Të jemi të vëmendshëm ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë
1 Për tri ditë të shkëlqyera u mblodhëm në Kongresin Krahinor «Zbatues të Fjalës së Perëndisë». E hoqëm mendjen nga shqetësimet e përditshme të jetës dhe u përqendruam në veprat e mrekullueshme të Jehovait. Programi kishte si qëllim që të na shtonte besimin te Perëndia dhe te Fjala e tij, të forconte marrëdhënien tonë me të dhe të na shtonte zellin për shërbimin. Si po nxjerrim dobi nga gjërat që na u mësuan?—Gjoni 13:17.
2 Familjet i binden Fjalës së Perëndisë: Simpoziumi «Bindjuni Fjalës së Perëndisë» na ndihmoi të shqyrtojmë gjendjen frymore të familjeve tona. Fëmijëve u pëlqen të mësojnë. Prandaj, prindërit e devotshëm u inkurajuan ta bëjnë studimin familjar të Biblës themelin për ndërtimin e një familjeje të fortë në aspektin frymor. Shumë kryefamiljarë po shqyrtojnë me të vegjlit e tyre broshurën e re Ti mund të jesh miku i Perëndisë! Kjo gjë do t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë një marrëdhënie të lumtur e të sigurt me Jehovain. Prindër, mësojuni fëmijëve se si të jenë të vëmendshëm ndaj ndjenjave të Perëndisë. Shprehni hapur dashurinë tuaj për të dhe për veprat e tij. (Psal. 103:2) Punoni së bashku, për të vënë e për të arritur synime frymore, si edhe që të jeni të përfshirë në një masë të plotë në shërbim të Jehovait.
3 Fjala e Perëndisë ndriçon udhën tonë: Sa u kënaqëm kur morëm librin e ri Profecitë e Isaisë: Dritë për gjithë njerëzimin I! Ku kemi arritur në leximin e këtij vëllimi të parë? Libri i Isaisë parathotë gjykimet shkatërrimtare për kombet e paperëndishme, si edhe bekimet e mrekullueshme të Mbretërisë për popullin e Perëndisë. (Isa. 34:2; 35:10) Gjithashtu, ndërton besimin dhe sigurinë te Jehovai e në mënyrën se si ai i bën gjërat.—Isa. 12:2-5.
4 Gjatë leximit të librit Profecitë e Isaisë I, mund të dallojmë që në fillim se si e ruajti Isaia integritetin e tij ndaj Jehovait, ndërsa ligësia e rrethonte. Kur iu ofrua ftesa për t’u bërë lajmëtari i Perëndisë, Isaia u përgjigj: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isa. 6:8) Duke medituar rreth frymës së tij të gatshme do të inkurajohemi që të vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë, duke marrë pjesë në një masë të plotë në veprën e dhënies së ‘dëshmisë të gjitha kombeve’.—Mat. 24:14.
5 Duke qenë të vëmendshëm ndaj veprave të Jehovait, bëjmë që të lartohet madhështia e tij. Prandaj, le ta çmojmë privilegjin që kemi për të qenë zbatues të fjalës së Perëndisë!