Të diplomuarit e Galaadit u nxitën të flasin për «gjërat madhështore»
NJË grup prej 6.635 vetash nga 52 vende ishte i pranishëm për të ndjekur programin e diplomimit të klasës së 115-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, që u mbajt më 13 shtator 2003.
Ata dëgjuan fjalët inkurajuese të bazuara në Bibël që iu dhanë 48 studentëve të klasës, të cilët u nxitën t’ua çonin «gjërat madhështore të Perëndisë» njerëzve në 17 vende. (Veprat 2:11) Në këto vende do të shkonin tani të diplomuarit për të kryer veprën e tyre misionare.
Në komentet hyrëse, Stiven Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait e drejtues i këtij programi të diplomimit, u kujtoi studentëve: «Kur të shkoni në caktimet tuaja, kudo që të jeni e në çfarëdo rrethane, mbani mend se ata që janë me ju janë më të shumtë se ata që janë kundër jush.» Duke u mbështetur në kapitullin e 6-të të librit të dytë të Mbretërve, vëlla Leti u kujtoi studentëve se mund të jenë gjithnjë të sigurt për mbështetjen e Jehovait dhe të morive të engjëjve, ndërsa bëjnë të njohura «gjërat madhështore të Perëndisë». (2 Mbretërve 6:15, 16) Të krishterët e shekullit të parë hasën kundërshtim dhe indiferencë në predikim e në veprën e mësimdhënies, e po ashtu edhe misionarët e krishterë sot hasin rrethana të ngjashme. Gjithsesi, mund të jenë të sigurt për mbështetjen qiellore, si edhe të organizatës tokësore të Jehovait.—Psalmi 34:7; Mateu 24:45.
Të flasim për «gjërat madhështore të Perëndisë»
Pas komenteve hyrëse të drejtuesit të programit foli Harold Korkërni nga Komiteti i Degës së Shteteve të Bashkuara, i cili trajtoi temën «Pritjet realiste janë jetike për të pasur gëzim e sukses në shërbim». Vëlla Korkërni theksoi se shpresat e parealizuara mund të çojnë në zhgënjim, siç e tregon Fjalët e urta 13:12. Mirëpo, zhgënjimi shpesh vjen ngaqë presim gjëra jorealiste të cilat nuk realizohen. Të diplomuarit duhet të kenë pikëpamje të ekuilibruar dhe realiste për veten e tyre dhe për të tjerët. Do të bëjnë ca gabime, kjo mund të pritet, por këto gabime nuk duhet t’i bëjnë tepër të trishtuar, ndërsa përpiqen të ndihmojnë të tjerët që të kuptojnë «gjërat madhështore të Perëndisë». Vëlla Korkërni i inkurajoi misionarët e rinj të mbështeten te Jehovai, «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm».—Hebrenjve 11:6.
Më pas në program ishte fjalimi i Daniel Sidlikut, anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili trajtoi temën: «Shpresa e krishterë: Çfarë është?» Ai tha: «Shpresa është një virtyt ose cilësi pozitive e krishterë. Është një normë e së drejtës që e vendos dikë në marrëdhënien e duhur me Perëndinë. Për një që s’është i krishterë, është e pamundur të shpresojë siç shpresojmë ne.» Më tej vëlla Sidliku përshkroi aspekte të ndryshme të shpresës së krishterë që e ndihmojnë një njeri të vazhdojë të jetë optimist edhe kur gjendet përballë vështirësive të jetës. «Kur kemi shpresë, mund ta përballojmë jetën me një zell të përtërirë dhe me frymë triumfuese.» Shpresa e ndihmon një të krishterë ta shohë Jehovain si një Perëndi që ka qëllime dhe të gëzojë duke i shërbyer atij.—Romakëve 12:12.
Uollas Livërënsi, sekretar administrativ i Shkollës së Galaadit, i inkurajoi studentët me fjalët «Vazhdoni të ecni sipas frymës». (Galatasve 5:16) Ai u tregoi se si Baruku, sekretari i Jeremisë, pati një periudhë kur gati-gati nuk po ecte më sipas frymës. Në njëfarë pike, Baruku u lodh e filloi të kërkonte gjëra të mëdha për vete. (Jeremia 45:3, 5) Vëlla Livërënsi pastaj theksoi se disa nuk e ndoqën më Jezuin dhe e hodhën poshtë të vërtetën frymore, e cila është e domosdoshme për shpëtimin. Kjo ndodhi sepse nuk e kuptuan çfarë po u mësonte Jezui dhe u zhgënjyen ngaqë nuk iu realizuan në atë kohë shpresat që kishin si njerëz. (Gjoni 6:26, 27, 51, 66) Çfarë mund të mësojnë nga këto tregime misionarët, vepra e të cilëve është t’ua drejtojnë vëmendjen njerëzve te Krijuesi dhe te qëllimi i tij? Studentët u nxitën të mos e kishin mendjen që të zinin ndonjë pozitë, të merrnin lavdërime nga njerëzit ose t’i përdornin caktimet teokratike për përfitime personale.
«Do të jesh një nga ata që jep apo që merr?»—ishte pyetja që bëri Mark Numari, instruktor i Galaadit. Komentet i bazoi te Gjykatësve 5:2, ku izraelitët u lavdëruan sepse dolën vullnetarë për të shërbyer në ushtrinë e Barakut, pa menduar shumë për veten. Studentët e Galaadit morën lavdërime për frymën që treguan duke iu përgjigjur thirrjes së Barakut më të Madh, Jezu Krishtit, që të angazhoheshin më shumë në luftën frymore. Ushtarët e Krishtit duhet të jenë të interesuar për të marrë miratimin e atij që i ka thirrur. Vëlla Numari u kujtoi studentëve: «Kur fillojmë të mendojmë shumë se si të kënaqim veten, nuk e luftojmë më armikun. . . . Shërbimi misionar nuk bëhet për ty. Bëhet për Jehovain, për sovranitetin e tij dhe për vullnetin e tij që po kryhet. Ne nuk shërbejmë si misionarë sepse duam që Jehovai të na bëjë të lumtur, i shërbejmë atij sepse e duam.»—2 Timoteut 2:4.
Më pas, Lorenc Boueni, instruktor i Galaadit, prezantoi pjesën «Shenjtëroji me anë të së vërtetës». (Gjoni 17:17) Ai komentoi se studentët e klasës së 115-të janë shërbëtorë të shenjtëruar të Perëndisë. Ndërsa vazhdonin shkollën, ata morën pjesë edhe në shërbim, duke kërkuar njerëzit me zemër të sinqertë që e duan të vërtetën. Ashtu si Jezui dhe dishepujt e tij, studentët nuk folën «nga vetja» e tyre. (Gjoni 12:49, 50) U folën me zell njerëzve duke u lexuar nga fjala e frymëzuar dhe jetëdhënëse e së vërtetës. Përvojat që vunë në skenë ose që treguan studentët bënë të qartë ndikimin e fuqishëm që pati Bibla tek ata që takuan.
Këshilla dhe përvoja inkurajuese
Entoni Perez dhe Entoni Grifin, anëtarë të Repartit të Shërbimit të degës së Shteteve të Bashkuara, drejtuan intervista me anëtarë të Komiteteve të Degëve nëpër botë. Këta burra treguan sfidat që hasin misionarët e rinj dhe siguruan këshilla praktike të bazuara në përvojat e tyre. Disa nga sfidat janë: ndryshimet në kulturë, klima tropikale gjatë gjithë vitit ose një atmosferë fetare e politike e ndryshme nga ajo me të cilën janë mësuar studentët. Çfarë mund t’i ndihmojë misionarët e rinj që të përshtaten me rrethanat e reja? Dashuria për Jehovain, dashuria për njerëzit, të mos e kthejnë kokën pas dhe të mos veprojnë nxitimthi. Anëtari i një komiteti dege tha: «Në vendin ku u caktuam, kishin jetuar njerëz për shekuj të tërë para se të shkonim ne. Me siguri që edhe ne mund të jetonim aty e të përshtateshim. Sa herë që hasnim vështirësi, i shihnim ato si mundësi për të përmirësuar karakterin tonë. Mbështetesh te lutja e te fryma e Jehovait, dhe provon vetë sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: ‘Unë jam me ju.’»—Mateu 28:20.
