BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w10 1/3 f. 30-31
  • Ëmbëlsia

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ëmbëlsia
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Nëntema
  • Nuk është dobësi
  • Forcë bashkuese
  • Ëmbëlsi e shtirë
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
w10 1/3 f. 30-31

Ëmbëlsia

(Ky artikull është një përkthim nga libri Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi I, faqet 923, 924, anglisht.)

BUTËSI në qëndrim a sjellje, pra e kundërta e vrazhdësisë ose e ashpërsisë. Ëmbëlsia lidhet ngushtë me përulësinë dhe me zemërbutësinë.

Ëmbëlsia është një cilësi që pritet nga çdo shërbëtor i Perëndisë, sidomos nga dikush që ka detyrë të rëndësishme mbikëqyrjeje. Apostulli Pavël tha se «skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël [greqisht, épion] me të gjithë». (2 Timoteut 2:24) Një njeri i ëmbël nuk është i bujshëm, i zhurmshëm dhe as i kalon caqet. Moisiu, njeriu i Perëndisë së vërtetë, edhe pse nuk shfaqi në çdo rast qëndrimin e duhur, «ishte një njeri shumë zemërbutë; ai ishte më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3; Psalmi 90:Mbishkrimi) Fjalët e tij në një rast u krahasuan me «shirat e buta [e ëmbla, Bota e Re me referime, anglisht] përmbi bar».—Ligji i përtërirë 32:2.

Te 1 Selanikasve 2:7, Pavli tha për veten dhe shokët e tij: «U sollëm ëmbëlsisht me ju [selanikasit], ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj.» Kjo vinte ngaqë i donin vërtet njerëzit që mësonin dhe merakoseshin për rritjen e tyre frymore. (1 Selanikasve 2:8) Fjala épioi (e përkthyer «ëmbëlsisht») gjendet në Textus Receptus, në tekstin e Tishendorfit, të Merkut dhe në disa dorëshkrime. Sipas U. E. Vajnit, fjala épios «përdorej shpesh nga shkrimtarët grekë për të përshkruar sjelljen e një mëndeshe a kujdestareje me fëmijët e vështirë, të një mësuesi me nxënësit e pashtruar ose sjelljen e prindërve ndaj fëmijëve. Te 1 Selanikasve 2:7, apostulli e përdor këtë fjalë për sjelljen e vet dhe të misionarëve të tjerë ndaj besimtarëve të rinj në Selanik».—Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words, 1981, vëll. 2, f. 145.

Megjithatë, në tekstin grek të Uestkotit dhe Hortit e në dorëshkrime të tjera, kjo fjalë te 1 Selanikasve 2:7 është népioi, «foshnja». Për këtë, një fjalor teologjik komenton: «Ka dy variante të 1 Selanikasve 2:7: (a) épioi (u sollëm ëmbël mes jush); (b) népioi (foshnja). Fjala para kësaj mbaron me n, dhe ka të ngjarë që kjo n të jetë kopjuar gabimisht dy herë. Për më tepër, shpjegimi i variantit të dytë krijon vështirësi, sepse në vargun 7b Pavli krahason me ‘fëmijë’ selanikasit, jo veten; ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin si një mëndeshë (trophos).»—The New International Dictionary of New Testament Theology, nga Ç. Brauni, 1975, vëll. 1, f. 282.

Nuk është dobësi

Ëmbëlsia nuk është shenjë dobësie. Duhet forcë karakteri që të sillesh ëmbëlsisht dhe t’i qetësosh të tjerët ose të mos u lëndosh ndjenjat, sidomos kur je në një situatë acaruese. Te 2 Samuelit 18:5 tregohet se Davidi, që ishte luftëtar, u shty nga dashuria atërore dhe e urdhëroi Joabin të sillej ëmbël me birin e tij rebel, Absalomin. Këtu fjala hebraike (at) tregon një lëvizje që bëhet me butësi ose ëmbëlsi. Apostulli Pavël, edhe pse sillej ëmbëlsisht, nuk ishte njeri i dobët, siç shihet nga zotësia e tij për të folur plot forcë kur lindte nevoja, si për shembull kur shkroi letrën e parë dhe të dytë drejtuar kongregacionit të krishterë në Korint.

Forcë bashkuese

Kur dikush flet dhe vepron me ëmbëlsi, kjo është e këndshme dhe i hap udhë paqes. Kush ka këtë cilësi është njeri që mund t’i afrohesh kollaj, nuk ka hije të rëndë dhe me sjelljen e tij zakonisht i ndërton frymësisht të tjerët. Sjellja e ashpër, e vrazhdë, e potershme dhe vulgare shkakton përçarje dhe i largon njerëzit. Kurse ëmbëlsia të tërheq dhe bashkon. Jehovai përshkruhet sikur i mbledh qengjat e tij dhe i mban në gji (domethënë në palat e mëdha të pjesës së sipërme të veshjes, ku barinjtë mbanin nganjëherë qengjat). (Isaia 40:11) Biri i tij, Jezu Krishti, iu drejtua me këto fjalë Jerusalemit: «Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por,—shtoi ai,—ju nuk deshët.» (Mateu 23:37) Si pasojë, ranë në dorë të ushtrisë romake që i trajtoi me ashpërsi kur u shkretua qyteti i tyre në vitin 70 të e.s.

Ëmbëlsi e shtirë

Toni dhe sjellja e ëmbël, si për shembull një zë i butë, nuk tregojnë gjithnjë ëmbëlsi të vërtetë. Për të qenë vërtet e sinqertë, kjo cilësi duhet të burojë nga zemra. Teksa Jobi, një shërbëtor i Perëndisë, vuante në duart e Satanait që i vinte në provë integritetin ndaj Perëndisë, tre shokë e goditën me fjalë. E akuzuan për mëkate të fshehta, për ligësi dhe kokëfortësi, duke lënë të kuptohej edhe se ishte apostat dhe se bijve të tij u kishte ardhur vdekja nga Perëndia, për faj të ligësisë së tyre. Prapëseprapë, njëri nga ata të tre, Elifazi, i tha Jobit: «A nuk të mjafton ngushëllimi i Perëndisë, a një fjalë e thënë me ëmbëlsi?» (Jobi 15:11) Pra, të paktën disa fjalë ndoshta ia thanë me ton të butë, por përmbajtja ishte e ashpër, prandaj nuk ishte ëmbëlsi e vërtetë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo