Kthehu për të ndihmuar njerëzit që të mësojnë se si mund të jetojnë përgjithmonë
1 Libri Të jetosh përgjithmonë, që kur u botua, është shtypur në më shumë se 65 milion kopje në 115 gjuhë. Shumë persona që tani janë shërbëtorë të Jehovait i kanë mësuar të vërtetat themelore biblike në saje të këtij mjeti të shkëlqyer. Këtë muaj dhe në muajin e ardhshëm do të kemi mundësi ta shpërndajmë këtë botim për studim biblik ose ndoshta do të takojmë në territor njerëz që tashmë e kanë.
2 Duke rivizituar ata që e kanë librin: Disa lajmëtarë arrijnë rezultate të mira duke i treguar personit të interesuar treguesin e librit dhe duke e pyetur se cili argument i intereson më shumë. Kur i zoti i shtëpisë ka zgjedhur një subjekt, sugjeroji që ta lexojë atë kapitull para vizitës së ardhshme.
3 Sa herë që të jetë e mundur duhet të lëmë një takim të saktë për t’u kthyer. Para se të bëjmë rivizitën duhet të përgatitemi për të trajtuar disa paragrafë nga kapitulli që ka zgjedhur i zoti i shtëpisë. Nëse nuk ka pasur ndonjë preferencë mund të fillohet nga kapitulli 1. Pasi të kemi konsideruar disa paragrafë, është mirë të bëjmë një pyetje së cilës i jepet përgjigje në paragrafët që vijojnë. Ajo do të shërbejë si pikë lidhjeje në vizitën e ardhshme për të vazhduar studimin e librit Të jetosh përgjithmonë.
4 Natyrisht, nëse i zoti i shtëpisë ka pyetje, është mirë të konsiderojmë më parë ato. Ka shumë mundësi që libri t’u përgjigjet atyre. Duke e njohur mirë përmbajtjen mund ta hapim librin në paragrafët e përshtatshëm dhe të përdorim atë material për t’iu përgjigjur pyetjeve që ka bërë personi.
5 Duke i bërë rivizita atyre që u kemi lënë një fletushkë: Ta zëmë se i kemi lënë të zotit të shtëpisë fletushkën Jeta në botën e re dhe paqedashëse. Gjatë rivizitës mund të trajtojmë paragrafët e parë të fletushkës.
Nëse i zoti i shtëpisë tregon interes të vërtetë, kur të arrijmë në fund të paragrafit të parë në faqen 3, i cili citon Psalmin 37:29, mund të themi:
◼ «Këto fjalë vënë në dukje atë çka trajtohet në këtë botim, Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Vërej këtë mendim në paragrafin 3 të kapitullit 1, në nëntitullin ‘Përse mund të besosh’.» Kështu mund të lexojmë paragrafin 3, të bëjmë pyetjen e shënuar poshtë dhe të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë me paragrafët 4 dhe 5. Pastaj mund të pyesim: «Përse është kaq i ndryshëm realiteti i sotëm nga ai që kishte premtuar Perëndia? Paragrafët e mëtejshëm e shpjegojnë këtë dhe do të kisha dëshirë të kthehesha javën që vjen në të njëjtën orë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.» Në këtë pikë, nëse i zoti i shtëpisë tregon interes të vërtetë, mund t’i ofrojmë librin. Ose mund të vendosim që t’ia ofrojmë në fund të bisedës së ardhshme.
6 Për të ofruar librin «Të jetosh përgjithmonë» mund të thuash:
◼ «Jam i sigurt se do të jeni i gëzuar po të keni një kopje personale të këtij libri. Kështu mund ta lexoni që më parë dhe mund të nxirrni më tepër dobi nga biseda jonë e ardhshme.» Nëse personi e pranon librin, mund t’i themi: «Kjo vepër mbështetet me anë të kontributeve vullnetare, nëse dëshironi të kontribuoni për veprën botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, mund ta bëni.»
7 Të rivizitosh njerëzit për t’i ndihmuar që të kuptojnë se si mund të jetojnë përgjithmonë është një vepër shumë e rëndësishme. Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që t’u mësonin të tjerëve atë që u ishte mësuar atyre. T’i lutemi Jehovait që të dërgojë më shumë punëtorë. Ndërkohë, të bëjmë pjesën tonë për të gjetur të interesuarit dhe për t’i mësuar ata që të bëhen bashkëpunëtorë në të korra.—Mat. 9:37; 28:19, 20.