Samuel Herdi, anëtar i Trupit Udhëheqës, e vazhdoi programin me një fjalim kyç që titullohej «Vazhdoni të flitni për gjërat e mrekullueshme të Perëndisë». Derdhja e frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., u dha forcë dishepujve të Jezuit që të flitnin për «gjërat madhështore të Perëndisë». Çfarë mund t’i ndihmojë misionarët e rinj sot që të flasin me po atë zell për Mbretërinë e Perëndisë? E njëjta frymë e shenjtë. Vëlla Herdi i nxiti studentët që po diplomoheshin që ‘të jenë të zjarrtë në frymë’, të jenë entuziastë për caktimet e tyre dhe të mos harrojnë asnjëherë stërvitjen që u është siguruar. (Romakëve 12:11) «Bibla është një nga gjërat e mrekullueshme të Perëndisë,—tha vëlla Herdi.—Mos e merrni asnjëherë si të zakonshme vlerën që ka ajo. Mesazhi i saj është i gjallë. Depërton drejt e në thelb të gjërave. Përdoreni për të ndrequr gjërat në jetën tuaj. Lëreni t’ju ndryshojë mënyrën se si mendoni. Ruajeni aftësinë tuaj për të menduar duke studiuar, duke lexuar Shkrimet dhe duke medituar rreth tyre . . . Kini si synim dhe jini të vendosur ta përdorni stërvitjen e Galaadit që të vazhdoni të flitni për ‘gjërat madhështore të Perëndisë’.»
Pasi u lexuan përshëndetje nga vëllezër e motra përreth globit, si edhe pas dhënies së diplomave, një i diplomuar lexoi një letër që kishte përgatitur klasa për të shprehur çmueshmërinë për stërvitjen që morën. Pastaj, vëlla Leti e përfundoi këtë rast të gëzueshëm në mënyrë të përshtatshme, duke trajtuar 2 Kronikave 32:7 dhe Ligjin e përtërirë 20:1, 4. Për t’u bërë një lidhje komenteve hyrëse me ato përmbyllëse, ai tha si përfundim: «Prandaj, të dashur të diplomuar, mos harroni që ndërsa shkoni përpara, ndërsa marshoni në betejën frymore në caktimet tuaja të reja, Jehovai do të marshojë bashkë me ju. Mos e harroni kurrë se ata që janë me ju janë më të shumtë se ata që janë kundër jush.»
[Kutia në faqen 25]
STATISTIKAT E KLASËS
Numri i vendeve të përfaqësuara: 7
Numri i shteteve ku u caktuan: 17
Numri i studentëve: 48
Mosha mesatare: 33,7
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 17,8
Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13,5
[Figura në faqen 26]
Diplomimi i klasës së 115-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Brown, T.; Goller, C.; Hoffman, A.; Bruzzese, J.; Trahan, S. (2) Smart, N.; Cashman, F.; Garcia, K.; Lojan, M.; Seyfert, S.; Gray, K. (3) Beckett, M.; Nichols, S.; Smith, K.; Gugliara, A.; Rappenecker, A. (4) Gray, S.; Vacek, K.; Fleming, M.; Bethel, L.; Hermansson, T.; Hermansson, P. (5) Rappenecker, G.; Lojan, D.; Dickey, S.; Kim, C.; Trahan, A.; Washington, A.; Smart, S. (6) Goller, L.; Burghoffer, T.; Gugliara, D.; Nichols, R.; Washington, S.; Kim, J. (7) Beckett, M.; Dickey, J.; Smith, R.; Garcia, R.; Hoffman, A.; Seyfert, R.; Brown, H. (8) Fleming, S.; Bruzzese, P.; Burghoffer, W.; Bethel, T.; Cashman, J.; Vacek, K.