Të lutemi për ndihmën e Jehovait
1 Jezui nguliti te dishepujt e tij nevojën për të pasur bekimin e Jehovait në shërbimin e tyre. (Mat. 9:37, 38) Lutjet tona të përzemërta të lëvdimit dhe të falënderimit bashkë me kërkesat dhe përgjërimet me gjithë shpirt, tregojnë se mbështetemi plotësisht te Jehovai për ndihmë. (Filip. 4:6, 7) Shkrimet na nxitin që të vazhdojmë të lutemi me «çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi», dhe kjo duhet zbatuar edhe në rastin e lutjeve që bëjmë lidhur me shërbimin.—Efes. 6:18.
2 Ne e lëvdojmë në lutje Jehovain për cilësitë e tij të pashoqe dhe për atë që ka kryer. Gjithashtu, e lëvdojmë edhe për faktin që është Dhënësi i lajmit të mirë që predikojmë. Jehovai i meriton lëvdimet tona, sepse ai vetë e bën të suksesshëm shërbimin tonë.—Psal. 127:1
3 Lutjet tona të falënderimit shprehin çmueshmërinë tonë për kuptueshmërinë që Jehovai na ka dhënë në lidhje me vullnetin dhe qëllimin e tij. A nuk është një privilegj të ndash të vërtetat e Mbretërisë me të tjerët? Ne falënderojmë Jehovain për të gjitha arritjet tona në shërbim.—Psal. 107:8; Efes. 5:20.
4 Në mënyrë mjaft të përshtatshme, ne i kërkojmë Jehovait që të na ndihmojë të gjejmë ata njerëz që do ta pranonin ftesën tonë për një studim biblik si edhe që të arrijmë zemrat e tyre me të vërtetën. Me anë të kërkesave të tilla ne pranojmë se vetëm Perëndia mund ta bëjë të frytshme veprën tonë të shërbimit.—1. Kor. 3:5-7.
5 Një motër mendonte se një grua me të cilën kishte një itinerar revistash nuk po i lexonte numrat e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Duke mos dashur që këto revista të çmuara të humbnin kot, ajo i kërkoi në lutje Jehovait që nëse gruaja nuk i lexonte ato ishte mirë të mos i merrte. Kur motra i bëri vizitën tjetër, burri i gruas i tha: «Faleminderit që na i dërgon rregullisht këto revista. Unë po i lexoj dhe me të vërtetë që më pëlqejnë.»
6 Me lutje të përulur e të zjarrtë, ne mund t’i kërkojmë Jehovait që të na ndihmojë të përballojmë apatinë, talljen dhe të kapërcejmë çdo lloj frike nga njeriu, me qëllim që të vazhdojmë t’u dëshmojmë me guxim të tjerëve. (Vep. 4:31) Nëse vazhdojmë të ngulmojmë me «çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi», ndërsa vazhdojmë të bindur shërbimin tonë të shenjtë, mund të jemi të sigurt për ndihmën e Jehovait.—1. Gjon. 3:22.