BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w15 15/7 f. 20-21
  • A ka rëndësi kush e vë re punën tënde?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A ka rëndësi kush e vë re punën tënde?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • VEPRA PËRRALLORE QË I PANË FARE PAK VETA
  • TË KËNAQUR NDONËSE PA LAVDINË E NJERËZVE
  • Oholiabi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Bezaleli
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Të pajisur për të kryer veprën e Jehovait
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2020
  • Besnikët e lashtësisë drejtoheshin nga fryma e Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
w15 15/7 f. 20-21
Bezaleli dhe Oholiabi punojnë për të bërë kerubinët prej ari

A ka rëndësi kush e vë re punën tënde?

S’ISHTE hera e parë që Bezaleli dhe Oholiabi punonin në ndërtim. Mbase u kishte ardhur në majë të hundës puna me tulla që bënë si skllevër në Egjipt. Por kjo i përkiste së kaluarës. Tani do të bëheshin mjeshtra në punë artizanale, ngaqë u caktuan të merrnin drejtimin në ndërtimin e tabernakullit. (Dal. 31:1-11) Megjithatë, fare pak veta do ta shihnin punën e tyre mahnitëse. A do të mërziteshin që do të mbeteshin pothuajse mjeshtra anonimë? A kishte vërtet rëndësi se kush do ta vërente punën e tyre? Po punën tënde, a ka rëndësi kush e vë re?

VEPRA PËRRALLORE QË I PANË FARE PAK VETA

Disa nga orenditë e tabernakullit ishin kryevepra të pashoqe. Për shembull, të mendojmë për kerubinët prej ari sipër arkës së besëlidhjes, që Pavli i quajti ‘të lavdishëm’. (Hebr. 9:5) Përfytyro bukurinë marramendëse të atyre figurave prej ari të punuara me çekan.​—Dal. 37:7-9.

Po të ekzistonin ende kryeveprat e Bezalelit dhe të Oholiabit, patjetër që do të paraqiteshin në muzetë më të mirë për kënaqësinë e sa e sa vizitorëve. Por sa veta i panë vërtet ato vepra madhështore në kohën kur u bënë? Kerubinët ndodheshin në Më të Shenjtën, ndaj i shihte vetëm kryeprifti që hynte atje veç një herë në vit, Ditën e Shlyerjes. (Hebr. 9:6, 7) Ja pse ato kryevepra i panë fare pak veta.

TË KËNAQUR NDONËSE PA LAVDINË E NJERËZVE

Po të ishe në vend të Bezalelit ose të Oholiabit e do të ishe robtuar për të bërë ato vepra arti përrallore, si do të ndiheshe që i panë aq pak veta? Në kohën tonë njerëzit mendojnë se arrijnë njëfarë suksesi kur të tjerët i lëvdojnë e i admirojnë. Për ta kjo është një mënyrë për të përcaktuar rëndësinë e punës. Por shërbëtorët e Jehovait janë ndryshe. Ashtu si Bezaleli dhe Oholiabi, edhe ne kënaqemi ngaqë bëjmë vullnetin e Jehovait dhe kemi miratimin e tij.

Në ditët e Jezuit udhëheqësit fetarë e kishin zakon të bënin lutje që tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve. Mirëpo, Jezui sugjeroi këtë: të lutemi nga zemra e të mos kërkojmë vëmendje nga të tjerët. Cili do të jetë rezultati? «Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.» (Mat. 6:5, 6) Qartë, ajo që ka rëndësi është çfarë mendon Jehovai për lutjet tona, jo çfarë mendojnë të tjerët. Vlerësimi i tij i bën lutjet tona vërtet të vyera. E njëjta gjë vlen për gjithçka që bëjmë në shërbimin e shenjtë. Vlera e shërbimit tonë s’ka të bëjë me pëlqimin e të tjerëve. Ajo që ka rëndësi është pëlqimi i Jehovait, «që sheh në fshehtësi».

Kur tabernakulli u përfundua, ‘një re nisi të mbulonte tendën e takimit dhe lavdia e Jehovait mbushi tabernakullin’. (Dal. 40:34) Sa shenjë e dukshme e miratimit të Jehovait! Imagjino si u ndien në atë moment Bezaleli dhe Oholiabi. Megjithëse emrat nuk iu gdhendën në asnjë nga veprat artistike, patjetër u kënaqën ngaqë e dinin se Jehovai e kishte bekuar punën e tyre. (Prov. 10:22) Sigurisht që u ngrohej zemra teksa shihnin se me kalimin e viteve veprat e tyre vazhduan të përdoreshin në shërbim të Jehovait. Kur Bezaleli dhe Oholiabi të ringjallen në botën e re, pa dyshim që do të emocionohen tej mase kur të marrin vesh se tabernakulli u përdor në adhurimin e vërtetë për afro 500 vjet.

Vëllezër e motra bëjnë me përulësi e me dëshirë lloj-lloj punësh

Edhe sikur asnjeri të mos e vërejë shërbimin tënd të përulur e të zellshëm, Jehovai e vë re

Sot në organizatën e Jehovait, gjithë stafi i filmave vizatimorë, artistët, muzikantët, fotografët, përkthyesit dhe shkrimtarët bëjnë punë anonime. Në njëfarë kuptimi, asnjë nuk «e vë re» atë që bëjnë ata. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një pjesë të mirë të punës që bëhet në mbi 110.000 kongregacionet anekënd botës. Kush e sheh shërbëtorin e llogarisë tek plotëson formularët e nevojshëm në fund të muajit? Kush e sheh sekretarin që përgatit raportin e shërbimit të kongregacionit? Kush e sheh një vëlla a një motër që bën ndonjë riparim në Sallën e Mbretërisë?

Në fund të jetës, Bezalelit dhe Oholiabit nuk u dhanë trofe, medalje as nuk u ngritën përmendore për projektet magjepsëse e për ndërtimin cilësor. Ama fituan diçka ku e ku më të vyer: miratimin e Jehovait. Të jemi të sigurt se Jehovai e vuri re punën e tyre. Le të imitojmë shembullin e tyre duke bërë një shërbim të përulur e të zellshëm.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo