A mund të japim një dorë për të ndihmuar?
1 Apostulli Pavël i këshilloi anëtarët e kongregacionit që ‘të kenë të njëjtin kujdes për njëri-tjetrin’. (1. Kor. 12:25) Prandaj, ne duhet të tregojmë interes personal për njëri-tjetrin dhe të jemi të gatshëm të japim një ndihmë të dashur kur është e nevojshme. Për shembull, disa motra frymore mes nesh, po i rritin të vetme fëmijët në të vërtetën. Ato po e mbajnë vetë gjithë peshën e përgjegjësisë së stërvitjes frymore të fëmijëve të tyre. Pa dyshim, ato e meritojnë të marrin një inkurajim të dashur dhe ndihmë praktike nga ana jonë «sipas nevojave të tyre». (Rom. 12:13a, BR) A mund të japim një dorë për t’i ndihmuar këto motra?
2 Mënyrat me të cilat mund të ndihmojmë: Duke u ofruar që të udhëtojnë me makinën tonë atyre që duhet të përdorin mjetet e transportit publik për të ardhur në mbledhje ose asamble, mund të ndihmojmë që si familje të kursejnë në një masë të konsiderueshme nga ana financiare. Duke e ndihmuar një nënë që të kujdeset për fëmijët e saj të vegjël gjatë mbledhjes, mund të bëjmë që ajo të përfitojë në një masë më të plotë nga programi. Gjithashtu, duke u ofruar për ta mbështetur kur i merr fëmijët me vete në shërbim, mund t’i sjellim asaj njëfarë lehtësimi. Nëse shfaqim një interes të sinqertë ndaj fëmijëve, duke u bërë shokë me ta, mund të bëjmë shumë që kjo të ndikojë pozitivisht te këta të vegjël. Duke i ftuar herë pas here familjet me një prind që të marrin pjesë në studimin tonë familjar, bëjmë që ata të ndihen më të freskuar frymësisht.
3 Të jemi të matur: Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm, duke mos ngulur këmbë për të ndihmuar ndonjë që nuk ndjen nevojën për këtë. Nuk duam as të futim hundët në çështjet familjare të personit, ndërsa i ofrojmë ndihmën për të cilën ka nevojë. Natyrisht, çiftet e martuara dhe motrat do të ishin në një pozitë më të mirë, për t’i ardhur në ndihmë një motre në nevojë.
4 Të gjithë të krishterët inkurajohen që ‘të jenë mikpritës’ ndaj njëri-tjetrit. (Rom. 12:13b) Të japësh një dorë për të ndihmuar vëllezërit tanë dhe motrat tona frymore, është një prej mënyrave të shumta me të cilat tregojmë dashurinë që kemi mes nesh ngjashëm Krishtit.—Gjoni 13:35.