Në cilat mënyra na e shpreh dashurinë Jehovai?
‘Shihni ç’dashuri na dha Ati!’—1 GJON. 3:1.
1. Për çfarë na nxit të mendojmë apostulli Gjon, dhe pse?
IA VLEN t’i bluajmë në mend me mirënjohje fjalët te 1 Gjonit 3:1. Kur thotë «shihni ç’dashuri na dha Ati», apostulli Gjon na nxit të mendojmë ç’lloj dashurie ka Perëndia për ne, deri ku shkon dashuria e tij dhe në ç’mënyra na e shpreh. Po t’i kuptojmë këto aspekte të dashurisë së Jehovait, pa dyshim do të na thellohet dashuria për të e do të na forcohet miqësia me të.
2. Pse disa e kanë të vështirë ta konceptojnë se Perëndia i do?
2 Mirëpo disave u duket i huaj koncepti që Perëndia t’i dojë njerëzit. Mendojnë se Perëndinë thjesht duhet ta kemi frikë e t’i bindemi. Ose ndoshta, për shkak të disa mësimeve të rreme të ngulitura thellë, besojnë se Perëndia s’ka pikë dashurie, e madje se është e pamundur ta duash. Nga ana tjetër, ka nga ata që besojnë se Perëndia i do pa kushte, pavarësisht nga çfarë bëjnë ose nuk bëjnë. Falë studimit të Biblës, ti ke mësuar se dashuria është cilësia kryesore e Jehovait dhe se ajo e nxiti të jepte Birin e vet si shpërblesë për ne. (Gjoni 3:16; 1 Gjon. 4:8) Por nga mënyra si je rritur dhe ambienti ku ke jetuar, mbase e ke të vështirë ta konceptosh sa shumë të do Jehovai.
3. Cila e vërtetë themelore na ndihmon ta konceptojmë dashurinë e Perëndisë për ne?
3 Atëherë, në cilat mënyra na e shpreh dashurinë Jehovai? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë pasi kuptojmë ç’marrëdhënie kemi në thelb me Perëndinë Jehova. Dihet se Jehovai është Krijuesi i të gjithë njerëzve. (Lexo Psalmin 100:3-5.) Kjo është arsyeja pse Bibla e quan Adamin «bir i Perëndisë» dhe pse Jezui i mësoi dishepujt t’i drejtoheshin Perëndisë ‘Ati ynë në qiej’. (Luka 3:38; Mat. 6:9) Përderisa është Jetëdhënësi, Jehovai është Ati ynë; marrëdhënia mes tij dhe nesh është si ajo e një babai me fëmijët e vet. Me dy fjalë, Jehovai na do ashtu siç i do një baba i përkushtuar fëmijët e vet.
4. (a) Si ndryshon Jehovai nga baballarët njerëzorë? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në atë vijues?
4 Sigurisht, baballarët njerëzorë janë të papërsosur. Sado të përpiqen, nuk mund ta pasqyrojnë tamam dashurinë atërore të Jehovait. Në fakt, disa kanë kujtime të hidhura nga fëmijëria dhe vraga të thella emocionale ose psikologjike. Kjo është e dhimbshme dhe e trishtueshme, për të mos thënë tragjike. Sigurisht, Jehovai nuk është aspak një atë i tillë. (Psal. 27:10) Ndërsa kuptojmë sa na do dhe sa merakoset për ne, patjetër që afrohemi më shumë me të. (Jak. 4:8) Në këtë artikull do të shohim katër mënyra si na e shpreh dashurinë Jehovai. Në artikullin tjetër do të ndalemi te katër mënyra si mund ta tregojmë dashurinë për të.
JEHOVAI NA SIGURON GJITHÇKA ME DASHURI
5. Çfarë u tha apostulli Pavël athinasve për Perëndinë?
5 Kur apostulli Pavël vajti në Greqi, vuri re se qyteti i Athinës ishte plot idhuj të perëndive e të hyjnive që, sipas vendasve, u falnin jetën dhe çdo gjë të nevojshme. Pavli u shpreh: «Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të . . . u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka. . . . Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» (Vep. 17:24, 25, 28) Vërtet, nga dashuria, Jehovai na siguron «gjithçka» të nevojshme për jetën. Mendo pak ç’nënkuptojnë këto fjalë në dukje të thjeshta.
