Keni arsye që të gëzoni
QË NGA qelizat më të vockla e deri te galaktikat kolosale të grupuara në grumbuj dhe supergrumbuj, krijimi i Jehovait është i organizuar. Kjo s’na habit, pasi Krijuesi «nuk është një Perëndi i çrregullimit». (1 Kor. 14:33) Edhe mënyra si e ka organizuar Jehovai popullin e tij për të adhuruar, është mahnitëse. Mendoni se çfarë ka bërë Jehovai. Ai ka formuar një organizatë universale duke mbledhur në të qindra miliona krijesa me aftësi për të arsyetuar—qoftë krijesa fizike, qoftë frymore—të cilat kanë vullnet të lirë dhe janë bashkuar në adhurimin e pastër. Sa madhështore!
Në Izraelin e lashtë, Jerusalemi, ku ndodhej tempulli i Jehovait dhe banonte mbreti i tij i emëruar, simbolizonte pjesën tokësore të organizatës së Perëndisë. Një izraelit që e kishin marrë rob në Babiloni, i shprehu kështu ndjenjat e tij për qytetin e shenjtë: «Gjuha m’u ngjittë pas qiellzës, nëse nuk të kujtoj ty, nëse nuk të lartësoj, o Jerusalem, mbi atë që më sjell më shumë gëzim!»—Psal. 137:6.
A ndiheni edhe ju kështu për organizatën e Perëndisë sot? A ju sjell gëzim më shumë se çdo gjë tjetër? A e kuptojnë fëmijët tuaj historinë dhe funksionimin e pjesës tokësore të organizatës së Perëndisë? A e kuptojnë dhe e vlerësojnë faktin që janë pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore me Dëshmitarë të Jehovait? (1 Pjet. 2:17) Pse të mos i vini në zbatim sugjerimet vijuese në mbrëmjen e Adhurimit Familjar që t’ia rritni familjes suaj çmueshmërinë për organizatën e Jehovait?
Tregoni veprat e ‘shumë kohëve më parë’
Çdo vit, familjet izraelite mblidheshin për të festuar Pashkën. Kur u themelua kjo festë, Moisiu e urdhëroi popullin: «Në rast se më vonë yt bir të pyet: ‘Çfarë do të thotë kjo?’, thuaji: ‘Jehovai na nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, me forcën e dorës së tij.’» (Dal. 13:14) Mënyra si veproi Jehovai me izraelitët nuk duhej të ishte një histori e harruar. Pa dyshim, shumë etër izraelitë e zbatuan urdhrin e Moisiut. Breza më vonë, një izraelit u lut: «O Perëndi, ne i dëgjuam me veshët tanë, paraardhësit tanë na i treguan veprat që kreve në ditët e tyre, shumë kohë më parë.»—Psal. 44:1.
Edhe një të riu sot, historia moderne mbi 100-vjeçare e Dëshmitarëve të Jehovait mund t’i duket sikur ka ndodhur «shumë kohë më parë». Ç’mund të bëni që këto ngjarje t’u duken reale fëmijëve tuaj? Disa prindër përdorin botimet Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (angl.), Librin vjetor, jetëshkrime të botuara në revistat tona dhe raporte të tjera të historisë teokratike, përfshirë DVD-në tonë të re për popullin e Perëndisë në ditët e sotme. Videot në lidhje me përndjekjen e vëllezërve në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Gjermaninë naziste, i mësojnë familjet të mbështeten te Jehovai gjatë sprovave. Përfshini një material të tillë në mbrëmjen e Adhurimit Familjar. Kjo do t’ua forcojë besimin fëmijëve tuaj kur të hasin sfida për integritetin.
Megjithatë, fëmijët mund të mërziten shpejt nëse u mbajmë leksione për historinë. Prandaj, përfshijini ata. Për shembull, mund t’i kërkoni djalit tuaj të zgjedhë një vend që i pëlqen, të bëjë kërkime për historinë teokratike të atij vendi dhe të paraqitë para familjes disa nga gjërat që ka mësuar. Në kongregacionin tuaj ndoshta ka të krishterë që shërbejnë me besnikëri prej një kohe të gjatë, të cilët mund t’i ftoni në një nga mbrëmjet e adhurimit familjar. Mbase vajza juaj mund t’i intervistojë e t’u kërkojë të tregojnë përvojat e tyre. Ose mund t’i kërkoni fëmijës tuaj të vizatojë figura për ngjarje të shënuara teokratike të tilla, si ndërtimi i një zyre dege, një kongres ndërkombëtar ose si përdorej gramafoni në shërbimin shtëpi më shtëpi.
Mësoni se si «secila pjesë bën punën e vet»
Apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin e krishterë me «gjithë trupin, që bashkohet e mbahet lidhur me anë të çdo delli, [dhe] rritet e ndërtohet në dashuri, teksa secila pjesë bën punën e vet». (Efes. 4:16, New International Version) Kur mësojmë si funksionon trupi i njeriut, na rritet çmueshmëria dhe respekti për Krijuesin. Po kështu, kur shqyrtojmë si funksionon kongregacioni mbarëbotëror, mrekullohemi nga «mençuria mjaft e larmishme e Perëndisë».—Efes. 3:10.
Jehovai përshkruan se si funksionon organizata e tij, përfshirë edhe pjesa qiellore. Për shembull, ai na thotë se së pari i dha një zbulesë Jezu Krishtit, i cili pastaj «dërgoi engjëllin e tij dhe, nëpërmjet tij, ia paraqiti atë me anë të shenjave skllavit të vet, Gjonit . . . [që] dha dëshmi». (Zbul. 1:1, 2) Përderisa Perëndia na zbulon se si funksionon pjesa e padukshme e organizatës së tij, patjetër dëshiron edhe të kuptojmë se si «secila pjesë bën punën e vet» në tokë.
