Një botë pa paragjykime—Kur?
«KAM një ëndërr!» Këto fjalë i tha pesëdhjetë vjet më parë në fjalimin e tij më të famshëm më 28 gusht 1963 Martin Luter King i Riu, një udhëheqës i të drejtave civile amerikane. Me këtë refren mbresëlënës, Kingu shprehu ëndrrën ose shpresën e tij, se një ditë njerëzit do ta gëzonin jetën pa paragjykime raciale. Megjithëse aspiratat e tij i drejtoheshin një auditori në Shtetet e Bashkuara, thelbi i asaj ëndrre është mirëpritur nga njerëz të shumë kombeve.
Martin Luter King i Riu duke mbajtur fjalimin për të drejtat civile
Më 20 nëntor 1963, tre muaj pas këtij fjalimi, mbi 100 vende adoptuan Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial. Nisma të tilla globale u ndërmorën edhe në dekadat në vazhdim. Të gjitha këto përpjekje fisnike ngrenë në mënyrë të pashmangshme pyetjen: çfarë është arritur?
Më 21 mars 2012, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Muni, tha: «Ka shumë traktate dhe mjete të dobishme—si edhe një plan veprimi global—për të parandaluar dhe çrrënjosur racizmin, diskriminimin racial, ksenofobinë dhe intolerancën që lidhet me to. Sidoqoftë, racizmi vazhdon t’u sjellë vuajtje miliona njerëzve në mbarë botën.»
Edhe në vende që kanë bërë njëfarë progresi për mposhtjen e paragjykimit racial a të formave të tjera, një pyetje mbetet ende: a kanë arritur t’i çrrënjosin vërtet ndjenja të tilla, apo thjesht i kanë mësuar njerëzit të mos i shfaqin ato? Disa besojnë se ky progres ka parandaluar vetëm diskriminimin, por s’ka mundur ta eliminojë paragjykimin. Pse? Sepse diskriminimi është një veprim që mund të vërehet dhe të ndëshkohet me ligj, kurse paragjykimi lidhet me mendimet dhe ndjenjat e brendshme, të cilat nuk mund të ndreqen kollaj.
Prandaj, çdo përpjekje për të eliminuar paragjykimin, nuk duhet thjesht të ndalojë veprimet diskriminuese, por edhe të ndryshojë mendimet e ndjenjat kundrejt njerëzve të një grupi tjetër. A mund të realizohet vërtet kjo? Nëse po, si? Le t’u hedhim një sy disa përvojave që na ndihmojnë të kuptojmë se njerëzit jo vetëm mund të ndryshojnë, por edhe se ka diçka që mund t’i ndihmojë për këtë.
BIBLA I NDIHMOI TA KAPËRCENIN PARAGJYKIMIN
«Ndihem e çliruar nga kafazi i paragjykimit.»—Linda
Linda: Kam lindur në Afrikën e Jugut. Çdo afrikano-jugor që s’ishte i bardhë, e shihja si më të ulët, të pashkolluar, jo të besueshëm dhe vetëm si shërbëtor të njerëzve të bardhë. Isha bërë paragjykuese dhe s’e kisha kuptuar fare. Gjithsesi, fillova të ndryshoja qëndrim pasi nisa të studioja Biblën. Mësova se «Perëndia nuk është i anshëm» dhe se zemra është më e rëndësishme se ngjyra e lëkurës ose gjuha që flasim. (Veprat 10:34, 35; Proverbat 17:3) Shkrimi i Filipianëve 2:3 më ndihmoi të kuptoja se do të arrija ta kapërceja paragjykimin po t’i shihja të tjerët si më të lartë se veten. Parime të tilla biblike më kanë ndihmuar të interesohem për të tjerët pavarësisht nga ngjyra e lëkurës. Tani ndihem e çliruar nga kafazi i paragjykimit.
«Dalëngadalë kuptova pikëpamjen e Perëndisë për njerëzit.»—Majkëlli
Majkëlli: U rrita në një zonë ku shumica e njerëzve ishin australianë të bardhë dhe krijova një paragjykim tepër të fortë për aziatikët, veçanërisht për kinezët. Kur shihja nga makina ndonjë që dukej si aziatik, ulja xhamin dhe e fyeja me fjalë të tilla: «Zhduku që këtu, aziatik!» Më vonë, kur nisa të studioja Biblën, dalëngadalë kuptova pikëpamjen e Perëndisë për njerëzit. Ai i do ata, pavarësisht se nga janë ose ç’pamje kanë. Kjo dashuri më preku dhe urrejtja m’u kthye në dashuri. Është e mahnitshme të përjetosh një ndryshim kaq drastik. Tani kënaqem kur rri me njerëz nga vende e formime të ndryshme. Kjo më ka bërë më mendjehapur dhe më jep më shumë gëzim në jetë.