6. Si e pasqyron toka dashurinë e Perëndisë për ne? (Shih figurën hapëse.)
6 Të marrim për shembull tokën që Bërësi i saj, Jehovai, «ua ka dhënë bijve të njerëzve». (Psal. 115:15, 16) Shkencëtarët e kanë derdhur paranë lumë për të eksploruar kozmosin, që të gjejnë planetë të tjerë si toka. Por, ndonëse kanë zbuluar me qindra planetë, janë zhgënjyer sepse asnjë nuk ka atë ekuilibër të ndërlikuar kushtesh që bën të mundur jetën njerëzore, siç e ka toka. Me sa duket ajo është unike mes gjithë krijimit të Perëndisë. Mendo pak: midis planetëve të panumërt që ndodhen në Udhën e Qumështit e më tej, Jehovai e krijoi tokën jo thjesht si një vend të banueshëm, por si një shtëpi të rehatshme, të bukur e të sigurt për krijesat e tij njerëzore. (Isa. 45:18) Sa shumë na do Jehovai!—Lexo Jobin 38:4, 7; Psalmin 8:3-5.
7. Si tregon mënyra si na krijoi Perëndia se ai na do vërtet?
7 Edhe pse krijoi për ne një shtëpi të mrekullueshme, Jehovai e di se nuk na mjaftojnë gjërat materiale që të jemi të lumtur e të kënaqur. Një fëmijë ndihet vërtet i sigurt kur ndien dashurinë dhe vëmendjen e prindërve. Jehovai i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së vet, me aftësinë që ta ndiejnë dashurinë dhe merakun e tij e t’i përgjigjen. (Zan. 1:27) Veç kësaj, Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mat. 5:3) Si një Atë i dashur, Jehovai «na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë», qoftë gjërat fizike, qoftë ato frymore.—1 Tim. 6:17; Psal. 145:16.
JEHOVAI NA MËSON ME DASHURI TË VËRTETËN
8. Pse kemi besim se ‘Perëndia i së vërtetës’ na do?
8 Baballarët i duan fëmijët e tyre dhe dëshirojnë t’i mbrojnë që të mos bien pre e mashtrimit. Mirëpo shumë prindër nuk u sigurojnë dot fëmijëve udhëheqjen e duhur, ngaqë ata vetë i kanë hedhur poshtë normat e Fjalës së Perëndisë. Kjo shpesh çon në pështjellim dhe zhgënjim. (Prov. 14:12) Kurse Jehovai është «Perëndi i së vërtetës». (Psal. 31:5) Ai i do fëmijët e tij dhe kënaqet kur dërgon dritën e së vërtetës për t’u prirë në çdo fushë të jetës, sidomos në lidhje me adhurimin. (Lexo Psalmin 43:3.) Ç’të vërteta na ka zbuluar Jehovai, dhe si e tregon kjo se na do?
Baballarët e krishterë e imitojnë Jehovain kur u mësojnë të vërtetën fëmijëve dhe i ndihmojnë të kenë një marrëdhënie me Atin e tyre qiellor (Shih paragrafët 8-10.)
9, 10. Si tregon Jehovai se na do duke zbuluar të vërtetën (a) për veten? (b) për ne?
9 Para së gjithash, Jehovai na zbulon të vërtetën për veten. Na tregon emrin e tij, i cili përmendet në Bibël më shumë se çdo emër tjetër. Kështu, Jehovai na afrohet dhe na lejon ta njohim. (Jak. 4:8) Gjithashtu, ai na zbulon cilësitë e tij, se çfarë Perëndie është. Kur vëzhgojmë universin, shohim prova të fuqisë dhe të mençurisë së tij. Ndërsa nëpërmjet Shkrimeve, Jehovai na zbulon edhe drejtësinë e sidomos dashurinë e tij të pakufishme. (Rom. 1:20) Ai është si një baba i fortë e i mençur, por njëherazi i drejtë e i dashur, çka ua bën të lehtë fëmijëve të tij të kenë marrëdhënie të ngushtë me të.
