Korrni bekime nëpërmjet Mbretit të drejtuar nga fryma e Perëndisë!
«Tek ai do të prehet fryma e Jehovait.»—ISA. 11:2.
1. Çfarë shqetësimesh kanë shprehur disa për problemet në botë?
«SI MUND të vazhdojë të ekzistojë njerëzimi edhe për 100 vjet të tjerë, në një botë që është në kaos politik, shoqëror dhe mjedisor?» Kjo ishte pyetja që bëri astrofizikani Stivën Hoking në vitin 2006. Në një artikull gazete (New Statesman) thuhej: «As nuk kemi zhdukur varfërinë dhe as nuk kemi vendosur paqe në botë. Përkundrazi, duket sikur kemi arritur krejt të kundërtën. Nuk kemi lënë asgjë pa bërë. I kemi bërë të gjitha, që nga komunizmi deri te tregu i lirë; që nga Lidhja e Kombeve deri te zhvillimi i armëve bërthamore si mjet për të shkurajuar luftën. Kemi bërë shumë ‘luftëra për t’i dhënë fund luftës’, që të besojmë se dimë si t’i japim fund luftës.»
2. Si do ta ushtrojë së shpejti Jehovai të drejtën për të qenë Sovrani i tokës?
2 Pohime të tilla nuk i habitin shërbëtorët e Jehovait. Bibla na thotë se njerëzit nuk u krijuan për t’u vetëqeverisur. (Jer. 10:23) Vetëm Jehovai është me të drejtë Sovrani ynë. Si i tillë, ai ka të drejtën të vendosë norma për ne, të përcaktojë ç’qëllim duhet të ketë jeta jonë dhe të na prijë drejt atij qëllimi. Veç kësaj, me autoritetin e tij, së shpejti ai do të ndërhyjë që t’u japë fund përpjekjeve të dështuara të njerëzimit për t’u vetëqeverisur. Njëherazi, do të shfarosë të gjithë ata që, duke hedhur poshtë sovranitetin e tij të drejtë, do të donin t’i mbanin njerëzit skllevër të mëkatit, të papërsosmërisë dhe të ‘perëndisë së kësaj bote’, Satana Djallit.—2 Kor. 4:4.
3. Çfarë paratha Isaia për Mesinë?
3 Në botën e re parajsore, Jehovai do ta shprehë sovranitetin e tij të dashur ndaj njerëzimit me anë të Mbretërisë mesianike. (Dan. 7:13, 14) Për Mbretin e kësaj Mbretërie, Isaia profetizoi: «Nga cungu i Jeseut do të dalë një degëz dhe nga rrënjët e tij një filiz që do të jetë i frytshëm. Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës nga Jehovai.» (Isa. 11:1, 2) Si e ka përdorur Perëndia frymën e shenjtë për ta kualifikuar siç duhet ‘cungun e Jeseut’—Jezu Krishtin—që të sundojë mbi njerëzimin? Ç’bekime do të vijnë nga sundimi i tij? Çfarë duhet të bëjmë për të korrur ato bekime?
I kualifikuar nga Perëndia për të sunduar
4-6. Falë cilës njohuri thelbësore do të jetë në gjendje Jezui të shërbejë si Mbret, Kryeprift dhe Gjykatës i mençur e i dhembshur?
4 Jehovai dëshiron që nënshtetasit e tij njerëzorë të arrijnë përsosmërinë nën drejtimin e një Mbreti, Kryeprifti dhe Gjykatësi vërtet të mençur e të dhembshur. Ja pse zgjodhi Jezu Krishtin, të cilin e kualifikoi me anë të frymës së shenjtë që të përmbushte këto përgjegjësi mjaft të rëndësishme. Le të shohim disa arsye pse Jezui do t’i përmbushë në mënyrë të përsosur rolet që i ka caktuar Perëndia.
5 Jezui e njeh Perëndinë më mirë se kushdo. Biri i vetëmlindur e njeh Atin më gjatë se kushdo tjetër, ka shumë mundësi nga miliarda vjet. Gjatë asaj kohe, Jezui fitoi njohuri aq të plotë për Jehovain, sa me të drejtë u përshkrua si «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm». (Kolos. 1:15) Vetë Jezui tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9.
