Na merr malli për ty!
1 Kohë pas kohe ne mund të mungojmë në një apo më shumë mbledhje të kongregacionit, duke menduar se ‘asnjë nuk do ta marrë malli për mua; ata as nuk do ta vënë re se nuk jam atje’. Kjo nuk është e vërtetë! Si çdo gjymtyrë e trupit tonë fizik, secili nga ne luan një rol jetësor në funksionimin e kongregacionit. (1. Kor. 12:12) Mungesa jonë në një mbledhje javore mund të ndikojë mbi mirëqenien frymore të të tjerëve që marrin pjesë në të. Nëse ti nuk je atje, të jesh i sigurt: na merr malli për ty!
2 Roli jetësor që ti luan: Pavli dëshironte me zjarr të shoqërohej me vëllezërit e tij. Romakëve 1:11, 12 shpjegon përse: «Që të mund t’ju jap ndonjë dhuratë frymore . . . që të mund të ketë një shkëmbim inkurajimi mes jush nga ana e secilit përmes besimit të tjetrit, si tuajit, edhe timit.» (BR) Në mënyrë të ngjashme, me komentet tona, me pjesët tona në mbledhje dhe me vetë praninë tonë atje, ne bëjmë shumë për të ndërtuar njëri-tjetrin, që të vazhdojmë në një rrugë besimplote.—1. Sel. 5:11.
3 A nuk pret me padurim për të parë të tjerët në kongregacion? Ti dëgjon me kujdes komentet e tyre dhe çmon shprehjet e tyre të besimit. Dhuratat e tyre frymore kontribuojnë në ndërtimin tënd. Nëse ata nuk do të ishin të pranishëm në mbledhje, ti do të ndieje se mungonte diçka e rëndësishme. Vëllezërit dhe motrat e tua ndihen në të njëjtën mënyrë për ty nëse ti nuk je i pranishëm.
4 Roli jetësor që luajnë mbledhjet: Kulla e Rojës një herë komentoi mbi faktin se sa jetësore janë mbledhjet për mbijetesën tonë frymore, duke thënë: «Në këtë botë imorale, të copëtuar nga luftërat, kongregacioni i krishterë është një strehim i vërtetë frymor . . . , një liman paqeje dhe dashurie. Prandaj, ji një pjesëmarrës i rregullt në të gjitha mbledhjet e tij.» (w93 15/8 11, angl.) Çdo ditë, ne përballohemi me situata që na bëjnë të shterojmë frymësisht. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të bëhemi kaq të përqendruar në ankthet tona, saqë mund të humbim nga sytë interesat më të rëndësishme frymore. Të gjithë ne varemi nga njëri-tjetri për inkurajimin që na nevojitet, me qëllim që të mbetemi të bashkuar dhe të zellshëm në shërbimin e Perëndisë.—Hebr. 10:24, 25.
5 Prania jonë në mbledhje është jetësore. Sëmundjet apo ngjarjet e paparashikuara mund të na mbajnë larg në ndonjë rast. Përndryshe, qofshim të vendosur për t’u përfshirë gjithnjë midis turmave të mbledhura, të cilat lavdërojnë Jehovain së bashku!—Psal. 26:12.