T’i dëshmojmë «çdo lloj njeriu»
1 Kur takojmë njerëz të kulturave apo prejardhjeve të ndryshme fetare, kujtojmë se vullneti i Jehovait është «që çdo lloj njeriu duhet të shpëtohet dhe të arrijë një njohuri të saktë të së vërtetës». (1. Tim. 2:4, BR) Përveç një numri fletushkash dhe broshurash të përgatitura në një mënyrë të veçantë, kemi dy botime të shkëlqyera, që mund të përdoren në çdo rast për të ndihmuar individë, edukimi fetar i të cilëve nuk u ka mësuar të vërtetën mbi Perëndinë dhe Krishtin.
2 Broshura Koha për nënshtrimin e vërtetë ndaj Perëndisë, duke marrë parasysh besimet e myslimanëve, mund t’i ndihmojë ata që të bëjnë një krahasim midis besimit të tyre dhe asaj që Bibla mëson mbi Perëndinë e vetëm e të vërtetë. Nga ana tjetër, libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, mund ta ndihmojë një person që të tërhiqet drejt të vërtetave biblike dhe mësimeve të Jezuit, siç ndodhi me shumë njerëz në shekullin e parë. (Gjoni 12:32) Sa herë që është e përshtatshme, mund të provosh sugjerimet e mëposhtme për të prezantuar këto botime.
3 Nëse mendon se është mirë t’i ofrosh dikujt librin «Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë», mund të pyesësh:
◼ «Çfarë të vjen ndër mend kur mendon për Jezu Krishtin? [Lëre të përgjigjet.] Shumë historianë e njohin Jezuin si njeriun më të madh që ka jetuar ndonjëherë.» Hape librin Të jetosh përgjithmonë, në faqen 57 dhe lexo paragrafin 1. Nëse pronari i shtëpisë ka interes të mësojë rreth Jezuit, ofro librin. Përpara se të largohesh, lexo Gjonin 17:3 dhe bëj pyetjen: «Si mund ta fitojmë këtë njohuri që të çon në jetën e përhershme?» Përcakto qartë se kur do të kthehesh për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
4 Kur të rikthehesh për të shpjeguar se si të fitojmë njohurinë jetëdhënëse, mund të thuash:
◼ «Ju premtova se do të kthehesha për t’ju treguar se si mund ta fitojmë njohurinë që të çon në jetën e përhershme.» Prezanto librin Njohuria dhe duke përdorur kapitullin e parë, trego se si mund të bëhet një studim.
5 Nëse dëshiron të ofrosh broshurën «Koha për nënshtrimin e vërtetë ndaj Perëndisë» mund të bësh pyetjen:
◼ «Me kaq shumë fe të ndryshme sot, a e keni pyetur ndonjëherë veten se si mund të përcaktojmë se cila fe është e aprovuar nga Perëndia?» Pas përgjigjes, hape broshurën Koha për nënshtrimin e vërtetë ndaj Perëndisë, në faqen 18. Thekso pika të zgjedhura nga paragrafët 1 dhe 2. Trego që në paragrafët 3 deri 5 citohen tri shkrime të marrë nga Tevrati, Zeburi dhe Inxhili, që përbëjnë një pjesë të Biblës. Nëse ka interes të sinqertë ofroji broshurën. Kur të largohesh, mund të pyesësh: «Si duhet të ndikojë feja e vërtetë në sjelljen e një personi?» Rregullo një rivizitë për t’iu përgjigjur pyetjes.
6 Kur rikthehesh për të shpjeguar se si ndikon feja e vërtetë në jetën e një personi, mund të pyesësh:
◼ «Si mendoni ju se duhet të ndikojë feja në jetën e një personi? [Lëre të përgjigjet.] Krishti na dha një standard sipas të cilit duhet vlerësuar feja.» Lexo Mateun 7:17-20. Pastaj, arsyeto me pronarin e shtëpisë mbi informacionet që gjenden në paragrafët 10-12 në faqet 11-12 të broshurës, Koha për nënshtrimin e vërtetë ndaj Perëndisë. Kjo mund të çojë në fillimin e një studimi ose me broshurën Çfarë kërkon? ose me librin Njohuria.
7 Fillues bisedash: Ka shumë mësime ndihmëse në librin Ti mund të jetosh që mund të përdoren si fillues bisedash në vizitën e parë ose gjatë rivizitës. Mund ta fillosh një bisedë thjesht, duke bërë një pyetje të përshtatshme. Për shembull, vëre këto pyetje dhe tema si edhe faqet ku ato gjenden:
«Perëndia: Kush është ai?»—faqe 34.
«A është Bibla me të vërtetë prej Perëndisë?»—faqe 47.
«Jezu Krishti: I dërguar nga Perëndia?»—faqe 57.
«Çfarë ndodh kur vdes?»—faqe 76.
«Përse e ka lejuar Perëndia ligësinë?»—faqe 99.
«Identifikimi i fesë së vërtetë»—faqe 184.
8 Mund të kthehesh në faqet e zgjedhura në librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe të shpjegosh pikën që po diskutohet. Pastaj, rregullo një rivizitë duke bërë një pyetje që lidhet me argumentin, së cilës mund t’i jepet përgjigje si me broshurën Çfarë kërkon?, ashtu dhe me librin Njohuria. Sigurohu që ta ftosh pronarin e shtëpisë në mbledhjen publike. Jepu individëve mundësinë për të kontribuar për veprën tonë, ndoshta duke thënë: «Disave u pëlqen të bëjnë një kontribut të vogël për veprën tonë mbarëbotërore.»
9 Çdo lloj njeriu i sinqertë po kërkon të vërtetën rreth Perëndisë dhe Krishtit. Ne mund t’i ndihmojmë ata me veprën tonë të dëshmisë. Kështu, pra, le të vazhdojmë «të punojmë pa u lodhur dhe ta ushtrojmë veten tonë, sepse e kemi vënë shpresën tonë në një Perëndi të gjallë, që është Shpëtuesi i çdo lloj njeriu»!—1. Tim. 4:10, BR.