6 Pas Jehovait, Jezui e njeh më plotësisht gjithë krijimin, përfshirë edhe njerëzimin. Te Kolosianëve 1:16, 17 lexojmë: «Me anë të tij [Birit të Perëndisë] u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë, gjërat e dukshme dhe të padukshme. . . . Gjithashtu, ai është para çdo gjëje tjetër, dhe me anë të tij erdhi në jetë gjithçka tjetër.» Le të mendojmë pak për këtë! Si ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë, Jezui mori pjesë në të gjitha aspektet e krijimit. Pra, ai kupton çdo hollësi të mbarë universit, që nga grimcat më të vogla se atomi deri te truri i mahnitshëm i njeriut. Po, Krishti është vërtet personifikimi i mençurisë!—Prov. 8:12, 22, 30, 31.
7, 8. Si e ndihmoi fryma e Perëndisë Jezuin në shërbimin e tij?
7 Jezui u miros me frymën e shenjtë të Perëndisë. «Fryma e Jehovait është mbi mua,—tha Jezui,—sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve, më dërgoi që t’u predikoj çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve, që të çliroj të dërrmuarit dhe të predikoj vitin e pranimit nga Jehovai.» (Luka 4:18, 19) Duket se kur Jezui u pagëzua, fryma e shenjtë e bëri të vetëdijshëm për ato që kishte mësuar gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore, duke përfshirë edhe atë që priste Perëndia prej tij gjatë shërbimit në tokë si Mesia.—Lexo Isainë 42:1; Lukën 3:21, 22; Gjonin 12:50.
8 I fuqizuar nga fryma e shenjtë dhe i përsosur në trup e mendje, Jezui nuk ishte vetëm njeriu më i madh që jetoi në tokë, por edhe Mësuesi më i madh. Faktikisht, ata që e dëgjuan ‘mbetën të mahnitur nga mënyra se si mësonte’. (Mat. 7:28) Së pari, Jezui ishte i aftë të merrej me shkaqet rrënjësore të problemeve të njerëzimit: mëkatin, papërsosmërinë dhe padijen frymore. Gjithashtu, ai mund të shihte çfarë kishin njerëzit në zemër dhe të vepronte në përputhje me këtë.—Mat. 9:4; Gjoni 1:47.
9. Si rritet besimi ynë te Jezui si Sundimtar duke reflektuar për përvojën e tij në tokë?
9 Jezui jetoi si njeri. Përvoja e tij si njeri dhe shoqërimi nga afër me njerëz të papërsosur e ndihmuan shumë Jezuin për t’u kualifikuar si Mbret. Apostulli Pavël shkroi: «[Jezui] ishte i detyruar të bëhej si ‘vëllezërit’ e tij në çdo aspekt, që të bëhej një kryeprift i mëshirshëm dhe i besueshëm në shërbimin e Perëndisë, me qëllim që të paraqiste një flijim pajtues për mëkatet e popullit. Meqë vuajti vetë kur u vu në provë, ai është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre që po vihen në provë.» (Hebr. 2:17, 18) Meqenëse «u vu në provë», Jezui mund t’i kuptojë ata që kalojnë sprova. Ai e shfaqi qartë dhembshurinë gjatë shërbimit të tij në tokë. Të sëmurët, të gjymtuarit, të nëpërkëmburit, madje edhe fëmijët e kishin të lehtë t’i afroheshin. (Mar. 5:22-24, 38-42; 10:14-16) Atij i afroheshin edhe njerëzit zemërbutë e të etur frymësisht. Kurse krenarët, arrogantët dhe ata që ‘nuk kishin dashuri për Perëndinë’, nuk e pranuan, e urryen dhe iu kundërvunë.—Gjoni 5:40-42; 11:47-53.
10. Cila ishte prova më e madhe që tregon se Jezui na do?
10 Jezui dha jetën për ne. Mbase prova më e madhe që tregon se s’ka sundimtar më të mirë se Jezui, ishte gatishmëria e tij për të vdekur për ne. (Lexo Psalmin 40:6-10.) Krishti tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:13) E pra, ndryshe nga sundimtarët e papërsosur njerëzorë, që shpesh bëjnë një jetë të privilegjuar në kurriz të nënshtetasve të tyre, Jezui dha jetën për njerëzimin.—Mat. 20:28.
I autorizuar për të zbatuar dobitë e shpërblesës
11. Pse mund të kemi besim të plotë te Jezui si Shpërblyesi ynë?
11 Meqë është Kryeprifti, është më se me vend që Jezui të marrë drejtimin për të zbatuar dobitë e flijimit shpërblyes për ne. Faktikisht, gjatë shërbimit të tij në tokë, ai na dha një pamje paraprake të asaj që do të bëjë si Shpërblyesi ynë gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, të cilën mund ta shijojmë nëse jemi besnikë. Shëroi të sëmurë e të gjymtuar, ringjalli të vdekur, ushqeu turma e madje kontrolloi dukuritë e natyrës. (Mat. 8:26; 14:14-21; Luka 7:14, 15) Këto nuk i bëri për t’u mburrur me autoritetin dhe fuqinë e tij, por për të treguar dhembshuri e dashuri. «Dua»,—i tha një të lebrosuri që iu përgjërua ta shëronte. (Mar. 1:40, 41) Jezui do të tregojë të njëjtën dhembshuri gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, veçse në një shkallë globale.
12. Si do të përmbushet Isaia 11:9?
12 Veç kësaj, Krishti dhe ata që do të sundojnë bashkë me të, do të vazhdojnë programin e arsimimit frymor të nisur nga Jezui rreth 2.000 vjet më parë. Kështu do të përmbushen fjalët e Isaisë 11:9: «Toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.» Në këtë arsimim hyjnor do të përfshihen pa dyshim udhëzime se si të kujdesemi për tokën dhe krijesat e saj të panumërta, siç u urdhërua në fillim Adami. Në fund të 1.000 vjetëve, do të jetë përmbushur qëllimi fillestar i Perëndisë që tregohet te Zanafilla 1:28, dhe do të jenë zbatuar plotësisht dobitë e flijimit shpërblyes.
I autorizuar për të gjykuar
13. Si e tregoi Jezui dashurinë e tij për drejtësinë?
13 Krishti është «Ai që Perëndia dekretoi për të qenë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve». (Vep. 10:42) Sa lehtësuese është të dimë se Jezui është i pakorruptueshëm dhe se drejtësia e besnikëria janë si brez i shtrënguar fort rreth ijëve të tij! (Isa. 11:5) Ai tregoi se e urrente lakminë, hipokrizinë e ligësi të tjera dhe i qortoi ata që tregoheshin të pashpirt ndaj vuajtjes së të tjerëve. (Mat. 23:1-8, 25-28; Mar. 3:5) Gjithashtu, Jezui tregoi se nuk mashtrohej nga pamja e jashtme, «pasi e dinte vetë se si ishin [njerëzit] nga brenda».—Gjoni 2:25.
14. Si po e tregon Jezui dashurinë e tij për drejtësinë tani dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
14 Jezui vazhdon të tregojë dashuri për drejtësinë duke mbikëqyrur fushatën më të madhe të predikimit dhe të mësimit në historinë e botës. Asnjë njeri, asnjë qeveri njerëzore dhe asnjë frymë e ligë nuk mund ta pengojë realizimin e kësaj vepre derisa Perëndia ta quajë tërësisht të përfunduar. Kështu, mund të jemi plotësisht të sigurt se kur të mbarojë Harmagedoni, drejtësia hyjnore do të ketë triumfuar. (Lexo Isainë 11:4; Mateun 16:27.) Të pyesim veten: «A pasqyron shërbimi im qëndrimin e Jezuit ndaj njerëzve? A po i jap Jehovait më të mirën, edhe nëse shëndeti ose rrethanat më kufizojnë?»
15. Çfarë duhet të mbajmë parasysh që t’i japim Perëndisë më të mirën?
15 Do ta kemi më të lehtë t’i shërbejmë Perëndisë me gjithë shpirt, nëse mbajmë parasysh që vepra e predikimit është vepra e tij. Ai e urdhëroi; ai e drejton nëpërmjet Birit të tij dhe u jep fuqi me anë të frymës së shenjtë atyre që marrin pjesë në të. A e vlerësojmë privilegjin për të shërbyer si bashkëpunëtorë të Perëndisë krah për krah me Birin e tij të drejtuar nga fryma? Kush tjetër veç Jehovait mund të nxitë më shumë se 7 milionë njerëz, shumica e të cilëve konsiderohen «të pashkolluar e të thjeshtë», që ta predikojnë mesazhin e Mbretërisë në 236 vende?!—Vep. 4:13.
