BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w06 15/12 f. 8-11
  • Përhapja e lajmit të mirë në Haitin e larmishëm

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përhapja e lajmit të mirë në Haitin e larmishëm
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Nëntema
  • Predikojnë në një qytezë të largët
  • Lajmi i mirë në vepra arti shumëngjyrëshe
  • Flasin për lajmin e mirë në shkollë
  • Përdorin gjuhën kreole
  • U çojnë lajmin e mirë atyre që janë në burg
  • Zgjohuni! u sjell lajmin e mirë shumë vetave
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
w06 15/12 f. 8-11

Përhapja e lajmit të mirë në Haitin e larmishëm

HAITI dhe Republika Domenikane ndodhen të dy në ishullin tropikal të Espanjolës, që ka malet më të larta në ishujt e Karaibeve. Disa maja malesh arrijnë lartësinë mbi 2.400 metra. Gjatë muajve «të ftohtë», në pellgjet e vogla që ndodhen në zonat malore, mund të formohet brymë dhe një shtresë e hollë akulli.

Malet dhe luginat në jug të Haitit janë të mbuluara nga pyje tropikale të harlisura. Ndërsa në vende të tjera, malet janë pothuajse të zhveshura, të ashpra dhe shpesh të thepisura, për shkak të shpyllëzimit. Nëse do të udhëtonit në veri ose në jug, Haiti do t’ju dukej shumë piktoresk. Duke kaluar në disa rrugë malore të ngushta e gjarpëruese, do të shpërbleheshit me panorama spektakolare të tokës dhe të detit që ndryshojnë vazhdimisht. Mund të shihnit lule të shumëllojshme dhe ngjyra të gjalla kudo.

Në këtë vend të larmishëm me 8,3 milionë banorë, shumica e popullsisë jeton në fshat dhe është me origjinë afrikane. Ndonëse pjesa më e madhe nuk ka shumë gjëra materiale, janë të dashur e mikpritës. Për rreth 60 vjet, Dëshmitarët e Jehovait u kanë çuar me kënaqësi atyre lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe janë pritur me shumë ngrohtësi.—Mateu 24:14.

Predikojnë në një qytezë të largët

Përvoja e një misionareje në vizitën e parë në një qytezë të largët, ishte tipike. Ajo shkroi:

«Një ditë marsi në vitin 2003, shkuam të predikonim në Kazal, një qytezë e vogël që është rreth gjysmë ore larg Kabaresë, ku ndodhet tani shtëpia jonë misionare, 30 kilometra në veri të kryeqytetit Port-o-Prens. Herën e fundit, Dëshmitarët kishin predikuar në Kazal në vitin 1999, prandaj ishim të emocionuar kur filluam udhëtimin në orën 7 të mëngjesit. Ishim 22 veta, pothuajse i gjithë kongregacioni, kështu që u ngjeshëm në dy furgonë fuoristradë. Të gjithë flitnim dhe qeshnim të emocionuar, ndërsa udhëtonim nëpër rrugë të pjerrëta e të pashtruara, derisa mbërritëm në një luginë me shumë pemë të mëdha. Përmes luginës rrjedh një lumë, i cili kalon mes për mes qytezës së Kazalit.

Historia e kësaj qyteze të qetë nis aty nga fillimi i shekullit të 19-të, kur disa ushtarë polakë, që erdhën në Haiti për të ndihmuar ish-skllevërit të fitonin pavarësinë, u vendosën në këtë luginë pjellore së bashku me gratë e tyre haitiane. Rezultati ishte një përzierje e bukur njerëzish. Është mahnitëse të shohësh banorë vendës me lëkurë të bardhë, me lëkurë të zeshkët, me lëkurë të zezë; me sy gështenjë, me sy jeshilë, me sy të zinj e kështu me radhë.

Në derën e parë që trokitëm, i zoti i shtëpisë nuk ishte i interesuar. Ndërsa po iknim, një burrë doli në rrugë të na takonte. Ai donte të dinte nëse besonim që ka dallim mes Jezuit dhe Perëndisë. I kërkuam të sillte Biblën e tij dhe, pas bisedës biblike që bëmë, u bind se Jezui është Biri i Perëndisë dhe se Jehovai është ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’. (Gjoni 17:3) Shumë njerëz na ftuan të uleshim e të flitnim me ta. Disa pyetën: ‘Kur do të vini prapë e të studioni Biblën me ne?’

Në drekë, gjetëm një vend të rehatshëm me hije dhe u bëmë gati të hanim drekën. Dy motra kishin gatuar një tenxhere të madhe me peshk. Ishte i mrekullueshëm! Qëndruam pak, duke ngrënë e duke folur, e ndërkohë u predikonim edhe kalimtarëve. Pastaj, kaluam lumin për të shkuar në anën tjetër të qytezës. U kënaqëm shumë duke folur me ata njerëz të mirë, që rrinin ulur poshtë pemëve, pranë shtëpive të tyre të thjeshta. Sa e këndshme ishte të dëgjoje fëmijët që luanin, gratë që lanin rroba në lumë dhe gjyshet që bluanin kafenë!

Ishte ora katër e pasdites dhe grupi ynë i lumtur u drejtua për te furgonët, për t’u kthyer në Kabare. Im shoq dhe unë u kënaqëm me vizitën e parë në Kazal, një vend me njerëz mikpritës e miqësorë.»

Që kur erdhën misionarët e parë Dëshmitarë në Haiti, në vitin 1945, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në këtë vend është rritur vazhdimisht, kështu që tani ka rreth 14.000 lajmëtarë që predikojnë dhe drejtojnë më shumë se 22.000 studime biblike. Ata kanë ndikuar në jetën e 59.372 vetave që ndoqën Përkujtimin në mars të vitit 2005 dhe e kanë shpallur publikisht lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Shikoni mënyrat e shumta në të cilat ka ndikuar te njerëzit vepra e Dëshmitarëve të Jehovait.

Lajmi i mirë në vepra arti shumëngjyrëshe

Haitianëve në përgjithësi u pëlqejnë ngjyrat e gjalla. Këtë e pasqyrojnë në veshjet e tyre, në bojën e shtëpive, në lulet e shumta që kanë nëpër kopshte, si dhe në veprat e artit. Nëpër rrugët e Port-o-Prensit sheh të ekspozuara piktura me stilin e gjallë vendës, të njohur si L’Art Haitien. Këtu vijnë blerës nga shumë pjesë të botës.

Ngjyrat e gjalla nuk i sheh vetëm nëpër piktura. Në rrugët e Port-o-Prensit lëvrijnë automjete për pasagjerë, të quajtura tap-tap, që janë pikturuar me motive të ndërlikuara dhe plot imagjinatë. Shpesh mund të shohësh tablo të bazuara në Bibël.

Ndërsa ecën rrugës, papritur mund të ndeshësh një skenë të njohur, si për shembull atë të Adamit dhe Evës në Eden. Ja ku është, e pikturuar në dritaren e pasme të automjetit që sapo kaloi! Shkrime ose citate që përmbajnë emrin e Jehovait, mund të shohësh shpesh të pikturuara në këto automjete, ose të përfshira në emrat e kompanive tregtare.

Flasin për lajmin e mirë në shkollë

Të rinjtë Dëshmitarë në Haiti kanë shumë raste të mira për të ndihmuar nxënësit e tjerë që të mësojnë për Biblën. Raporti vijues që sjell një Dëshmitare 17-vjeçare, është një shembull i kësaj.

«Një ditë, një shok i klasës erdhi tek unë dhe më pyeti çfarë donte të thoshte fjala ‘kurvëri’. Duke menduar se donte të flirtonte me mua, nuk i kushtova vëmendje. Por, kur pastaj ai pyeti një djalë në klasë për të njëjtën gjë, e gjithë klasa filloi të interesohej. Prandaj, bëra ca kërkime për këtë temë dhe një javë më vonë ia prezantova informacionin klasës, duke shpjeguar pse Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë të pastër moralisht, frymësisht dhe fizikisht.

Nxënësit e tjerë bënë shumë pyetje dhe i pranuan përgjigjet që u dhashë nga Bibla. Edhe drejtori, që fillimisht ngurronte, më bëri shumë pyetje dhe mori masa që të flisja edhe para klasave të tjera. U tregova librin Të rinjtë pyesin. . . Përgjigje praktikea dhe shumë veta shfaqën interes. Ditën tjetër, u lashë shokëve të shkollës 45 libra. Shumë prej tyre e mbaruan shpejt së lexuari dhe disa tani po studiojnë Biblën me Dëshmitarët që jetojnë pranë tyre. Një nxënës, i cili jeton në lagjen time, tani i ndjek të gjitha mbledhjet.»

Përdorin gjuhën kreole

Siç janë të larmishëm e interesantë njerëzit dhe vendi, po ashtu është edhe gjuha kreole e Haitit, që bashkon fjalë franceze me gramatikën e Afrikës Perëndimore. Kjo është gjuha amtare e haitianëve, e cila iu prek zemrën. Dëshmitarët e Jehovait e kryejnë shërbimin e tyre kryesisht në këtë gjuhë dhe janë marrë masa për të prodhuar më shumë literaturë biblike në gjuhën kreole të Haitit.

Në vitin 1987 u përkthye në gjuhën kreole të Haitit broshura Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, e pasuar nga libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe më pas broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Këto botime i kanë ndihmuar shumë studentët e rinj të Biblës, që duan të fitojnë kuptueshmërinë themelore të Fjalës së Perëndisë. Duke filluar që nga 1 shtatori 2002, në kreolen e Haitit është botuar edhe Kulla e Rojës. Literatura në gjuhën franceze përdoret ende, por shumë veta pëlqejnë të lexojnë më tepër botimet në gjuhën e tyre.

U çojnë lajmin e mirë atyre që janë në burg

Kohët e fundit Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar t’u flasin për lajmin e mirë burrave dhe grave që ndodhen në burgje. Dëshmitarët e përfshirë në këtë shërbim, janë të lumtur që u çojnë një mesazh ngushëllimi atyre që janë në gjendje shumë të mjeruar. Një vëlla raporton:

«Në vizitën e parë që bëmë në një burg, të burgosurit i sollën në një dhomë të madhe që të na takonin. Pyetnim veten si do të reagonin. Kur u shpjeguam se ishim aty që t’i ndihmonim të kuptonin Biblën, të 50-të na pritën mirë. U treguam broshurat në kreole Të mësojmë lexim dhe shkrim dhe Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, dhe filluam studime biblike me 26 prej tyre. Dhjetë të pranishëm ishin analfabetë, por treguan interes kur u demonstruam si të përdornin ilustrimet nëpër broshura, si ndihmë për të kuptuar fjalët.»

Kur Dëshmitarët u kthyen, një burrë u tha: «E kam lexuar disa herë broshurën. Mendoj vazhdimisht për atë që thotë dhe mezi po e pritja vizitën tuaj.» Një burrë që ishte arrestuar për grabitje të armatosur, tha se donte të ndryshonte dhe kërkoi të dërgonim dikë që të studionte Biblën me gruan e tij. Një baba i dy fëmijëve, që ishte në burg, bëri të njëjtën kërkesë, që edhe gruaja e tij të shihte dallimin mes besimit të vërtetë dhe besimeve të rreme. Një klerik protestant, që ishte fajtor se kishte mashtruar anëtarët e kishës së tij për një shumë të madhe parash, tha se tani kishte gjetur të vërtetën dhe se, pasi të vuante dënimin, do të ndihmonte anëtarët e kishës së tij të bëheshin Dëshmitarë të Jehovait.

Një i burgosur tjetër që s’kishte broshurën Çfarë kërkon? në gjuhën kreole, e kopjoi me shkrim të gjithë broshurën që kishte shoku i tij i qelisë dhe e mësoi përmendësh. Një e burgosur filloi t’u fliste nëntë shoqeve të saj të qelisë për atë që po mësonte, madje nisi të studionte me to. Ndërsa një tjetër e mbaroi së studiuari broshurën dhe, pasi filloi me librin Njohuria, nisi t’u predikonte të burgosurve të tjerë. S’kaloi shumë dhe po drejtonte studime biblike me katër prej tyre.

Merkonib më parë kishte studiuar Biblën dhe ka të afërm që janë Dëshmitarë të Jehovait. Ai i nxiste të burgosurit e tjerë që të lexonin literaturën biblike që i sillnin të afërmit. Ja çfarë thotë: «Kur u tregoj literaturën të burgosurve, më quajnë Dëshmitar i Jehovait. U them se nuk jam i tillë, sepse e di çfarë do të thotë të jesh Dëshmitar. Tani dua ta marr seriozisht këtë çështje, të studioj dhe të pagëzohem. Po ta kisha ndjekur kur isha më i ri rrugën që ndoqën vëllezërit e mi të mëdhenj, nuk do të isha tani këtu në burg.»

Një i burgosur që kishte marrë literaturë nga Merkoni, i tha Dëshmitarit që e vizitoi: «Para se të vinit ju, të hënën e kaluar, isha i dëshpëruar dhe doja të vritja veten. Por, pasi lexova revistat tuaja, iu luta Perëndisë të më falte për gjërat e këqija që kam bërë dhe të dërgonte dikë që të më tregonte rrugën e drejtë. Sa u lumturova kur erdhët ju ditën tjetër dhe u ofruat të studionit Biblën me të burgosurit! Do të kisha dëshirë të më mësonit si t’i shërbej Jehovait.»

Zgjohuni! u sjell lajmin e mirë shumë vetave

Zgjohuni! e 8 nëntorit 2000, kishte si seri artikujsh kryesorë profesionin e infermierisë. Një grua mori 2.000 kopje dhe ua shpërndau infermiereve që po ndiqnin një seminar në Port-o-Prens. Ndërsa Zgjohuni! e 8 korrikut 2002, që kishte artikuj për policinë dhe punën e saj, pati një shpërndarje të gjerë te policët e Port-o-Prensit. Ata e vlerësuan këtë revistë e madje, edhe tani, disa i ndalojnë Dëshmitarët në rrugë dhe u kërkojnë kopje të saj.

Kohët e fundit, një nëpunëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë organizoi një program për të informuar njerëzit rreth problemit të SIDA-s. E ftuan në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait, ku i treguan informacionin që është botuar në revistën Zgjohuni! për këtë temë. Asaj i bëri përshtypje kur pa artikuj që me anë të Biblës shqyrtonin mënyrën më të mirë për të parandaluar SIDA-n dhe si të ndihmojmë të infektuarit të përballojnë situatën e tyre. Tha se Zgjohuni! është pararojë në botimin e informacioneve të tilla për këtë temë.

Po, në shumë mënyra Dëshmitarët e Jehovait po përhapin lajmin e mirë në Haitin e larmishëm, ashtu siç po bëjnë edhe në 234 vende të tjera përreth globit. Shumë veta po i përgjigjen këtij mesazhi shprese dhe po marrin ndihmë që të shohin përtej vështirësive të tanishme të jetës, drejt një bote të re, ku të gjithë ata që adhurojnë Perëndinë e vërtetë, Jehovain, do të gëzojnë jetën e përhershme në mes të bollëkut.—Zbulesa 21:4.

[Shënimet]

a Botimet, titujt e të cilave përmenden në këtë artikull, janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

b Emri është ndryshuar.

[Burimi i figurës në faqen 9]

Sfondi: ©Adalberto Rios Szalay/photodisc/age fotostock

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo