Ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë
1 Kur i dha dëshmi një zyrtari, «Filipi hapi gojën dhe duke filluar me një Shkrim [të caktuar], i shpalli atij lajmin e mirë për Jezuin». (Vep. 8:35) Filipi po ‘e përdorte drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15) Megjithatë, sot, mbikëqyrësit udhëtues kanë vërejtur se shumë lajmëtarë e përdorin rrallë Biblën kur japin dëshmi. Po ne, a e përdorim Biblën në shërbim?
2 Fjala e Perëndisë është burimi i çdo gjëje që besojmë dhe u mësojmë të tjerëve. (2 Tim. 3:16, 17) Është ajo që i tërheq njerëzit drejt Jehovait dhe i arsimon për jetën. Ja pse është e rëndësishme ta përdorim Biblën në shërbim, në vend që thjesht të bisedojmë për ato tema që na interesojnë neve. (Hebr. 4:12) Duke qenë se shumica e njerëzve dinë pak për Biblën, ne duhet të lexojmë prej saj, me qëllim që t’u tregojmë udhëheqjen praktike që ajo ofron, si edhe të ardhmen që i paraqet njerëzimit.
3 Të lexojmë drejtpërdrejt nga Bibla: Mund të provojmë të shkojmë në predikimin shtëpi më shtëpi pa një çantë librash. Llojin e literaturës që dëshirojmë të ofrojmë, mund ta futim në një çantë të vogël, kurse Biblën ta mbajmë në dorë ose në xhep. Më pas, kur të hyjmë në bisedë me dikë, mund ta nxjerrim Biblën pa bërë që personi të ndihet sikur po përpiqemi t’i mbajmë ndonjë fjalim. Të mbajmë një pozicion të tillë të trupit, që dëgjuesi të mund të ndjekë leximin në Biblën tonë. Ndoshta mund t’i kërkojmë atij që të lexojë me zë një varg. Lë më shumë përshtypje te një person kur e sheh vetë atë që thotë Bibla, sesa kur e dëgjon. Natyrisht, për ta ndihmuar që të kapë kuptimin e shkrimit, të theksojmë fjalët që përçojnë idenë kryesore.
4 Të paraqesim një shkrim: Pasi prezantohemi mund të themi: «Njerëzit u drejtohen burimeve të ndryshme për drejtim në jetë. Kush mendoni se është burimi më i mirë për një udhëheqje praktike? [Ta lëmë të përgjigjet.] Çfarë mendoni për këtë pohim? [Të lexojmë Proverbat 2:6, 7 dhe ta lëmë të përgjigjet.] Mençuria njerëzore ka dalë tmerrësisht e mangët, duke i çuar shumë njerëz në dëshpërim. Ndërsa mençuria e Perëndisë ka provuar gjithnjë se është e besueshme dhe e dobishme.» Më pas të tregojmë botimin që po prezantojmë dhe të veçojmë prej tij një shembull të mençurisë praktike të Perëndisë.
5 Jezui i përdori Shkrimet për të ndihmuar njerëzit me zemër të ndershme. (Luka 24:32) Pavli i provoi me anë të Shkrimeve gjërat që u mësoi të tjerëve. (Vep. 17:2, 3) Siguria dhe gëzimi ynë në shërbim do të rriten, ndërsa bëhemi edhe më të aftë për ta përdorur drejt Fjalën e Perëndisë.