T’i japim nderim të thellë emrit të bukur të Jehovait
1 Satanai hodhi baltë mbi emrin e Perëndisë kur i shtyu në mëkat prindërit tanë të parë. Djalli la të nënkuptohej se Jehovai e kishte gënjyer Adamin. (Zan. 3:1-5) Pasi emri i Jehovait lidhet me aftësinë që ai ka për të përmbushur fjalën e tij, pohimi i Satanait ishte shpifja më e ulët që mund të bëhej. Duke përmbushur në mënyrë progresive qëllimin e tij hyjnor, Jehovai e hoqi turpin që kishte rënë mbi emrin e tij dhe e bëri atë të bukur.—Isa. 63:12-14.
2 Ne jemi populli ‘mbi të cilin thirret emri i Zotit’. (Vep. 15:14, 17) Kjo gjë na jep mundësi që të tregojmë se si ndihemi lidhur me shenjtërimin e tij. Duke qenë se emri i Jehovait përfaqëson çdo gjë të mirë, të butë, të dashur, të mëshirshme dhe të drejtë, shohim se ai është me të vërtetë i bukur. Ne ndiejmë respekt të thellë për madhështinë e emrit të lavdishëm të Perëndisë. (Psal. 8:1; 99:3; 148:13) Çfarë duhet të jemi të nxitur të bëjmë?
3 Të shenjtërojmë emrin e Perëndisë: Emri i Perëndisë nuk mund të bëhet më i shenjtë se ç’është në realitet. Por, me anë të sjelljes sonë të pastër dhe predikimit të Mbretërisë, mund të tregojmë se i japim nderimin më të lartë emrit të Perëndisë. Le të thërrasim me zë të lartë: «Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.» (Isa. 12:4) Si mund ta bëjmë këtë?
4 Mund të përfitojmë nga çdo rast për të shpallur emrin e Jehovait, si dhe gjithçka që ai përfaqëson. Sido që të jetë, formal ose joformal, nga shtëpia në shtëpi ose nga dyqani në dyqan, në rrugë ose me telefon, aktiviteti ynë i predikimit nderon Jehovain. Kur gjejmë persona të interesuar që dëgjojnë, duhet të lëmë takime të përcaktuara qartë për t’u kthyer dhe për t’u mësuar atyre më shumë rreth Jehovait. Kjo do të thotë se ne duhet t’u përmbahemi me korrektësi këtyre takimeve dhe të ngulmojmë në përpjekjet tona për të filluar studime biblike. Lumturisht, çdo vit, qindra mijë persona po vijnë për të njohur, respektuar dhe shenjtëruar emrin e bukur të Jehovait.
5 Pjesëmarrja me gjithë zemër në veprën e shenjtërimit të emrit të Perëndisë, tregon qartë se ku qëndrojmë lidhur me çështjen që ngriti Satanai në Eden. Kjo është vepra më e shquar dhe më e nderuar që mund të bëjmë. Le t’i japim nderim të thellë dhe të lëvdojmë me zell emrin e bukur të Jehovait!—1. Kron. 29:13.