Ugariti—Qyteti i lashtë nën sundimin e Baalit
NË VITIN 1928, parmenda e një bujku sirian goditi gurin e një varri ku gjendeshin enë të lashta qeramike. Në atë kohë ai nuk e kishte menduar se sa rëndësi kishte zbulimi i tij. Një vit më pas, kur dëgjuan për këtë zbulim të rastësishëm, një grup arkeologësh francezë të drejtuar nga Klod Shafëri udhëtoi drejt këtij vendi.
Jo shumë kohë më pas, u zbulua një mbishkrim që i dha mundësinë grupit të identifikonte rrënojat që po dilnin ndërsa ishin duke kryer gërmimet. Ishte Ugariti, «një nga qytetet e lashta më të rëndësishme të Lindjes së Afërt». Madje shkrimtari Bari Huberman tha: «Asnjë zbulim arkeologjik, qoftë edhe ai i rrotullave të Detit të Vdekur, nuk ka patur një ndikim kaq të thellë në kuptueshmërinë që kemi për Biblën.»—The Atlantic Monthly.
Atje ku kryqëzohen udhët
Ugariti ndodhej në një kodrinë të njohur me emrin Ras-Shamra, në bregun mesdhetar të asaj që sot njihet si Siria Veriore. Në mijëvjeçarin e dytë p.e.s ai ishte një qytet kozmopolitan i begatë. Territori i tij mbulonte një zonë që shtrihej rreth 60 kilometra që nga mali Kasius në veri e deri në Tell-Sukas në jug dhe 30 deri në 45 kilometra nga Mesdheu në perëndim e deri në luginën e Orontesit në lindje.
Bagëtia mbarështohej në klimën e butë të Ugaritit. Rajoni prodhonte drithëra, vaj ulliri, verë dhe lëndë druri—një prodhim mjaft i domosdoshëm për Mesopotaminë e Egjiptin. Për më tepër, meqë ndodhej në një vend ku bashkoheshin rrugë strategjike tregtare, qyteti u bë një nga portet e para të mëdha ndërkombëtare. Tregtarë nga Egjeu, Anatoli, Babilonia, Egjipti dhe nga vende të tjera të Lindjes së Mesme tregtonin në Ugarit metale, prodhime bujqësore dhe një mori mallrash që prodhoheshin në vend.
Pavarësisht nga begatia materiale, Ugariti ishte gjithmonë një mbretëri vasale. Qyteti ishte baza ushtarake më në veri që kishte Perandoria Egjiptiane derisa u aneksua nga Perandoria shekullore Hitite në shekullin e 14-të p.e.s. Ugariti u detyrua t’i paguante haraç dhe ta mbështeste sovranin e tij me trupa ushtarake. Kur «njerëzit e deteve»a u dyndën e filluan të shkretonin Anatolin (Turqinë Qendrore) dhe Sirinë Veriore, trupat ushtarake dhe flota e Ugaritit u mor me detyrim nga hititët. Si pasojë, vetë Ugariti mbeti i pambrojtur dhe u shkatërrua krejtësisht rreth vitit 1200 p.e.s.
Rikthim i së kaluarës
Nga shkatërrimi i Ugaritit ka mbetur një pirg i madh dheu gati 20 metra i lartë dhe me sipërfaqe prej më shumë se 25 hektarësh. Janë bërë gërmime vetëm në një të gjashtën e kësaj sipërfaqeje. Midis rrënojave, arkeologët kanë zbuluar gërmadhat e një kompleksi të madh pallatesh me gati njëqind dhoma e oborre dhe me një sipërfaqe rreth 10.000 metra katrorë. Kompleksi kishte sistem hidraulik, banja dhe një sistem për shkarkimin e ujërave të zeza. Orenditë ishin të veshura me ar, lapis lazuli dhe fildish. Janë gjetur panele fildishi të gdhendura në mënyrë të ndërlikuar. Një kopsht i rrethuar dhe brenda tij një hauz ku mund të zbritej me shkallë ia shtonte bukurinë pallatit.
Në qytet dhe në rrafshinat përreth mbizotëronin tempujt e Baalit dhe të Daganit.b Këta tempuj-kulla, ndoshta 20 metra të gjatë, përbëheshin nga një paradhomë e vogël që çonte në një dhomë të brendshme, ku gjendej shëmbëlltyra e një perëndie. Shkallët çonin në një tarracë ku mbreti drejtonte ceremoni të ndryshme. Natën ose gjatë stuhive, në majë të tempujve ndoshta ndizeshin zjarre, me qëllim që t’i drejtonin anijet pa asnjë rrezik drejt limanit. Me siguri ishin marinarët, që ia jepnin meritën për kthimin e tyre të sigurt perëndisë së stuhisë Baal-Hadadit, ata që i kanë ofruar si blatim në shenjë betimi 17 spiranca guri, të cilat janë gjetur në shenjtëroren e tij.
Zbulohet një thesar me mbishkrime
Në gjithë rrënojat e Ugaritit u zbuluan me mijëra pllaka argjile. U gjetën tekste në tetë gjuhë në lidhje me ekonominë, ligjin, diplomacinë dhe administratën, të shkruar në pesë alfabete. Grupi i Shafërit gjeti mbishkrime në një gjuhë që deri në atë kohë nuk njihej. Kësaj gjuhe, që kishte 30 shenja kuneiforme, i vunë emrin ugaritike. Ato përbëjnë një nga alfabetet më të vjetra që janë zbuluar ndonjëherë.
Dokumentet ugaritike flasin jo vetëm për çështjet e përditshme, por përmbajnë edhe tekste letrare, të cilat hapin një dritare të re përsa i përket koncepteve dhe praktikave fetare të asaj kohe. Me sa duket, feja e Ugaritit ishte shumë e ngjashme me atë që praktikonin fqinjët e tyre kananitë. Sipas Roland de Vosë, këto tekste «janë një pasqyrim mjaft i saktë i qytetërimit të vendit të Kanaanit pikërisht përpara se të pushtoheshin nga Izraeli».
Feja në qytetin e Baalit
Në tekstet e Ras-Shamrës janë përmendur më shumë se 200 perëndi dhe perëndesha. Hyjnia suprem ishte Eli, i quajtur ati i perëndive dhe i njerëzimit. Ndërsa, perëndia i stuhisë, Baal-Hadadi, ishte «kalorësi i reve» dhe «pronari i tokës». Eli është përshkruar si një plak i mençur, me mjekër të bardhë, i cili rri larg njerëzimit. Nga ana tjetër, Baali është një hyjni i fortë dhe ambicioz që kërkon të sundojë mbi perënditë dhe njerëzimin.
Ka mundësi që tekstet e zbuluara të lexoheshin gjatë festave fetare, si viti i ri ose korrja. Sidoqoftë, interpretimi i saktë mbetet ende një mister. Në një poemë që flet për një grindje për sundimin, Baali mund djalin e preferuar të Elit, perëndinë-det Jam. Kjo fitore ndoshta u jepte besim marinarëve të Ugaritit se Baali do t’i mbronte kur të ishin në det. Në një duel me Motin, Baali mposhtet dhe zbret në botën e nëndheshme. Kjo pasohet nga një thatësirë dhe veprimtaritë njerëzore ndërpriten. Gruaja dhe motra e Baalit, Anati—perëndesha e dashurisë dhe e luftës—vret Motin dhe e rikthen në jetë Baalin. Baali masakron bijtë e gruas së Elit, Athiratës (Asherahut) dhe rimerr fronin. Por, Moti kthehet përsëri shtatë vjet më vonë.
Disa e interpretojnë këtë poemë si simbol i ciklit vjetor të stinëve, gjatë të cilit shirat jetëdhënës mposhten nga i nxehti përvëlues i verës dhe rikthehen në vjeshtë. Të tjerë mendojnë se cikli prej shtatë vjetësh lidhet me frikën ndaj zisë së bukës dhe thatësirës. Në secilin rast, epërsia e Baalit mendohej si diçka thelbësore që përpjekjet njerëzore të kishin sukses. Studiuesi Piter Krazhi, vëren: «Qëllimi i fesë së Baalit ishte të siguronte epërsinë e tij; adhuruesit e tij besonin që vetëm nëse mbetej në një pozitë supreme do të vazhdonin të kishin të korra dhe bagëti, të cilat ishin kaq të domosdoshme për mbijetesën e njerëzve.»
Një ledh mbrojtës nga paganizmi
Në tekstet që janë zbuluar duket mjaft qartë sa e zvetënuar ishte feja ugaritike. Te The Illustrated Bible Dictionary komentohet: «Tekstet tregojnë pasojat degraduese që sillte adhurimi i këtyre hyjnive; i vihej theksi luftës, prostitucionit të shenjtë, dashurisë erotike dhe si pasojë shoqëria ishte e degjeneruar.» De Vo vëren: «Kur dikush lexon këto poema, e kupton se çfarë neverie ndienin për këtë adhurim besimtarët dhe profetët e mëdhenj të Jahvizmit.» Ligji që Perëndia i dha kombit të lashtë të Izraelit shërbente si një ledh mbrojtës nga kjo fe e rreme.
