Të jemi syçelë për të gjetur personat e shurdhër në territorin tonë
1 Jehovai po bën kudo ftesën: «‘Eja!’ . . . kushdo që dëshiron le të marrë falas ujin e jetës.» (Zbul. 22:17) Mes atyre që po i përgjigjen kësaj thirrjeje, ka një numër gjithnjë e në rritje personash të shurdhër. Si përfundim, gjatë 13 viteve të fundit, në degën e Shteteve të Bashkuara janë formuar 27 kongregacione dhe rreth 43 grupe të gjuhës me shenja.
2 Megjithëse kongregacionet dhe grupet e gjuhës me shenja i përqendrojnë të gjitha përpjekjet e tyre në predikim për të takuar personat e shurdhër e ata me dëgjim të dobët në territoret përkatëse, ka ende shumë të tillë që duhen gjetur e u duhet dhënë dëshmi.
3 Si mund të ndihmojmë ne? Kur jemi në vendet publike, a vërejmë njerëz që përdorin gjuhën e shenjave? A njohim ndonjë në vendin tonë të punës ose në shkollë që ka një pjesëtar të familjes të shurdhër? Të jemi syçelë për të gjetur ata që janë të shurdhër ndërsa kryejmë veprimtaritë tona të përditshme. Por, si mund të jemi të sigurt se ata do të marrin një dëshmi për Mbretërinë?
4 Të japim dëshmi: Shumë persona të shurdhër përparojnë më shpejt, ndërsa mësojnë të vërtetën, kur shoqërohen me Dëshmitarë të shurdhër në mbledhjet e kongregacionit që mbahen në gjuhën me shenja. Në këtë periudhë, edhe këtu në Shqipëri disa lajmëtarë po e mësojnë këtë gjuhë. Në një kongregacion, një lajmëtare po drejton tre studime biblike me shurdhmemecë dhe i ndihmon kur marrin pjesë në mbledhje, duke përkthyer në gjuhën e shenjave informacionet që po trajtohen. Nëse njohim ose takojmë shurdhmemecë që tregojnë interes të sinqertë për të vërtetën, mund të flasim me sekretarin e kongregacionit. Ai mund të informojë Degën e Shoqatës për këta persona, me qëllim që ajo të shqyrtojë rrethanat. Në disa raste, Shoqata mund t’u japë më shumë ndihmë shurdhmemecëve nëpërmjet lajmëtarëve që njohin gjuhën e shenjave.
5 Po në rast se në zonën tonë nuk ka ndonjë afër që t’u japë ndihmë frymore këtyre personave të shurdhër? Si mund t’i ndihmojmë? Përse të mos u bëjmë një rivizitë e të flasim me ndonjë pjesëtar të familjes së tyre që nuk ka problem me dëgjimin? Disa lajmëtarë kanë mësuar, madje, edhe gjuhën me shenja për shurdhmemecë që të jenë më të efektshëm ndërsa përpiqen të arrijnë personat e shurdhër. (Vep. 16:9,10) Tani, edhe në Shqipëri ka kurse për të mësuar gjuhën e shenjave. Drejtimi i studimeve biblike me persona të sinqertë shurdhmemecë ka dhënë tashmë shumë rezultate pozitive.
6 Duke qenë syçelë për të gjetur personat e shurdhër në zonën tonë, mund t’u japim atyre mundësinë që të marrin falas ujin e jetës.—Mat. 10:11.