«Të kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»
1 Gjatë muajve prill dhe maj, me siguri do të kemi një program të mbushur me aktivitete teokratike! Më 14 prill, do të festojmë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Për këtë ngjarje të rëndësishme, duhen nxitur sa më shumë njerëz që është e mundur për të qenë të pranishëm: të njohur në punë, të afërm jobesimtarë, shokë shkolle, persona të rinj të interesuar dhe studentët e Biblës. Bëj një listë të atyre që mendon të ftosh, në mënyrë që asnjë të mos mungojë.
2 Javën që pason, do të inkurajojmë të gjithë ata që ndoqën Përkujtimin, që më 23 prill, të dëgjojnë fjalimin publik special me temë «Fundi i fesë së rreme është afër». Shpresohet që shumica e të interesuarve që kanë dëgjuar këtë mesazh të drejtpërdrejtë, të ndiejnë nevojën për t’u shoqëruar me kongregacionin mbi një bazë të rregullt dhe jo vetëm në rastet speciale.
3 Do të prezantohet fletushka speciale Lajmërim i Mbretërisë: Një moment i rëndësishëm i mbledhjes në 23 prill, do të jetë prezantimi i fletushkës katër faqëshe Lajmërim i Mbretërisë Nr. 34, e cila do të shpërndahet në një masë të madhe deri në 14 maj. A nuk mendon edhe ti se do të ketë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë» gjatë këtij sezoni të Përkujtimit?—1. Kor. 15:58, BR.
4 Çdo kongregacioni do t’i dërgohet një sasi me fletushkat Lajmërim i Mbretërisë. Kutitë e kartonit që përmbajnë fletushkat Lajmërim i Mbretërisë, duhen depozituar në një vend të mbrojtur dhe nuk duhen hapur deri në përfundimin e programit më 23 prill. Në atë moment, fletushka Lajmërim i Mbretërisë do të jetë në dispozicion për t’iu shpërndarë vëllezërve dhe publikut. Në përfundim të mbledhjeve të kongregacionit, asamblesë qarkore, ose programeve të asamblesë speciale njëditore, më 23 prill secili pjesëmarrës do të marrë një kopje, që kështu të mund të njihet me përmbajtjen e saj dhe të jetë i aftë për shpërndarjen e saj.
5 Pleqtë do të kenë shumë për të bërë: Në fillim të këtij muaji, trupi i pleqve duhet të takohet për të diskutuar hollësira mbi fushatën speciale. Kongregacionet duhet të përpiqen të mbulojnë të gjithë territorin që u është caktuar. Përpara mbarimit të fushatës, bëni përpjekje të veçanta për të mbuluar ato territore që nuk kanë qenë mbuluar në gjashtë muajt e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e veprës, ne duhet të lëmë mënjanë sa më shumë kohë që të jetë e mundur për shërbim. Pa dyshim, më shumë lajmëtarë se zakonisht do të kërkojnë të shërbejnë si pionierë ndihmës. Ka mundësi që shumë studentë të Biblës të bashkohen me ne si lajmëtarë të rinj të aprovuar, por të papagëzuar. Ç’kohë e këndshme do të jetë ndërsa punojmë së bashku në veprën e Zotërisë!
6 Drejtuesit e librit të kongregacionit, duhet të bëjnë përgatitjet e duhura për dëshminë në grup të shtunave dhe të dielave. Secili duhet inkurajuar që të marrë pjesë në mënyrë aktive. Përveç aktivitetit të fundjavës, gjatë fushatës, duhet programuar të paktën një herë në javë, dëshmia në mbrëmje. Disa mund të duan të takohen për shërbim pas punës për t’iu përshtatur studentëve që do të donin të merrnin pjesë në një mënyrë të veçantë.
7 Mbledhjet për shërbimin në fushë, duhen programuar në atë mënyrë që lajmëtarët dhe pionierët të mund ta fillojnë shpejt shërbimin çdo ditë. Këto mbledhje duhet të jenë të shkurtra. Secili duhet të përgatisë një prezantim të thjeshtë të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë. Mbledhjet e shërbimit të pasdites, mund të përfshijnë një ose dy sugjerime për bërjen e rivizitave atyre personave që e kanë pranuar këtë fletushkë. Megjithatë, disa lajmëtarë mund të preferojnë të merren me shpërndarjen si në mëngjes ashtu edhe pasdite. Së fundi, mbikëqyrësi i shërbimit duhet të sigurohet se në dispozicion është një sasi e mjaftueshme territori. Emri dhe adresa e kujtdo që tregon interes, duhen shënuar mbi fletën e regjistrimit të shërbimit shtëpi më shtëpi. Pikat kryesore të bisedës së shkurtër, mund të përfshihen në kolonën e vërejtjeve. Kjo do t’i hapë rrugën një rivizite më vonë gjatë javës ose muajit.
8 Nëse një kongregacion ndihmon një tjetër për të mbuluar territorin e tij, emrat dhe adresat e personave të interesuar, i duhen kthyer kongregacionit të cilit i takon ky territor.
9 Prindër, a po bëjnë fëmijët tuaj përpjekje për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar? Është vënë re se fëmijë të sjellshëm, i kanë shoqëruar prindërit e tyre të dedikuar në shërbim për një numër vitesh dhe kanë provuar të jenë të efektshëm, megjithëse akoma nuk janë lajmëtarë të lajmit të mirë. Prindërit duhet të shqyrtojnë nëse në të vërtetë fëmijët e tyre po kualifikohen për këtë privilegj. Dy pleq mund të diskutojnë të gjithë faktorët me kryetarin e familjes dhe të vendosin nëse fëmija mund të konsiderohet si një lajmëtar i papagëzuar.—om p. 99-100 angl.
10 A ka ndonjë lajmëtar në territorin e kongregacionit tuaj, që s’është më aktiv në ofrimin e sakrificës për lavdërimin e Jehovait? (Hebr. 13:15) Disa që janë joaktivë, mund të jenë mposhtur nga shkurajimi apo shqetësimet e jetës, megjithëse vazhdojnë t’u përmbahen standardeve morale të Biblës. Një vizitë miqësore nga njëri prej pleqve, mund t’i nxisë ata që të kthehen në shoqërimin e rregullt me kongregacionin dhe brenda një kohe të përshtatshme të përtërijnë aktivitetin në shërbim.
11 Të gjithë që kualifikohen mund të marrin pjesë në këtë vepër të gëzueshme: Disa nga ju fëmijë dhe adoleshentë, a e keni të vështirë të merrni pjesë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Ç’mund të themi për ju që jeni të rinj në të vërtetën e që keni një përvojë mjaft të kufizuar në veprën e predikimit? Ju do të gjeni më shumë kënaqësi duke punuar me këtë fletushkë speciale Lajmërim i Mbretërisë! E gjitha që kërkohet është një prezantim i thjeshtë.
Mund të thuash diçka të ngjashme me këtë:
◼ «Këtë muaj, ne po përhapim një mesazh të rëndësishëm në 232 vende të botës. Mesazhi është i rëndësishëm, sepse na jep një arsye të fortë për të besuar se ekziston një zgjidhje për problemet me të cilat ndeshemi sot. Do të na pëlqente që edhe ju të keni kopjen tuaj personale.»
Ose mund të provosh këtë:
◼ «Këtë muaj, rreth pesë milion vullnetarë po shpërndajnë një mesazh të rëndësishëm në shumë gjuhë. Ky mesazh është përgatitur për njerëz që do të donin të shihnin fundin e problemeve që të gjithë i ndeshim sot. Kjo është kopja juaj personale.»
Ky prezantim i thjeshtë mund të jetë i përshtatshëm për ty:
◼ «Ne po inkurajojmë çdo person për të lexuar këtë mesazh të rëndësishëm të titulluar [lexo titullin e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë]. Vëre se çfarë thuhet në faqen 2 në lidhje me rritjen e problemeve . . . [lexo fjali të zgjedhura nga fletushka Lajmërim i Mbretërisë]. Jemi të sigurt se do t’ju pëlqejë të lexoni pjesën tjetër të këtij mesazhi të kohës. Kjo kopje është për ju.»
12 Trego interes personal ndaj çdo personi që pranon fletushkën Lajmërim i Mbretërisë. Fol ngadalë dhe qartë; nuk është e nevojshme të nxitosh gjatë prezantimit tënd. Ne duam të jemi të plotë në mbulimin e territorit tonë dhe të shohim nëse të gjithë personave që kanë treguar interes në leximin e fletushkës, u është dhënë një kopje personale. Nëse në shtëpi nuk ndodhet njeri, shëno me kujdes në fletën tënde të regjistrimeve nga shtëpia në shtëpi, që të mund të kthehesh në kohën e përshtatshme për t’i ofruar pronarit të shtëpisë kopjen e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë. Kjo fletushkë mund të përdoret në dëshminë në rrugë, kur ndonjë individ tregon interes gjatë leximit të materialit. Kopjet nuk duhen shpërndarë në mënyrë të pakujdesshme si të ishin shpallje. Në vend të kësaj, afroju kalimtarëve dhe shpjegoju rëndësinë e mesazhit që paraqitet. Përdore fletushkën Lajmërim i Mbretërisë, në dëshminë joformale si p.sh. gjatë një udhëtimi, ose kur u dëshmon kolegëve të punës gjatë pushimit të drekës. Ata që janë invalidë ose në njëfarë mënyre të pamundur, mund t’ua ofrojnë ato vizitorëve, mjekëve dhe infermierëve, shitësve dhe personave të tjerë që vijnë në shtëpinë e tyre.
