BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 12/98 f. 3-4
  • Ndërtoje jetën tënde rreth shërbimit të Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ndërtoje jetën tënde rreth shërbimit të Jehovait
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
  • Material i ngjashëm
  • Të bëjmë një program familjar sa më praktik
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2005
  • Shërbimin si pionier: A mund ta bësh?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
  • Familje, lavdërojeni Perëndinë si pjesë e kongregacionit të tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Si bashkëpunojnë anëtarët e familjes për një pjesëmarrje të plotë në studimin biblik
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1999
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—1998
km 12/98 f. 3-4

Ndërtoje jetën tënde rreth shërbimit të Jehovait

1 Jezui i krahasoi dëgjuesit e tij me dy lloj ndërtuesish. Njëri e ndërtoi udhën e tij të jetës mbi shkëmbin e fortë të bindjes ndaj Krishtit dhe ishte në gjendje t’u rezistonte stuhive të kundërshtimit dhe të mjerimit. Tjetri e ndërtoi në rërën e mosbindjes egoiste dhe nuk qe në gjendje të rezistonte kur filluan presionet. (Mat. 7:24-27) Duke qenë se jetojmë në këtë përfundim të sistemit të gjërave, ne përjetojmë shumë stuhi mjerimi. Në horizont po mblidhen me shpejtësi retë e zeza të mjerimit të madh. A do të durojmë deri në fund me besimin tonë të pacënuar? (Mat. 24:3, 13, 21) Shumë varet edhe nga ajo se si po e ndërtojmë jetën tonë tani. Prandaj, është urgjente të pyesim veten: «A po e ndërtoj në mënyrë të qëndrueshme jetën time të krishterë rreth shërbimit të bindur ndaj Perëndisë?»

2 Çdo të thotë ta ndërtojmë jetën tonë rreth shërbimit të Jehovait? Do të thotë që ta bëjmë Jehovain pikërisht qendrën e jetës sonë. Përfshin përqendrimin në Mbretërinë si interesin tonë kryesor. Kërkon që t’i bindemi Perëndisë në të gjitha aktivitetet e jetës sonë të përditshme. Kërkon që të jepemi me gjithë zemër ndaj studimit të Biblës në bazë personale, familjare dhe në kongregacion, si edhe në shërbimin në fushë, duke i bërë të gjitha këto përparësitë tona. (Ekl. 12:13; Mat. 6:33) Një rrugë e tillë e bindur do të rezultojë në një besim të fortë si shkëmb, i cili nuk do të shembet përballë stuhive të mjerimit që mund të godasin.

3 Është një kënaqësi të shohësh miliona njerëz që ndërtojnë me besim jetën dhe shpresat e tyre për të ardhmen rreth shërbimit të Perëndisë, tamam siç bëri Jezui. (Gjoni 4:34) Ata i përmbahen një programi konsekuent aktivitetesh teokratike dhe si rezultat gëzojnë bekime të pasura. Një nënë shpjegoi se si ajo dhe burri i saj i rritën me sukses dy bijtë e tyre për t’i shërbyer Jehovait: «Ne e mbushëm jetën tonë me të vërtetën, duke shkuar në të gjitha kongreset, duke u përgatitur e duke marrë pjesë në mbledhje dhe duke e bërë shërbimin në fushë një pjesë të rregullt të jetës sonë.» Burri i saj shtoi: «E vërteta nuk është pjesë e jetës sonë, është jeta jonë. Çdo gjë tjetër sillet rreth saj.» A po e vini edhe ju në të njëjtën mënyrë shërbimin e Jehovait si kreun e përparësive në familjen tuaj?

4 Bëj një program javor të zbatueshëm: Organizata e Jehovait na ndihmon që të ndjekim një rutinë të mirë frymore, duke marrë masa për pesë mbledhje në javë. Të krishterët, të cilët po e ndërtojnë jetën e tyre rreth adhurimit të Jehovait, i rregullojnë punët e tyre në botë dhe çështjet familjare në një mënyrë që të marrin pjesë në të gjitha këto mbledhje jetike. Ata nuk lejojnë që çështje, të cilat kanë më pak rëndësi, të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të rregullt.​—Filip. 1:10; Hebr. 10:25.

