‘Çfarë mund të bëj?’
1 ‘Çfarë mund të bëj?’ Pa dyshim, kjo pyetje ishte në mendjet e anëtarëve të grupit të vogël të studentëve të Biblës, organizuar nga Charles Taze Russell në vitet 70 të shekullit 19-të. Ndërsa përparonin në kuptueshmërinë për vullnetin e Perëndisë, ata studentë të hershëm të Biblës duhet të kenë pyetur veten se çfarë mund të bëjnë për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë rreth qëllimit të Perëndisë. Të arrije të gjithë botën me njohurinë biblike që ata po fitonin, ishte sigurisht një detyrë madhështore.
2 Lumturisht, për dobinë tonë, ata e përballuan atë sfidë. Në ç’mënyrë? Çdo individ bëri pjesën e tij, në dukje të parëndësishme, kështu që sot, Dëshmitarët e Jehovait janë bërë të njohur në mbarë botën—një organizatë me afërsisht gjashtë milionë lajmëtarë të Mbretërisë, që shërbejnë në rreth 90.000 kongregacione në 234 vende dhe ishuj të detit!—Isa. 60:22
3 Të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë: Për secilin nga ne, është diçka jetësore që të ketë njëfarë pjesëmarrjeje në veprën e jashtëzakonshme që Jezui paratha se do të kryhej në këto ditë të fundit. (Mar. 13:10) Sigurisht, kjo vepër nuk mund t’i lihet vetëm numrit të kufizuar të pleqve, gjithashtu, aktiviteti i predikimit nuk duhet të bjerë vetëm mbi shpatullat e pionierëve. Në realitet, çdo i krishterë i dedikuar ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. Të gjithë ne mund të marrim pjesë në disa forma të aktivitetit të predikimit. (1. Tim. 1:12) Në çfarëdo mase që e bëjmë këtë, i sjellim dobi si vetes, ashtu edhe të tjerëve.—1. Tim. 4:16.
4 Secili nga ne mund të ofrojë një mbështetje të plotë për vëllazërinë tonë të krishterë edhe në mënyra të tjera domethënëse. Ne mund të mbështetim mbledhjet e kongregacionit duke i ndjekur rregullisht dhe duke marrë pjesë në to me entuziazëm. (Psal. 122:1, 8, 9) Mund të bëjmë pjesën tonë për të mbajtur kongregacionin të pastër moralisht. Mund të sigurojmë mbështetje financiare për veprën mbarëbotërore, sipas mundësive tona. Mund të marrim pjesë në pastrimin e Sallës së Mbretërisë. Secili mund t’i kontribuojë një fryme të ngrohtë dashurie dhe uniteti në kongregacion, duke ndihmuar të sapointeresuarit, të rinjtë, si edhe ata që janë të moshuar.—Kolos. 3:12, 14.
5 Prandaj, mund të pyesim veten, ‘Çfarë mund të bëj’? Megjithëse përpjekjet tona individuale mund të duken të vogla, duke bërë pjesën tonë i kontribuojmë një kongregacioni të fortë, aktiv dhe të shëndetshëm. Kështu, secili prej nesh ka një pjesë jetësore në veprën e nderimit të emrit të Jehovait!