Shërbimi si pionier: Një përdorim i mençur i kohës!
1 ‘Tashmë jam e zënë deri në grykë! A do të ishte vërtet e mençur për mua që të filloja shërbimin si pioniere në këtë kohë?’ Kështu mendonte një motër ndërsa dëgjonte pjesën me titull, «Të ngulmojmë në shërbimin si pionier», të prezantuar në asamblenë qarkore nga një plak që ishte pionier. Një vëlla i ri në po atë auditor mendonte: ‘Si gjen kohë për të shërbyer si pionier? Unë nuk jam plak, por jetën e kam tashmë plot me aktivitete!’
2 Ndërsa plaku vazhdoi të diskutonte bekimet e shërbimit si pionier, intervistoi disa pionierë të qarkut, të cilët folën mbi rregullimet që kishin bërë për të shërbyer si pionierë dhe se si Jehovai i kishte bekuar në mënyrë të pasur përpjekjet e tyre. Një ishte i gjymtuar, një e kishte bashkëshortin jobesimtar dhe një tjetër kishte hequr dorë nga një karrierë në botë, por arrinte t’i plotësonte nevojat e tij themelore me të ardhurat që kishte. Duke dëgjuar se si këta pionierë po ia dilnin mbanë me ndihmën e Jehovait, vëllai dhe motra në auditor filluan të rishqyrtonin mënyrën e tyre të të menduarit dhe rrethanat e tyre. Ju ftojmë të bëni të njëjtën gjë, veçanërisht pasi kuotat e reduktuara të orëve për pionierët tani janë brenda mundësive të shumë më tepër lajmëtarëve të lajmit të mirë.
3 E dimë se Jehovai është Krijuesi dhe Sovrani i Universit dhe se jetën tonë ia detyrojmë atij. (Dan. 4:17; Vep. 17:28) E kemi të qartë se Jehovai po përdor vetëm një organizatë. Kemi privilegjin të shërbejmë besnikërisht me të, duke përkrahur «skllavin e besueshëm e të matur» në dhënien e dëshmisë mbi Mbretërinë përpara se të vijë fundi. (Mat. 24:45, BR; 25:40; 1. Pjet. 2:9) Duke jetuar të futur thellë në «ditët e fundit», e kuptojmë se koha që kemi në dispozicion për të predikuar po mbaron. (2. Tim. 3:1) Ndërkohë ne duhet të mbështetim materialisht familjet tona. (1. Tim. 5:8) Të ardhurat e një personi duket se nuk janë aq të mjaftueshme sa më përpara. Ndoshta shëndeti ynë nuk është më siç ka qenë më parë. Veç kësaj, që të jemi të ndershëm, ne duam që të kemi një çikë kohë dhe ca kursime për të shpenzuar për veten tonë. (Ekl. 3:12, 13) Prandaj, mund të pyesim veten se a është me të vërtetë diçka e mençur nëse i përgjigjemi ftesës për të shërbyer si pionierë.
4 Është përgjegjësia jonë personale që të shqyrtojmë me kujdes rrethanat tona dhe të vendosim nëse mund të shërbejmë si pionierë ose jo. (Rom. 14:12; Gal. 6:5) Është inkurajuese të vërejmë numrin gjithnjë në rritje të atyre që i janë përgjigjur thirrjes për të shërbyer si pionierë. Pavarësisht nga presionet dhe problemet e këtyre ditëve të fundit, raporti i shërbimit i botuar në Librin vjetor 1999, anglisht, tregon se rreth 700.000 vetë nga populli i Jehovait në mbarë botën, po vazhdojnë me këmbëngulje në shërbimin si pionierë. Ndonëse po shërbejnë nën kushte të vështira ekonomike, pa mjete transporti, duke përjetuar probleme shëndetësore, duke hasur vështirësi dhe pengesa të tjera, këta vëllezër dhe motra nuk po lodhen në bërjen e asaj që është e shkëlqyer dhe kjo është për t’u lavdëruar. (Gal. 6:9) Ata e kanë pranuar ftesën e Jehovait për ta vënë atë në provë. (Mal. 3:10) Mendojnë se shërbimi si pionier është një përdorim mjaft i mençur i kohës dhe i të ardhurave të tyre të kufizuara dhe se Jehovai i ka bekuar vërtet për rregullimet e nevojshme që kanë bërë për të filluar e qëndruar në veprën e pionierit.