5 Të krishterët e pjekur e kuptojnë që sa e rëndësishme është të hash ushqim rregullisht në orar çdo ditë, po aq jetike është të bësh një program të përcaktuar mirë për studimin personal dhe familjar, duke përfshirë edhe përgatitjen për mbledhjet. (Mat. 4:4) A mund të lësh mënjanë 15 ose 20 minuta çdo ditë për studimin personal? Çelësi është që të mos i lësh gjërat e tjera të cënojnë kohën e lënë mënjanë për studimin. Bëje një zakon të dobishëm. Kjo mund të të kërkojë që të çohesh në mëngjes më herët se ç’bën zakonisht. Të 17.000 anëtarët e familjes mbarëbotërore të Bethelit ngrihen herët në mëngjes për të trajtuar tekstin e ditës. Sigurisht, ngritja herët në mëngjes kërkon që të shkosh në shtrat në një orë të arsyeshme të mbrëmjes, në mënyrë që ta fillosh ditën tjetër në formë dhe i çlodhur.

6 Nëse je një kryefamiljar, merr iniciativën që të planifikosh dhe të organizosh programin e familjes tënde për aktivitetet teokratike. Disa familje e lexojnë Biblën, Librin vjetor ose ndonjë botim tjetër së bashku, ndërsa çlodhen pasi kanë ngrënë darkën. Shumë prindër, të cilët kanë parë fëmijët e tyre që të rriten e të bëhen të krishterë të fortë frymësisht, thonë se një faktor që ka kontribuar në suksesin e tyre ishte zakoni që familja kishte për të lënë mënjanë një mbrëmje çdo javë, gjatë së cilës ata gëzonin së bashku një kohë frymësisht ndërtuese. Një prej këtyre baballarëve tha: «E kuptoj se zhvillimi frymor i fëmijëve tanë ishte kryesisht për shkak të studimit familjar të rregullt që mbanim çdo të mërkurë në mbrëmje, të filluar rreth 30 vjet më parë.» Që të tre fëmijët e tij u pagëzuan kur ishin në moshë të vogël dhe më vonë që të tre filluan shërbimin e plotkohor. Përveç studimit familjar, së bashku mund të përgatiten prezantimet në shërbim ose pjesët për mbledhjet dhe mund të gëzohen edhe aktivitete të tjera të shëndetshme.

7 A ke ‘blerë kohë’ në programin tënd javor për të predikuar Mbretërinë? (Kolos. 4:5, BR.) Shumica prej nesh kanë një jetë të zënë, duke u kujdesur për përgjegjësitë familjare dhe të kongregacionit. Nëse nuk bëjmë rregullime të përcaktuara mirë për të marrë pjesë çdo javë në veprën e predikimit dhe të mësimit, do të jetë shumë e lehtë që gjërat e tjera t’i zënë vend këtij aktiviteti jetik. Pronari i një ferme të madhe gjedhësh tha: «Rreth vitit 1944 kuptova se mënyra e vetme për të dalë në shërbim ishte të programoja një ditë të caktuar për të. Akoma sot e kësaj dite unë lë mënjanë një ditë gjatë javës për të shkuar në shërbim.» Një plak i krishterë zbuloi se pasja e një programi të përcaktuar mirë për të dhënë dëshmi, e bënte të aftë atë që të arrinte një mesatare pre 15 orësh në muaj në aktivitetin e predikimit. Nëse ai ka ndonjë punë jofetare të shtunën, ai e programon atë pas shërbimit në fushë në mëngjes. A mundesh ti dhe familja jote të programoni të paktën një ditë çdo javë për shërbimin në fushë, duke e bërë këtë pjesë të udhës suaj frymore të jetës?​—Filip. 3:16.

8 Shqyrto rutinën tënde të jetës: Ka gjëra që veprojnë kundër ndërtimit të jetës sonë rreth shërbimit të Jehovait. Rrethana të paparashikuara mund të ndërhyjnë në programin e planifikuar me kujdes të studimit, mbledhjeve dhe shërbimit. Kundërshtari ynë, Satanai, do të bëjë çmos ‘për të na penguar’ dhe për të prishur planet tona. (1. Sel. 2:18; Efes. 6:12, 13) Mos lejo që këto pengesa të të shkurajojnë që të dorëzohesh. Bëj çdo rregullim që është i nevojshëm për të zbatuar aktivitetin teokratik që ke programuar. Për të përmbushur atë çka me të vërtetë ia vlen, është e nevojshme vendosmëria dhe këmbëngulja.

9 Nuk duhet të lejojmë që ndikimi i botës dhe rënia e mishit tonë të papërsosur të futin aktivitete jofrymore, të cilat mund të fillojnë të na harxhojnë gjithnjë e më shumë nga koha dhe vëmendja jonë. Është i nevojshëm një vetëshqyrtim, duke bërë pyetje të tilla, si: «A mos ndoshta jeta ime po bëhet gradualisht e paekuilibruar ose e shpërqendruar? Mos kam filluar ta ndërtoj jetën time rreth gjërave të kësaj bote që po kalojnë? (1. Gjon. 2:15-17) Sa kohë po harxhoj për punët personale, udhëtimet për qejf ose zbavitjet e tjera, duke përfshirë shikimin e televizorit ose ‘gërmimin’ në Internet, në krahasim me kohën që harxhoj në aktivitetet frymore?»

10 Çfarë duhet të bësh nëse kupton se jeta jote po mbytet gjithnjë e më shumë nga aktivitete të panevojshme? Ashtu siç u lut apostulli Pavël që vëllezërit e tij do të «ndreqeshin» ose «do të silleshin në drejtimin e duhur», përse të mos i lutesh Jehovait që të të ndihmojë të përqendrohesh përsëri në shërbimin e tij? (2. Kor. 13:9, 11, shn., BR.) Pastaj ji i vendosur që të jetosh në lartësinë e vendimit tënd dhe të bësh rregullimet e nevojshme. (1. Kor. 9:26, 27) Jehovai do të të ndihmojë që të mos shkosh djathtas ose majtas prej shërbimit të bindur ndaj tij.​—Krahaso Isainë 30:20, 21.

11 Mbahu i zënë në shërbimin e gëzueshëm të Perëndisë: Miliona veta në mënyrë të dëshpërueshme janë në kërkim të lumturisë vetëm për të zbuluar se, ndërsa fundi i jetës afrohet, gjërat materiale që ata i kërkuan kaq etshëm, nuk u kanë sjellë lumturi të qëndrueshme. Ka qenë «një kërkim për të kapur erën». (Ekl. 2:11) Nga ana tjetër, kur ne vazhdojmë ta përqendrojmë jetën tonë te Jehovai, ‘duke e vënë vazhdimisht atë përpara syve tanë’, përjetojmë një kënaqësi të thellë. (Psal. 16:8, 11) Kjo ndodh pasi Jehovai është vetë arsyeja për ekzistencën tonë. (Zbul. 4:11) Pa të, Qëllimtarin Madhështor, jeta nuk ka kuptim. Duke i shërbyer Jehovait ne e mbushim jetën tonë me aktivitete domethënëse e me vlerë, të cilat na sjellin dobi si ne, ashtu edhe të tjerëve, në një mënyrë të qëndrueshme, po, në një mënyrë të përhershme.

12 Është e rëndësishme të mos vetëkënaqemi dhe të mos humbim ndjenjën tonë të urgjencës në lidhje me fundin e botës së Satanait që po afrohet me shpejtësi. Mënyra jonë e përditshme e të jetuarit ndikohet nga pikëpamja jonë për të ardhmen. Njerëzit në ditët e Noes, të cilët nuk besuan se do të kishte një përmbytje globale, «nuk ia vunë veshin», duke e përqendruar jetën e tyre të përditshme në punët e tyre personale, duke ngrënë, duke pirë dhe duke u martuar, derisa përmbytja «i fshiu tej të gjithë». (Mat. 24:37-39, BR.) Sot, ata që e përqendrojnë jetën e tyre në këtë botë do të shohin perspektivat e tyre për të ardhmen të shpërbëhen përpara tyre në shkatërrimin më të madh që njeriu ka përjetuar ndonjëherë, «ditën e Jehovait».​—2. Pjet. 3:10-12, BR.

13 Vazhdo, pra, të ndërtosh jetën tënde rreth Perëndisë së gjallë, Jehovait dhe bërjes së vullnetit të tij. Nuk ka asnjë investim, të cilin ti mund ta bësh në këtë jetë që të ketë një Garant aq të besueshëm sa Jehovai. Ai nuk mund të gënjejë, ai do t’i qëndrojë besnik premtimeve të veta. (Titit 1:2) Ai nuk mund të vdesë, asgjë që i lëmë Jehovait nuk humbet. (Hab. 1:12; 2. Tim. 1:12) Jeta që tani jemi duke ndërtuar në bindje dhe në besim, është vetëm fillimi i një jete që do të zgjatë përjetësisht në shërbimin e gëzueshëm të Perëndisë tonë të lumtur!​—1. Tim. 1:11; 6:19.

[Diçitura në faqen 3]

«E vërteta nuk është pjesë e jetës sonë, është jeta jonë. Çdo gjë tjetër sillet rreth saj.»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo