kë do të ftosh në Përkujtim?
□ Pjesëtarët e familjes dhe të afërmit
□ Fqinjët dhe të njohurit
□ Shokët e shkollës dhe shokët e punës
□ Rivizitat dhe studentët e Biblës.
[Kutia në faqen 5]
Të ndihmojmë ata që marrin pjesë në Përkujtim
□ T’u japim një mirëseardhje të ngrohtë
□ T’i vizitojmë pas Përkujtimit
□ T’u ofrojmë një studim biblik
□ T’i ftojmë në fjalimin special
[Kutia në faqen 6]
Çfarë synimesh ke për periudhën e Përkujtimit?
□ Të kesh ndonjë të ftuar në Përkujtim
□ Të kualifikohesh si lajmëtar i lajmit të mirë
□ Të harxhosh një numër të caktuar orësh në shërbim
□ Të përmirësohesh në ndonjë aspekt të shërbimit
□ Të shërbesh si pionier ndihmës