Sjellja e krishterë në shkollë
1 Nëse je një i ri i krishterë që shkon akoma në shkollë, ti duhet të forcosh besimin në mënyrë që të mbash integritetin. Po ekspozohesh ndaj shoqërive të këqija dhe situatave që mund të vënë në provë besimin tënd. Është me rëndësi të zbatohet këshilla e Pjetrit për «të mbajtur një sjellje të mirë në mes të kombeve, që . . . ata për shkak të veprave tuaja të mira ndaj të cilave kanë qenë dëshmitarë okularë, të mund të lavdërojnë Perëndinë». (1. Pjetr. 2:12, BR) Ke nevojë për kurajë dhe vendosmëri për t’u ballafaquar me këtë sfidë.
2 Brenda ose jashtë shkollës, ti je i bombarduar nga ndikimet njollosëse të marrëdhënieve seksuale paramartesore, të të folurit të pahijshëm, duhanit dhe abuzimit të drogës. Çdo ditë, ti ballafaqohesh me tundime që rrezikojnë për të shkatërruar namin që ke për një sjellje të mirë. Si i rritur, ti duhet «të bësh një luftë të fortë për besimin» nëse dëshiron të qëndrosh në prova të tilla.—Juda 3, BR; shiko Kullën e Rojës të 15 korrikut 1991, faqet 23-26, (angl.).
3 Në shkollë, bëhen ceremoni patriotike dhe festa botërore. A e di ti se çfarë festash kombëtare dhe fetare bëhen në shkollën tënde? Nëse lind një situatë sfiduese, a mund ‘të kesh një ndërgjegje të mirë, që . . . të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tënde të mirë’?—1. Pjetr. 3:16.
4 Mund të jesh i tunduar nga joshja e veprimtarive sportive të shkollës apo grumbullimeve shoqërore. Duhet të jesh zgjuar për të ditur se si këto aktivitete në dukje të gëzueshme mund të rrezikojnë besimin tënd. Është e nevojshme të zgjedhësh për shoqëri ata me të cilët mund të gëzosh një «shkëmbim inkurajimi», që cilido të ndërtohet përmes besimit të të tjerëve.—Rom. 1:12, BR.
5 Ti mund të qëndrosh me ndihmën e Jehovait: Satanai po e provon në mënyrë të vazhdueshme besimin tënd. Provat që ti duhet të durosh mund të jenë të ashpra, por për shpërblimet ia vlen barra qiranë. (1. Pjetr. 1:6, 7) Nuk mund të qëndrosh me sukses i vetëm; ti duhet të mbështetesh tek Jehovai për ndihmë. Jezui i nxiti dishepujt e tij: «Rrini zgjuar dhe lutuni vazhdimisht, që të mos bini në tundim.» (Mat. 26:41, BR) Disiplina dhe vetëkontrolli janë jetësore.—1. Kor. 9:27.
6 Kujto gjithmonë se ti do t’i japësh llogari Jehovait për sjelljen tënde. (Eklis. 11:9) Edhe pse gjërat që ti mendon nuk mund të vërehen nga të tjerët, Jehovai është në dijeni të asaj që ti bën dhe do të të gjykojë. (Hebr. 4:13) Një dëshirë e sinqertë për t’i pëlqyer atij duhet të të nxitë për të ‘punuar për shpëtimin tënd me frikë dhe me dridhje’. (Filip. 2:12) Leximi i përditshëm i Fjalës së Perëndisë është një ndihmë e madhe. Ajo është plot me këshilla të shkëlqyera dhe shembuj të mirë për t’u imituar.—Hebr. 12:1-3.
7 Prindër, ju luani një rol të rëndësishëm. Ju duhet të mbikëqyrni fëmijët tuaj, të jeni në dijeni të problemeve që ata përballojnë dhe t’i ndihmoni kur është e nevojshme. A keni një marrëdhënie të mirë me fëmijët tuaj? A keni ngulitur tek ata një kuptueshmëri të çmuar për ligjet dhe parimet e Perëndisë? Kur ballafaqohen me shtypje apo tundime, a janë fëmijët tuaj të fortë apo dorëzohen lehtë? A shkurajohen për shkak se duhet të jenë të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tyre? Si prindër, ju keni përgjegjësinë për t’i ndihmuar ata. (Li. përt. 6:6, 7) Nëse e bëni mirë punën tuaj, mund t’i ndihmoni ata të jenë fitimtarë në luftën për besimin.—Prov. 22:6.