Nëse dikush thotë: ‘Bibla juaj është e ndryshme.’
(Marrë nga libri Të arsyetojmë faqet 279-280, angl.)
Mund të përgjigjemi: ‘Cilin përkthim të Biblës keni? Mos është . . . (të përmendim disa në gjuhën tonë)? Dihet, ka shumë përkthime.’ Më pas ndoshta të shtojmë: ‘Me kënaqësi mund të përdor çfarëdo përkthimi që ju pëlqeni. Por ndoshta mund t’ju interesojë të dini përse pëlqej në mënyrë të veçantë Përkthimin Bota e Re. Më pëlqen për shkak të gjuhës së tij bashkëkohore, të kuptueshme dhe sepse përkthyesit i janë përmbajtur ngushtësisht tekstit në gjuhët origjinale biblike.’
Ose mund të themi: ‘Kjo që thoni më jep të kuptoj se duhet të keni një Bibël në shtëpi. Cilin përkthim të Biblës përdorni? . . . Ju vjen keq ta merrni pak?’ Më pas ndoshta mund të shtojmë: ‘Për të gjithë ne, pavarësisht se cilin përkthim përdorim, Jezui theksoi diçka të rëndësishme në Gjonin 17:3 që duhet ta mbajmë parasysh, siç mund ta shihni këtu në vetë Biblën tuaj . . . . ’
Një mundësi tjetër: ‘Ka shumë përkthime të Biblës. Shoqata jonë nxit që të përdorim lloje të ndryshme të tyre për të bërë krahasime dhe për t’i ndihmuar studentët që të kapin kuptimin e vërtetë të Shkrimeve. Siç mund ta dini, Bibla u shkrua fillimisht në hebraisht, aramaisht dhe greqisht. Prandaj e çmojmë punën e përkthyesve për ta shprehur atë në gjuhën tonë. Cilin përkthim të Biblës përdorni ju?’
Një sugjerim tjetër: ‘Me sa duket, jeni një person që e doni Fjalën e Perëndisë. Prandaj, jam i sigurt që do t’ju interesonte të dinit cili është një nga ndryshimet e mëdha ndërmjet Përkthimit Bota e Re dhe përkthimeve të tjera. Në të përfshihet emri i personit më të rëndësishëm të përmendur në Shkrime. A e dini cili është?’ Më pas ndoshta të shtojmë: (1) ‘A e dinit që emri i tij personal shfaqet në tekstin origjinal hebraik të Biblës rreth 7.000 herë, pra, shumë më tepër se çdo emër tjetër?’ (2) ‘Çfarë ndryshimi ka nëse e përdorim ose jo emrin personal të Perëndisë? E pra, a keni ndonjë mik vërtet të ngushtë të cilit nuk ia dini emrin? . . . Nëse duam të kemi një marrëdhënie personale me Perëndinë, është shumë e rëndësishme që së pari të njohim emrin e tij. Shihni çfarë tha Jezui te Gjoni 17:3, 6. (Psal. 83:18)’