Të marrim bekime nëpërmjet Krishtit!
16. Çfarë tregon Zanafilla 22:18 për bekimet që do të sjellë Perëndia?
16 Jehovai i tha Abrahamit: «Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës, falë faktit që ti e dëgjove zërin tim.» (Zan. 22:18) Kjo tregon se ata që e kanë për nder t’i shërbejnë Perëndisë dhe Birit të tij, mund të presin me besim bekimet që do të sjellë Fara mesianike. Ndërkohë, ata vazhdojnë të shërbejnë me zell duke mbajtur në mend këto bekime.
17, 18. Çfarë premtoi Jehovai te Ligji i përtërirë 28:2 dhe çfarë do të thotë për ne?
17 Në një rast, Perëndia u tha pasardhësve të Abrahamit, kombit të Izraelit: «Po ta dëgjosh vazhdimisht zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, do të të zënë të gjitha këto bekime.» (Ligj. 28:2) E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shërbëtorët e Perëndisë sot. Nëse duam të kemi bekimin e Jehovait, duhet ‘të dëgjojmë vazhdimisht’ zërin e tij. Vetëm kështu ‘do të na zënë’ bekimet e tij. Megjithatë, çfarë do të thotë ‘të dëgjosh’?
18 Të dëgjosh do të thotë ta marrësh seriozisht atë që thuhet në Fjalën e Perëndisë dhe në ushqimin frymor që siguron ai. (Mat. 24:45) Gjithashtu, do të thotë t’i bindesh Perëndisë dhe Birit të tij. Jezui tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.» (Mat. 7:21) Të dëgjosh Perëndinë do të thotë edhe t’i nënshtrohesh me gatishmëri masës që ka marrë ai, domethënë kongregacionit të krishterë me pleqtë e emëruar si «dhurata në njerëz».—Efes. 4:8.
19. Si mund të marrim bekime?
19 Mes atyre ‘dhuratave në njerëz’ janë edhe anëtarët e Trupit Udhëheqës, të cilët veprojnë si përfaqësues të gjithë kongregacionit të krishterë. (Vep. 15:2, 6) Faktikisht, qëndrimi ynë ndaj vëllezërve frymorë të Krishtit përcakton në një masë të madhe se si do të gjykohemi gjatë shtrëngimit të madh që po vjen. (Mat. 25:34-40) Kështu, një mënyrë për të marrë bekime, është të mbështetim me besnikëri të mirosurit e Perëndisë.
20. (a) Cila është një nga përgjegjësitë kryesore që kanë ‘dhuratat në njerëz’? (b) Si e tregojmë se i vlerësojmë këta vëllezër?
20 ‘Dhuratat në njerëz’ përfshijnë edhe anëtarët e Komiteteve të Degëve, mbikëqyrësit udhëtues dhe pleqtë e kongregacionit, të gjithë të emëruar nga fryma e shenjtë. (Vep. 20:28) Përgjegjësia kryesore e këtyre vëllezërve është të ndërtojnë popullin e Perëndisë «derisa të gjithë ne të arrijmë njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit të plotë të Krishtit». (Efes. 4:13) Pa dyshim, ata janë të papërsosur njësoj si të gjithë ne. Megjithatë, marrim bekime kur tregojmë vlerësim dhe i përgjigjemi pozitivisht kujdesit të tyre si barinj.—Hebr. 13:7, 17.
21. Pse është urgjente t’i bindemi Birit të Perëndisë?
21 Së shpejti, Krishti do të hidhet në veprim kundër këtij sistemi të lig të Satanait. Kur të ndodhë kjo, jeta jonë do të jetë në duart e Jezuit, pasi Perëndia e ka autorizuar të drejtojë ‘shumicën e madhe’ të parathënë drejt «ujërave të jetës». (Zbul. 7:9, 16, 17) Prandaj, le të bëjmë çmos tani që t’i nënshtrohemi me gatishmëri dhe mirënjohje Mbretit të emëruar nga Jehovai e të drejtuar nga fryma.
Çfarë kemi mësuar nga . . .
• Isaia 11:1-5?
• Veprat 10:42?
[Figura në faqen 17]
Dhembshuria e Jezuit u duk qartë kur ringjalli të bijën e Jairit
[Figurat në faqen 18]
Jezu Krishti po mbikëqyr fushatën më të madhe të predikimit në histori