Kthehemi përsëri në shkollë
1 Në muajin shtator të rinjtë tanë fillojnë vitin e ri shkollor. Gjëra të gëzuara priten, por ekzistojnë edhe ca çështje që mund të shkaktojnë shqetësim. Shumë të rinj do të caktohen me mësues të ndryshëm, do të regjistrohen në kurse të reja dhe do të lidhin shoqëri me studentë të panjohur. Të rinjtë tanë dëshirojnë të bashkëpunojnë me autoritetet e shkollës dhe të jenë të afërt me shokët e tyre studentë, por ata duhet të mbajnë në mendje se është e nevojshme të ruhen nga çdo gjë që mund të jetë frymësisht e dëmshme.—1. Kor. 15:33.
2 Një shqetësim i madh për fëmijët dhe të rinjtë Dëshmitarë, është shmangia nga ndikimi njollosës i botës, i cili përshkon sot sistemet edukative të shumë vendeve. Të krishterët e rinj dhe të rritur, duhet të kenë kurajo për të hedhur tej standardet dhe të menduarit e botës, që tani po përkrahen edhe në lidhje me çështjet morale dhe duhet të «ruhen» duke u konsultuar dhe duke qenë të udhëhequr nga Fjala e Jehovait. (Psal. 119:9) Prindërit e shqetësuar duhet të informohen në lidhje me atë që është përfshirë në programin shkollor, për t’u dhënë drejtimin e përshtatshëm fëmijëve të tyre. Nëse ajo që mësohet në shkollë apo diku tjetër bie në kundërshtim me shenjtërinë dhe dëlirësinë e kërkuar nga shërbëtorët e Jehovait, duhet të shmanget.—1. Pjetr. 1:15, 16.
3 Gjithashtu, është pothuajse e zakonshme të ndeshen çështje që përfshijnë ceremoni nacionaliste, kremtime festash, veprimtari sportive apo grumbullime shoqërore. Mund të përdoren botime të ndryshme për të ndihmuar të rinjtë e krishterë në lidhje me këto gjëra. Ka shumë mundësi që situatat e vështira të kalohen ose të zvogëlohen, kur prindërit e fëmijëve të rinj marrin iniciativën për t’u ofruar mësuesve një kopje të këtyre botimeve. Ata mund të shpjegojnë se ai botim mund të ndihmojë mësuesin të kuptojë se përse Dëshmitarët e Jehovait zgjedhin që të mos marrin pjesë në disa veprimtari. Duke e vënë në dijeni mësuesin mbi këtë informacion, mund të kontribuojmë shumë në lidhje me krijimin e një fryme bashkëpunimi.
4 Përveç kësaj, do të jetë mirë për studentët e krishterë, që bashkë me materialet e tyre të studimit të shkollës, të mbajnë me vete edhe një kopje personale të këtyre botimeve. Shpeshherë paraqiten raste për t’u dhënë dëshmi studentëve të tjerë, që bëjnë pyetje kur përqendrojnë vëmendjen në ato që ne besojmë. Gjithashtu, fëmijët Dëshmitarë duhet të mbajnë personalisht gjatë gjithë kohës, kartën Deklaratë/Shfajësim Mjekësor i Mëparshëm ose Kartën e Identitetit e cila është e datuar, e dëshmuar si duhet dhe e firmosur. Ai që e aplikon këtë paralajmërim do të jetë me siguri si ‘njeriu i matur i cili e shikon të keqen dhe fshihet’.—Prov. 22:3, Dio.