Në Ugarit praktikohej gjerësisht falli, astrologjia dhe magjia. Banorët kërkonin shenja dhe ogure jo vetëm duke parë trupat qiellorë, por edhe embrionet e shformuara dhe organet e brendshme të kafshëve të therura. «Besohej se perëndia dhe kafsha që i sakrifikohej atij sipas riteve bëheshin një dhe fryma e perëndisë shkrihej me atë të kafshës,—komenton historiania Zhaklinë Gashe.—Si pasojë, duke lexuar shenjat që ishin të dukshme në këto organe, mund krijohej një lidhje me frymërat e hyjnive. Në këtë mënyrë këto hyjni mund t’i jepnin një përgjigje pozitive a negative ndonjë pyetjeje rreth ngjarjeve të ardhshme ose mund të tregonin si të veprohej në një rast të caktuar.» (Le pays d’Ougarit autour de 1200 av.J.C) Në dallim me këtë, izraelitët duhej t’i shmangnin këto praktika.—Ligji i përtërirë 18:9-14.
Ligji i Moisiut i ndalonte sheshit marrëdhëniet seksuale me kafshët. (Levitiku 18:23) Si shihej kjo praktikë në Ugarit? Në tekstet e zbuluara tregohet se Baali bashkohet me një mëshqerrë. «Edhe sikur të argumentohej që për të kryer këtë veprim Baali merrte formën e demit,—komentoi arkeologu Sajrës Gordon—nuk mund të thuhet e njëjta gjë për priftërinjtë e tij, të cilët vinin në skenë mitet e Baalit.»
Izraelitët ishin urdhëruar: «Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur.» (Levitiku 19:28) Megjithatë, kur mori vesh për vdekjen e Baalit, Eli «çau lëkurën e tij me thikë, bëri prerje me brisk; preu faqet dhe mjekrën». Riti i prerjes me sa duket ishte një zakon midis adhuruesve të Baalit.—1 Mbretërve 18:28.
Siç tregohet nga fjalët e një poeme ugaritike, të gatuaje kecin me qumësht ishte një rit i zakonshëm i pjellorisë në fenë kananite. Mirëpo, në Ligjin e Moisiut izraelitët u urdhëruan: «Nuk do ta ziesh kecin me qumështin e nënës së tij.»—Eksodi 23:19.
Krahasime me tekstet biblike
Fillimisht tekstet ugaritike u përkthyen me ndihmën e gjuhës hebreje, me të cilën u shkrua Bibla. Piter Krazhi vëren: «Ka shumë fjalë të përdorura në tekstin hebre, kuptimi i të cilave është i paqartë dhe ndonjëherë i panjohur; para shekullit të 20-të, me mënyra të ndryshme përkthyesit morën me mend kuptimin e mundshëm. Megjithatë, kur në tekstin ugaritik shfaqen të njëjtat fjalë, kuptimi mund të bëhet më i qartë.»
Për shembull, një fjalë hebraike që përdoret tek Isaia 3:18 zakonisht është përkthyer «rrathët e kokës». Rrënja e një fjale ugaritike, e cila është e ngjashme me këtë, përshkruan si diellin ashtu edhe perëndeshën-diell. Prandaj, gratë e Jerusalemit të përmendura në profecinë e Isaisë mund të jenë zbukuruar me varëse me diej të vegjël, ose edhe me ‘zbukurime në formë hëne’ në nderim të perëndive kananite.
Te Fjalët e urta 26:23, në tekstin masoretik «buzët e zjarrta dhe zemra e keqe» janë krahasuar me enë balte të mbuluara me ‘zgjyrë argjendi’. Rrënja e një fjale ugaritike bën të mundur që krahasimi të përkthehet «si emal mbi një copë qeramike». Për këtë arsye, Përkthimi Bota e Re e përkthen këtë proverb: «Si shtresa e argjendit që vesh një copë qeramike janë buzët e zjarrta bashkë me një zemër të keqe.»
A janë një taban për shkrimet biblike?
Nga shqyrtimi i teksteve të Ras-Shamrës, disa studiues pohojnë që disa fragmente biblike janë modifikime të veprave poetike që janë shkruar në gjuhën ugaritike. Andre Kakot, anëtar i Institutit Francez, thotë se ekziston «një taban kulturor kananit në zemër të fesë izraelite».
Në lidhje me Psalmin 29, Mitçell Dahud, që punon në Institutin Biblik Papnor në Romë komenton: «Ky psalm është një përshtatje Jahviste e një himni të vjetër kananit për perëndinë-stuhi Baal . . . Tani pothuajse çdo fjalë e këtij psalmi mund të gjendet në tekstet e vjetra kananite.» A është me baza ky përfundim? Patjetër që jo.
Studiues më të arsyeshëm e pranojnë se ngjashmëritë që ekzistojnë midis tyre janë zmadhuar. «As edhe një tekst ugaritik nuk përkon plotësisht me Psalmin 29,—thotë teologu Geri Brentli.—Nuk ka baza të qarta për të thënë se Psalmi 29 (ose ndonjë tjetër tekst biblik) është modifikim i ndonjë miti pagan.»
A është provë e këtij modifikimi fakti se ekzistojnë ngjashmëri në figurat letrare, në paralelizmat poetike dhe në veçoritë e stilit? Përkundrazi, paralelizma të tillë duhen pritur. The Encyclopedia of Religion vëren: «Arsyeja se përse ekziston një ngjashmëri e tillë në formë dhe përmbajtje lidhet me kulturën. Pavarësisht nga ndryshimet domethënëse gjeografike dhe kohore midis Ugaritit e Izraelit, ata ishin pjesë e një kulturë më të madhe, e cila kishte një fjalor poetik dhe fetar të përbashkët.» Prandaj, Geri Brentli përfundon: «Të këmbëngulësh se besimet pagane përbëjnë burimin e teksteve biblike, thjesht për shkak të ngjashmërive gjuhësore, është një shpjegim i pasaktë.»
Si përfundim vlen të theksohet që edhe pse ekzistojnë disa ngjashmëri midis teksteve të Ras-Shamrës dhe Biblës, ato janë krejtësisht letrare dhe jo frymore. Arkeologu Sajrës Gordon vëren: «Niveli i lartë etik dhe moral që përmban Bibla [nuk] gjendet kurrsesi në Ugarit.» Në të vërtetë, ka shumë më tepër ndryshime sesa ngjashmëri.
Ka të ngjarë që studimet ugaritike të vazhdojnë t’i ndihmojnë studentët e Biblës për të kuptuar ambientin kulturor, historik dhe fetar të shkrimtarëve të Biblës dhe të kombit hebraik në përgjithësi. Shqyrtimi i mëtejshëm i teksteve të Ras-Shamrës mund të hapë dritare të reja për të kuptuar hebraishten e lashtë. Por, mbi të gjitha, zbulimet arkeologjike në Ugarit theksojnë fuqimisht dallimin midis adhurimit të zvetënuar të Baalit dhe adhurimit të pastër të Jehovait.
[Shënimet]
a «Njerëzit e deteve» zakonisht janë identifikuar si detarë nga ishujt dhe vendet bregdetare të Mesdheut. Midis tyre mund të kenë qenë filistinët.—Amosi 9:7.
b Edhe pse ka mendime të ndryshme, disa e identifikojnë tempullin e Daganit si tempullin e Elit. Roland de Vo, një studiues dhe profesor francez në Shkollën e Studimeve Biblike të Jerusalemit, mendon se Dagani—Dagoni i Gjyqtarëve 16:23 dhe i 1 Samuelit 5:1-5—është vetë emri i Elit. The Encyclpedia of Religion komenton se ka mundësi që «në ndonjë mënyrë Dagani të ishte i njëjtë me [Elin] ose të ishte i asimiluar prej tij». Në tekstet e Ras-Shamrës, Baali është quajtur biri i Daganit, por këtu kuptimi i fjalës «bir» nuk është i sigurt.
[Diçitura në faqen 25]
Zbulimet arkeologjike në Ugarit e kanë rritur kuptueshmërinë tonë për Shkrimet
[Harta dhe figurat në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Perandoria Hitite në shekullin e 14-të p.e.s.
DETI MESDHE
Eufrat
M. KASIUS (JEBEL EL-AGRA)
Ugarit (Ras-Shamra)
Tell-Sukas
Orontes
SIRI
EGJIPT
[Burimet]
Statujëzë e Baalit dhe enë për të pirë në formën e një koke kafshe: Musée du Louvre, Paris; pikturë e pallatit mbretëror: © D. Héron-Hugé pour “Le Monde de la Bible”
[Figura në faqen 25]
Rrënojat e hyrjes së pallatit
[Figura në faqen 26]
Një poemë mitologjike ugaritike mund të ndihmojë për të kuptuar Eksodin 23:19
[Burimi]
Musée du Louvre, Paris
[Figurat në faqen 27]
Pllakë guri ku tregohet Baali
Pjatë e artë që tregon një skenë gjuetie
Kapak i një kutie kozmetike prej fildishi që paraqet perëndeshën e pjellorisë
[Burimi]
Të gjitha fotografitë: Musée du Louvre, Paris