Si të jenë familjet të forta frymësisht?
1 Familjet e krishtere lavdërohen që «praktikojnë devocionin hyjnor me ata të shtëpisë së vet». (1 Tim. 5:4) Megjithatë, me kaq shumë ndikime të këqija rreth nesh që mund të na e dobësojnë besimin, është jetësore që familjet të punojnë pa u lodhur për të qëndruar të forta frymësisht. Si mund të arrihet kjo gjë?
2 Të ushtrohet kryesi ngjashëm Krishtit: Kreu i familjes, duhet të imitojë Jezu Krishtin në mënyrën se si e mban përgjegjësinë për të forcuar familjen e tij. Jezui nuk u mjaftua me një demonstrim të vetëm të dashurisë së tij për ne me vdekjen e tij flijuese, por vazhdimisht «e ushqen dhe përkujdeset» për kongregacionin. (Efes. 5:25-29) Prindërit e dashur e ndjekin këtë shembull të kujdesit të butë, duke u kujdesur ditë pas dite për nevojat frymore të familjes së tyre. Kjo përfshin të drejtosh një studim biblik familjar çdo javë, të bësh diskutime frymore të thella e praktike sa herë që është e mundur dhe të trajtosh problemet që lindin.—Ligj. 6:6, 7.
3 Në shërbimin në fushë: Të gjithë pjesëtarët e familjes duhet ta kuptojnë se t’u dëshmosh të tjerëve rreth Jehovait dhe qëllimeve të tij është një pjesë e rëndësishme e adhurimit të tyre. (Isa. 43:10-12) Nëse ju prindër doni që fëmijët tuaj të jenë Dëshmitarë besnikë të Jehovait, duhet të filloni shumë herët ta përgatitni zemrën e tyre për shërbimin. Diskutoni arsyet përse është e nevojshme të jesh vetësakrifikues në shërbim dhe të marrësh pjesë në të çdo javë. (Mat. 22:37-39) Pastaj bëni rregullime që ata të dalin rregullisht me ju në shërbim.
4 Ndërtoni çmueshmërinë për veprën e predikimit, duke lënë kohë mënjanë gjatë studimit javor familjar për të përgatitur dhe për të provuar një prezantim të efektshëm. Stërvitini në mënyrë individuale fëmijët në shërbim, duke i ndihmuar të përparojnë në përputhje me moshën dhe aftësitë e tyre. Pasi keni kaluar kohë së bashku në shërbim, diskutoni se si e provuan ata drejtpërdrejt mirësinë e Jehovait. Tregoni përvoja që forcojnë besimin. Sa më shumë që familjet ‘e kanë shijuar që Zotëria është mirëdashës’ aq më afër Jehovait do të jenë, duke u forcuar që t’i bëjnë ballë ‘çdo të keqeje’.—1 Pjet. 2:1-3.
5 Gjatë mbledhjeve: Sa gjë e shkëlqyer është kur pjesëtarët e familjes e ndihmojnë njëri-tjetrin të ndjekin të gjitha mbledhjet e kongregacionit, veçanërisht nëse ndonjëri prej tyre ndihet i lodhur, i shkurajuar ose i mërzitur! «Kur babai kthehet në shtëpi nga puna, është i lodhur,—vërejti një motër e re.—Por unë i tregoj atij një pikë të bukur për të cilën do të flitet në mbledhje atë mbrëmje dhe kjo e nxit që të shkojë. Ose, kur ndihem unë e lodhur, është ai që më jep zemër që shkoj.»—Hebr. 10:24, 25.
6 Duke i bërë gjërat së bashku: Familjet duhet t’i bëjnë gjërat së bashku, si p.sh. të ndihmojnë në kryerjen e punëve të shtëpisë. Duhet lënë kohë mënjanë edhe për zbavitje të zgjedhura mirë. Të bësh një piknik, të ngjitesh në një mal, të luash lojëra të ndryshme dhe të udhëtosh për të vizituar të afërmit ose miqtë, të gjitha këto, mund të sigurojnë çaste të lumtura dhe të të lënë mbresa që ke dëshirë t’i kujtosh.—Ekl. 3:4.
7 Familjet e forta të krishtere i kapërcejnë pengesat e përditshme të gjendjes së tyre frymore. Duke iu afruar edhe më shumë Jehovait, ata përjetojnë fuqinë që vjen prej tij.—Efes. 6:10.