13 Sa rivizita do të bësh gjatë fushatës? Pa dyshim shumë, pasi të gjithë ata që kanë treguar interes ndaj fletushkës, duhen rivizituar. Në takimin e parë, është mirë të paraqitet vetëm fletushka Lajmërim i Mbretërisë. Pastaj kur të kthehesh, bëj disa komente se përse mesazhi i kësaj fletushke është në kohën e duhur. Dëgjo me kujdes ndërsa pronari i shtëpisë shpreh opinionin e tij mbi atë që ka lexuar. Komentet e tij mund të të ndihmojnë të dish se çfarë të ofrosh nga revistat e fundit dhe ndoshta se si të përgatitesh për bisedat e tjera. Nëse merr një përgjigje të favorshme, në vizitën tjetër përpiqu të fillosh një studim biblik.—1. Kor. 3:6, 7.
14 «Mundi juaj nuk është i kotë»: A do të jetë e vlefshme e gjithë kjo punë? Pavli i siguroi korintasit: «Mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.» (1. Kor. 15:58) Gjatë viteve, përpjekjet për të shpërndarë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë, kanë qenë mjaft të bekuara. Një çift që ishte vendosur në një apartament të zbrazur, gjeti një kopje të vjetër të fletushkës në sirtar. Ishte e vetmja gjë e lënë në të gjithë apartamentin. Pasi e lexuan atë, u takuan me kongregacionin lokal dhe kërkuan një studim biblik. Filluan të ndjekin të gjitha mbledhjet dhe më vonë shprehën dëshirën për t’u pagëzuar. Ndoshta një kopje që mund të lësh, mund të sjellë rezultate të ngjashme!—km 11/74 p. 1, angl; shiko gjithashtu Zgjohuni!, 8 nëntor 1976, faqe 15, angl.
15 Kemi një detyrë të jashtëzakonshme përpara. Qëllimi ynë është që secili kongregacion të mbulojë territorin që i është caktuar deri më 14 maj ose deri në fund të muajit, nëse është e nevojshme që të zgjatet koha për shpërndarjen e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë. Furnizimet janë bërë në mënyrë të tillë që çdo pionier ndihmës dhe i rregullt, të mund të marrë 250 kopje të kësaj fletushke. Secili lajmëtar i kongregacionit mund të marrë një sasi prej 50 kopjesh. Lajmëtarët dhe pionierët, nuk duhet të marrin më shumë kopje nga ç’mund të shpërndajnë dhe pjesën e mbetur duhet ta rikthejnë që të mund ta përdorin të tjerët. Një bashkëpunim i mirë në lidhje me këtë, do të sigurojë një shpërndarje maksimale të këtij mesazhi të rëndësishëm. Nëse për shkak të territorit të madh që u është caktuar, disa kongregacione nuk kanë mundur ta mbulojnë atë deri në mes të majit dhe kopjet janë akoma në dispozicion, do të jetë praktike të ftohet për ndihmë kongregacioni fqinj. Në kongregacionet e tjera, nevojat në vend mund të plotësohen nëse lajmëtarët e rrisin aktivitetin e tyre duke u regjistruar si pionierë ndihmës ose duke u angazhuar më shpesh në shërbim.
16 Devotshmëria me gjithë shpirt ndaj Jehovait, kërkon që të vazhdojmë të përmbushim veprën tonë. (Kol. 3:23) Këtu është e përfshirë vetë jeta e tyre. Njerëzit nuk janë në gjendje të injorojnë domethënien e kushteve botërore sot. Kohës së sotme po i vjen fundi. Ata duhet të ballafaqohen me faktin se njerëzit nuk e kanë zgjidhjen për problemet e kësaj bote. Perëndia po. Ata që duan të fitojnë bekimin e Perëndisë duhet të veprojnë me vendosmëri, pa vonuar, në harmoni me kërkesat e tij.
17 Pas përfundimit të fushatës speciale më 14 maj, a do ta ngadalësojmë aktivitetin tonë? Jo! Ne do të vazhdojmë të jemi të zënë në harmoni me këshillën e frymëzuar të Pavlit.