10 Për dobinë tonë, Jehovai na zbulon edhe të vërtetën për ne, pra për vendin tonë në organizatën e tij universale. Kjo i kontribuon paqes dhe rregullit në këtë familje qiellore e tokësore. Bibla na mëson se njerëzit nuk janë krijuar me të drejtën që të vendosin vetë ç’është e drejtë dhe e gabuar, pra që të jenë të pavarur nga Perëndia. Tregon edhe se kur shpërfillet kjo e vërtetë themelore, vijnë pasoja të mjerueshme. (Jer. 10:23) Është jetësore për mirëqenien tonë të pranojmë autoritetin e Perëndisë. Vetëm atëherë mund të gëzojmë paqe dhe harmoni. Sa i dashur është Jehovai që ka vendosur të na e zbulojë këtë të vërtetë të rëndësishme!
11. Cili premtim i Jehovait tregon se ai na do dhe merakoset për ne?
11 Një baba i dashur merakoset shumë për të ardhmen e fëmijëve të tij dhe do që të kenë një jetë me kuptim e qëllim të vërtetë. Mjerisht, shumica e njerëzve janë në errësirë për të ardhmen ose e kalojnë jetën duke rendur pas synimeve që nuk sjellin dobi jetëgjata. (Psal. 90:10) Si fëmijë të Jehovait, ne ndiejmë se ai na ka për zemër, sepse na premton një të ardhme fantastike. Kjo i jep jetës sonë qëllim dhe domethënie të vërtetë.
JEHOVAI I KËSHILLON DHE I DISIPLINON FËMIJËT E TIJ
12. Si e tregoi Jehovai dashurinë dhe merakun për Kainin e për Barukun me këshillën dhe udhëzimin që u dha?
12 «Pse nxehesh dhe pse ngrysesh? Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim? . . . A do ta mposhtësh [mëkatin]?» (Zan. 4:6, 7) Kur u duk sheshit se Kaini i kishte hyrë një rruge tepër të rrezikshme, Jehovai i dha këtë këshillë në kohën e duhur bashkë me një udhëzim të dobishëm. Sa keq që Kaini nuk ia vuri veshin paralajmërimit dhe vuajti pasojat! (Zan. 4:11-13) Kur Baruku, sekretari i Jeremisë, ndihej i lodhur dhe i shkurajuar, me anë të një këshille Jehovai e ndihmoi të kuptonte se ku qëndronte vërtet problemi. Ndryshe nga Kaini, Baruku e pranoi këshillën e Jehovait dhe kjo i shpëtoi jetën.—Jer. 45:2-5.
13. Pse Jehovai lejoi që besnikët e tij të hiqnin sprova?
13 Pavli shkroi: «Jehovai disiplinon atë që e do, dhe fshikullon këdo që pranon si bir.» (Hebr. 12:6) Gjithsesi, disiplina nuk kufizohet te ndëshkimi. Ajo jepet në lloj-lloj formash. Bibla është plot me shembuj të shërbëtorëve besnikë, të cilët hoqën sprova të tmerrshme që i stërvitën e që mbase ishin një formë disipline. Të mendojmë për Jozefin, Moisiun dhe Davidin. Ndër gjithë personazhet biblike, historitë e tyre janë nga më të hollësishmet e më të gjallat. Kur lexojmë si i përkrahu Jehovai gjatë sprovave dhe si i përdori në mënyra të jashtëzakonshme, e ndiejmë akoma më thellë merakun dhe dashurinë që ka për shërbëtorët e tij.—Lexo Proverbat 3:11, 12.
14. Si e ndiejmë dashurinë e Jehovait kur na disiplinon?
14 Disiplina që vjen nga Jehovai nxjerr në pah një aspekt tjetër të dashurisë së tij. Nëse dikush që gabon, reagon mirë ndaj disiplinës së Jehovait dhe pendohet, ‘ai e fal në masë të madhe’. (Isa. 55:7) Ç’do të thotë kjo? Davidi e përshkruan faljen e Jehovait me këto fjalë prekëse: ‘Ai fal të gjitha fajet e tua, shëron tërë sëmundjet e tua. Ai e nxjerr jetën tënde nga gropa e varrit dhe të vë si kurorë dashamirësinë dhe mëshirën e tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq larg nga ne i ka vënë shkeljet tona.’ (Psal. 103:3, 4, 12) Le të jemi përherë të ndjeshëm ndaj këshillave të Jehovait, madje edhe ndaj disiplinës së tij. E le të reagojmë pa vonesë, duke e ditur se kjo është një shprehje e dashurisë së tij të pashtershme për ne.—Psal. 30:5.