Për shembull, nëse mbikëqyrësi qarkor do të vizitojë së shpejti kongregacionin tuaj, pse të mos shqyrtoni me familjen përgjegjësitë dhe privilegjet e mbikëqyrësve udhëtues? Si e ndihmojnë ata secilin prej nesh? Ja disa pyetje të tjera që mund të shqyrtohen: pse është e rëndësishme ta raportojmë shërbimin? Si financohet organizata e Perëndisë? Si është i organizuar Trupi Udhëheqës dhe si siguron ushqim frymor?
Kur kuptojmë se si është organizuar populli i Jehovait, nxjerrim dobi në të paktën tri mënyra: na rritet çmueshmëria për ata që punojnë pa u lodhur për dobinë tonë. (1 Sel. 5:12, 13) Nxitemi të mbështetim masat teokratike. (Vep. 16:4, 5) Së fundi, na forcohet besimi tek ata që marrin drejtimin, kur shohim se ka një bazë biblike për vendimet dhe masat që marrin.—Hebr. 13:7.
«Hetoni kullat e tij të banimit»
«Marshoni përqark Sionit dhe bjerini rrotull, numëroni kullat e tij. Shikojeni me vëmendje ledhin e tij mbrojtës. Hetoni kullat e tij të banimit, që t’ia tregoni brezit që do të vijë.» (Psal. 48:12, 13) Këtu psalmisti u bëri thirrje izraelitëve që ta shihnin nga afër Jerusalemin. A mund të imagjinoni se sa kujtime të çmuara kishin familjet izraelite që kishin shkuar në qytetin e shenjtë për festat e përvitshme dhe kishin parë tempullin e tij të madhërishëm? Ato familje duhet të jenë nxitur ‘t’ia tregonin brezit që do të vinte’.
Mendoni për mbretëreshën e Shebës, e cila në fillim dyshoi për fjalët që kishte dëgjuar në lidhje me sundimin e shkëlqyer dhe mençurinë e madhe të Solomonit. Çfarë e bindi se gjërat që kishte dëgjuar ishin të vërteta? Ajo tha: «Nuk u besova atyre fjalëve, derisa erdha vetë e i pashë me sytë e mi.» (2 Kron. 9:6) Po, ajo që shohim me ‘sytë tanë’, mund të ndikojë thellë te ne.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të shohin me ‘sytë e tyre’ mrekullitë e organizatës së Jehovait? Nëse në zonën tuaj ka një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, përpiquni ta vizitoni. Për shembull, Manda dhe Bethania u rritën rreth 1.500 kilometra larg shtëpisë Bethel që ndodhet në vendin e tyre. Sidoqoftë, prindërit planifikonin shpesh udhëtime që të vizitonin godinat e degës, sidomos ndërsa vajzat rriteshin. «Para se të vizitonim Bethelin, mendonim se ishte një ambient tepër formal dhe për të moshuarit,—shpjegojnë ato.—Por atje takuam të rinj që punonin fort për Jehovain dhe kënaqeshin në punën e tyre. Kuptuam se organizata e Jehovait shtrihej përtej zonës së vogël ku jetonim dhe çdo vizitë në Bethel na jepte një dozë me energji frymore.» Ngaqë panë nga afër organizatën e Perëndisë, Manda dhe Bethania u nxitën të fillonin shërbimin si pioniere dhe madje i ftuan të shërbenin në Bethel si vullnetare të përkohshme.
Ka edhe një mënyrë tjetër se si mund ‘ta shohim’ organizatën e Jehovait, diçka që nuk ekzistonte në Izraelin e lashtë. Vitet e fundit, populli i Perëndisë ka marrë video dhe DVD që shqyrtojnë aspektet e ndryshme të organizatës së Perëndisë. Disa prej tyre janë: Deri në skajet e tokës (angl.), Dëshmitarët e Jehovait—Të organizuar për të përhapur lajmin e mirë, Gjithë vëllazëria jonë dhe Të bashkuar nga mësimi hyjnor (angl.). Kur ju dhe familja juaj të shihni punën e palodhur të bethelitëve, të vullnetarëve në raste katastrofash, të misionarëve dhe të vëllezërve që përgatitin e organizojnë kongreset, me siguri do t’ju rritet në zemër çmueshmëria për vëllazërinë mbarëbotërore.
Çdo kongregacion i popullit të Perëndisë luan një rol të rëndësishëm për të predikuar lajmin e mirë dhe për të mbështetur të krishterët në zonën përkatëse. Megjithatë, lini kohë bashkë me familjen që të kujtoni «gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë». Kjo do t’ju ndihmojë ju dhe fëmijët tuaj të qëndroni «të fortë në besim», duke ditur se keni arsye që të gëzoni.—1 Pjet. 5:9.
[Kutia dhe figura në faqen 18]
Organizata e Perëndisë Një temë që ia vlen të studiohet
Kemi me bollëk mjete që i ndihmojnë të gjithë të mësojnë më shumë për historinë dhe funksionimin e organizatës së Jehovait. Si fillim mund t’ju ndihmojnë pyetjet vijuese:
☞ Si filloi vepra e mbikëqyrësve udhëtues në ditët e sotme?—Kulla e Rojës, 15 nëntor 1996, faqet 10-15.
☞ Ç’gjë të veçantë kishte «Dita e Fëmijëve» në asamblenë teokratike të vitit 1941?—Kulla e Rojës, 15 korrik 2001, faqja 8.
☞ Si i merr vendimet Trupi Udhëheqës?—‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë, faqet 108-114.