‘Ndryshova pikëpamje dhe gjeta paqe mendore.’—Sandra
Sandra: Mamaja ishte nga Umunede e Shtetit të Deltës, Nigeri. Kurse, familja e babait është nga shteti i Edos dhe flet gjuhën esane. Për shkak të këtyre ndryshimeve, familja e babait e paragjykoi tmerrësisht mamanë deri në fund të jetës së saj. Prandaj, u betova se s’do të përzihesha fare me ata që flisnin gjuhën esane ose s’do të martohesha kurrë me ndonjë nga shteti i Edos. Por, kur fillova të studioja Biblën, nisa t’i shihja ndryshe gjërat. Nëse Bibla thotë se Perëndia nuk është i anshëm dhe se pranon këdo që i frikësohet atij, kush jam unë që t’i urrej njerëzit për shkak të përkatësisë fisnore ose gjuhësore? Ndryshova pikëpamje dhe bëra paqe me familjen e babait. Zbatimi i parimeve biblike më ka bërë më të lumtur dhe më ka dhënë paqe mendore. Gjithashtu, më ka ndihmuar të shkoj mirë me të tjerët pavarësisht nga prejardhja, raca, gjuha ose kombësia. Dhe e dini me kë jam martuar? Me një nga shteti i Edos që flet gjuhën esane.
Si ka arritur Bibla t’i ndihmojë këta dhe shumë të tjerë të kapërcejnë urrejtjen dhe paragjykimin e rrënjosur thellë? Sepse ajo është Fjala e Perëndisë. Ka fuqi t’ia ndryshojë dikujt mënyrën si mendon dhe si ndihet për të tjerët. Për më tepër, ajo tregon çfarë nevojitet tjetër për të zhdukur çdo paragjykim.
MBRETËRIA E PERËNDISË DO TË ZHDUKË ÇDO PARAGJYKIM
Ndonëse njohuria për Biblën mund ta ndihmojë dikë t’i kontrollojë dhe t’i çrrënjosë ndjenjat e forta, ka edhe dy probleme të tjera që duhen zgjidhur para se paragjykimi të eliminohet krejtësisht. Së pari, është mëkati dhe papërsosmëria njerëzore. Bibla thotë qartë: «S’ka njeri që të mos mëkatojë.» (1 Mbretërve 8:46) Prandaj, sado të përpiqemi, do të hasim të njëjtën luftë të brendshme si apostulli Pavël, i cili shkroi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Romakëve 7:21) Kështu, herë pas here, zemra jonë e papërsosur do të bjerë në «arsyetime të dëmshme», të cilat na shtyjnë të paragjykojmë.—Marku 7:21.
Së dyti, është edhe ndikimi i Satana Djallit. Bibla e quan «vrasës» dhe thotë se ai «mashtron gjithë tokën e banuar». (Gjoni 8:44; Zbulesa 12:9) Kjo shpjegon pse paragjykimi është kaq i përhapur dhe pse njerëzimi duket kaq i pashpresë përballë fanatizmit, diskriminimit, gjenocidit dhe formave të tjera të intolerancës raciale, fetare e shoqërore.
Kështu, para se paragjykimi të eliminohet krejtësisht, duhet hequr mëkati, papërsosmëria e njerëzve dhe ndikimi i Satana Djallit. Bibla tregon se këtë do ta realizojë Mbretëria e Perëndisë.
Jezu Krishti i mësoi dishepujt t’i luteshin Perëndisë në këtë mënyrë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Mbretëria e Perëndisë është mjeti me të cilin do të zhduken tërë padrejtësitë, përfshirë të gjitha format e intolerancës dhe të paragjykimit.
Kur të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe t’i marrë në dorë të gjitha çështjet në tokë, Satanai ‘do të lidhet’, domethënë do të kufizohet plotësisht, që ‘të mos i mashtrojë kombet’. (Zbulesa 20:2, 3) Në atë kohë do të ketë «një tokë të re», pra një shoqëri njerëzore, në të cilën «do të banojë drejtësia».a—2 Pjetrit 3:13.
Ata që do të jetojnë në atë shoqëri të drejtë njerëzore, do të bëhen të përsosur, pa mëkat. (Romakëve 8:21) Si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, «askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë». Pse? «Sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait.» (Isaia 11:9) Në atë kohë, i gjithë njerëzimi do të mësojë udhët e Perëndisë Jehova dhe do të imitojë personalitetin e tij të dashur. Kjo do të shënojë vërtet fundin e çdo paragjykimi, «sepse te Perëndia nuk ka anësi».—Romakëve 2:11.
a Për më shumë informacion për Mbretërinë e Perëndisë dhe se çfarë do të bëjë së shpejti, shih kapitujt 3, 8 dhe 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.