JEHOVAI NA MBRON DHE NA RUAN
15. Si e dimë se për Jehovain është i çmuar populli i tij?
15 Dihet se një nga përparësitë e një babai të dashur është ta mbrojë e ta ruajë familjen nga çfarëdo gjëje që mund ta dëmtojë ose nga ndonjë rrezik serioz. Po kështu bën Ati ynë qiellor, Jehovai. Psalmisti thotë për të: «Ai e ruan shpirtin e besnikëve të tij, dhe i çliron nga dora e të ligjve.» (Psal. 97:10) Mendo pak sa të çmuar janë sytë për ty. Ja, kështu ndihet Jehovai për shërbëtorët e tij. (Lexo Zakarinë 2:8.) Sa i çmuar është për Perëndinë populli i tij!
16, 17. Trego disa mënyra si e ka mbrojtur dhe e ka ruajtur Jehovai popullin e tij, madje edhe në kohët tona.
16 Një mënyrë si e mbron Jehovai popullin e tij është me anë të engjëjve. (Psal. 91:11) Një engjëll i vetëm e shpëtoi Jerusalemin nga pushtuesit asirianë, duke asgjësuar një ushtri prej 185.000 vetash brenda një nate. (2 Mbret. 19:35) Engjëjt çliruan nga burgu apostujt Pjetër e Pavël, si edhe të tjerë. (Vep. 5:18-20; 12:6-11) Edhe në ditët tona, dora e Jehovait nuk është shkurtuar. Një përfaqësues i selisë botërore që vizitoi një degë të Afrikës raportoi se ai shtet ishte rrënuar nga konfliktet politike e fetare. Luftimet, plaçkitjet, përdhunimet dhe vrasjet e zhytën vendin në kaos dhe anarki. Ama, asnjë nga motrat e vëllezërit tanë nuk humbi jetën, ndonëse shumë prej tyre humbën tërë zotërimet e gjithçka kishin për të nxjerrë bukën e gojës. Kur i pyetnin si po ia çonin, të gjithë përgjigjeshin me një buzëqeshje vesh më vesh: «Mirë shyqyr, falë Jehovait.» E ndienin dashurinë e Perëndisë.
17 Me raste Jehovai ka lejuar që armiqtë t’i marrin jetën një besniku, siç ndodhi me Stefanin. Por Perëndia e mbron popullin e vet si një të tërë, duke e paralajmëruar në kohën e duhur për intrigat e Satanait. (Efes. 6:10-12) Me anë të Fjalës së tij dhe të botimeve të bazuara në Bibël që siguron organizata e tij, na ndihmon të kuptojmë të vërtetën për pasuritë mashtruese, për zbavitjet imorale e të dhunshme, për keqpërdorimin e Internetit e të tjera. Pra, si Atë i dashur që është, Jehovai kujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e popullit të tij.
NJË PRIVILEGJ I PASHOQ
18. Si ndihesh kur mendon për dashurinë që ka Jehovai për ty?
18 Pasi kemi shqyrtuar vetëm disa nga mënyrat e mrekullueshme si na tregon dashuri Jehovai, s’ka si të mos ndihemi si Moisiu. Tek mendonte për jetën e gjatë në shërbim të Jehovait, Moisiu tha: «Na ngop që në mëngjes me dashamirësinë tënde, që të lëshojmë britma të hareshme e të gëzojmë gjatë gjithë ditëve tona.» (Psal. 90:14) Një nga privilegjet dhe bekimet më të mëdha që kemi sot është ta kuptojmë e ta ndiejmë sa na do Jehovai. Ashtu si apostulli Gjon, themi me gjithë zemër: ‘Shihni ç’dashuri na dha Ati!’—1 Gjon. 3:1.