5 Pionierët po bekohen: Një motër në Kamerun që ka një vajzë shumë të vogël, shpjegon: «Që kur ka lindur, vajza më ka shoqëruar gjithmonë në shërbim. Edhe përpara se të mësonte të ecte, e merrja me vete mbi shpinë, të lidhur mirë me një pëlhurë të gjatë. Një mëngjes në shërbim, ndalova te një banak anës rrugës. Fëmija u largua nga unë, duke marrë me vete disa revista nga çanta ime. Ajo u çapit për te banaku tjetër. Megjithëse nuk mund të fliste shumë, ajo tërhoqi vëmendjen e një gruaje dhe i prezantoi një revistë. Gruaja u habit shumë kur pa një fëmijë kaq të vogël që merrte pjesë në këtë aktivitet. Ajo i pranoi me dëshirë revistat si edhe një studim biblik në shtëpi!»
6 Në përgjigje të thirrjes për më shumë pionierë ndihmës, një plak dhe kryefamiljar në Zambia, që kishte një punë plotkohore, vendosi të shërbente si pionier ndihmës, pavarësisht nga programi i tij i ngjeshur. Ai donte t’i linte një shembull kongregacionit dhe familjes së tij. Disa herë e parkonte makinën në anë të rrugës, vinte kasetën e librit Sekreti i lumturisë familjare dhe i ftonte kalimtarët që të afroheshin e të dëgjonin atë që po lexohej me zë të lartë. Në këtë mënyrë, ai mundi të shpërndante 16 libra Familja, 13 libra Njohuria dhe të fillonte dy studime biblike.
7 Një frymë e shkëlqyer pionieri u vu re edhe në vendin fqinj, Zimbabve. Gjatë prillit të vitit 1998, një kongregacion me 117 lajmëtarë raportoi 70 pionierë ndihmës dhe 9 pionierë të rregullt. Një tjetër me 94 lajmëtarë, pati 58 pionierë ndihmës që raportuan. Një tjetër akoma, me 126 lajmëtarë, raportoi se 58 anëtarë të kongregacionit kishin vendosur të shërbenin si pionierë ndihmës bashkë me katër pionierë të rregullt. Viti i kaluar i shërbimit doli se qe një vit i shquar për Zimbabven. Edhe pse vëllezërit në këtë vend ishin mjaft të zënë me çështjet familjare, aktivitetet e kongregacionit dhe ndërtimin e degës, ata u përqendruan në shpenzimin me mençuri të kohës së tyre në shërbim.
8 Pionierët e kuptojnë se fillimi i veprës së pionierit dhe ngulmimi në të nuk varen nga forca e tyre. Ata janë të parët që pranojnë se çfarëdo gjë që arrijnë të bëjnë, është e mundur sepse «varen në forcën që Perëndia siguron». (1. Pjet. 4:11, BR) Besimi që kanë u jep mundësi të vazhdojnë në shërbimin e tyre ditë pas dite. Në vend se të kërkojnë lehtësira dhe rehati për veten, pionierët e suksesshëm e kuptojnë se për të vazhduar mund të kërkohet «një përpjekje e madhe», por si rezultat marrin shumë bekime.—1. Sel. 2:2, BR.
9 Shembulli i Pavlit vlen të imitohet: Bibla tregon arritjet e apostullit Pavël në shërbim dhe ndihmën e shkëlqyer që ai u dha shumë njerëzve. Megjithatë, nëse kishte ndonjë person të zënë deri në grykë, ai ishte Pavli. Ai duroi persekutimin dhe vështirësitë fizike për të predikuar lajmin e mirë dhe për të forcuar kongregacionet. Gjithashtu, i duhej të duronte një problem të rëndë shëndetësor. (2. Kor. 11:21-29; 12:7-10) Ai ishte i vendosur ta shpenzonte me mençuri kohën e tij. Pranonte se të gjithë punën e bënte me ndihmën e Jehovait. (Filip. 4:13) Asnjë nga ata që ndihmoi Pavli nuk nxorën përfundimin se koha dhe përpjekjet e tij në shërbimin ndaj Jehovait ishin harxhuar kot apo se mund të ishin përdorur më mirë. E pra, ne akoma po përfitojmë sot nga përdorimi i mençur që i bëri Pavli kohës së tij! Sa e çmojmë këshillën e tij të frymëzuar që na ndihmon të renditim përparësitë tona dhe të mbahemi fort pas së vërtetës në këto kohë të vështira!
10 Tani, si kurrë më parë, ‘koha e mbetur për të predikuar lajmin e mirë është zvogëluar’. (1. Kor. 7:29, BR; Mat. 24:14) Prandaj, është e përshtatshme të pyesim veten: ‘Nëse jeta ime do të mbaronte papritmas nesër, a do të mund t’i tregoja Jehovait sot se e kam përdorur me mençuri kohën time?’ (Jak. 4:14) Përse të mos flasësh me Jehovain në lutje që tani, duke e siguruar atë se dëshiron ta përdorësh me mençuri kohën tënde si një prej Dëshmitarëve të tij? (Psal. 90:12) Lutu për ndihmën e Jehovait që ta thjeshtosh jetën tënde. Edhe pse më përpara mund ta kishe konsideruar të pamundur shërbimin e pionierit, a mund të jetë se tani e sheh që ky shërbim mund të përfshihet në jetën tënde?
11 Jep maksimumin brenda rrethanave të tua: Kuptohet, për shkak të rrethanave, jo të gjithë ata që dëshirojnë mund të programojnë 70 orë në muaj për të shërbyer si pionierë të rregullt. Megjithatë, shumë lajmëtarë bëjnë rregullime për të kushtuar 50 orë shërbim në muaj si pionierë ndihmës, sa më shpesh që është e mundur ose në mënyrë të vazhdueshme. Nëse situata jote është e atillë që tani për tani nuk mund të shërbesh si pionier ndihmës ose i rregullt, merr zemër. Vazhdo të lutesh që rrethanat e tua të ndryshojnë. Ndërkohë, nëse nuk mund të bësh asnjë rregullim, ngushëllohu nga fakti se Jehovai është mjaft i kënaqur me çfarëdo që mund të bësh me gjithë shpirt në shërbimin e tij. (Mat. 13:23) Ai e vëren se po qëndron i palëkundur në anën e tij dhe se po përpiqesh shumë për të qenë një lajmëtar besnik, që nuk lejon kurrë të kalojë një muaj pa shfrytëzuar mundësitë për të dhënë dëshmi. Ndoshta mund të përparosh duke mprehur aftësinë tënde të predikimit, duke punuar për të shkëlqyer si predikues dhe mësues i lajmit të mirë.—1. Tim. 4:16.
12 Duke qenë se «dita e madhe dhe e frikshme e Jehovait» është kaq afër, ne duhet ta përdorim me mençuri kohën e mbetur, nëse duam ta përfundojmë veprën që na është ngarkuar. (Joe. 2:31, BR) Satanai e di se koha e tij është e shkurtër dhe si kurrë më parë po përdor gjithçka që ka në dorë, për të na e ndërlikuar jetën dhe për të na e bërë të vështirë që të përqendrohemi mbi gjërat që janë vërtet të rëndësishme. (Filip. 1:10; Zbul. 12:12) Kurrë mos e nënvlerëso interesin që ka Perëndia për ty. Jehovai mund të të ndihmojë që ta thjeshtosh jetën dhe që të bësh gjithë sa mundesh në shërbim. (Psal. 145:16) Lumturisht, duke rishqyrtuar rrethanat e tyre, shumë po e shohin se mund t’u bashkohen radhëve të pionierëve ndihmës ose të rregullt. Vërtet, pionierët gjejnë kënaqësi të madhe kur e përdorin me mençuri kohën e tyre. A do të jesh një prej tyre?