BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w01 1/12 f. 14-18
  • Zhvilloni një zemër që i frikësohet Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Zhvilloni një zemër që i frikësohet Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Respekt, nderim i thellë dhe frikë
  • «Do të jeni të lidhur ngushtë me të»
  • Të duam Perëndinë do të thotë t’i frikësohemi atij
  • Të mësojmë t’i frikësohemi Jehovait
  • I lumtur është kushdo që i frikësohet Jehovait
  • Të mësojmë të gjejmë gëzim në frikën ndaj Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Frikësojuni Jehovait dhe mbani urdhërimet e tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Dobitë e frikës ndaj Perëndisë së vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Përse ta studiojmë Biblën?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
w01 1/12 f. 14-18

Zhvilloni një zemër që i frikësohet Jehovait

«Ah, sikur të zhvillonin një zemër që të më frikësohej mua dhe t’i mbante të gjitha urdhërimet e mia gjithnjë!»—LIGJI I PËRTËRIRË 5:29, BR.

1. Përse mund të jemi të sigurt se një ditë njerëzit do të jenë të lirë nga frika?

FRIKA e ka ndjekur njerëzimin për shekuj të tërë. Frika nga uria, nga sëmundjet, nga krimet ose nga lufta i mban miliona njerëz vazhdimisht në ankth. Për këtë arsye, në parathënien e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut shprehet dëshira për të krijuar një botë ku të gjithë njerëzit do të jenë të lirë nga frika.a Lumturisht, vetë Perëndia na siguron se një botë e tillë do të vijë, ndonëse jo nga përpjekjet e njerëzve. Nëpërmjet profetit të tij Mikea, Jehovai na premton se në botën e tij të re të drejtësisë, ‘askush nuk do ta trembë popullin e tij’.—Mikea 4:4.

2. (a) Në ç’mënyrë Shkrimet na nxitin që t’i frikësohemi Perëndisë? (b) Cilat pyetje mund të lindin kur shqyrtojmë detyrimin tonë për t’iu frikësuar Perëndisë?

2 Nga ana tjetër, frika mund të jetë edhe një forcë pozitive. Shkrimet i nxitin vazhdimisht shërbëtorët e Perëndisë që t’i frikësohen Jehovait. Moisiu u tha izraelitëve: «Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh.» (Ligji i përtërirë 6:13) Shekuj më vonë, Solomoni shkroi: «Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:13) Me anë të veprës sonë të dhënies së dëshmisë, të cilën e kryejmë nën mbikëqyrjen e engjëjve, edhe ne i nxitim të gjithë njerëzit që ‘ta kenë frikë Perëndinë dhe t’i japin lavdi’. (Zbulesa 14:6, 7) Përveçse t’i frikësohen Jehovait, të krishterët duhet ta duan atë me gjithë zemër. (Mateu 22:37, 38) Si mund ta duam Perëndinë e në të njëjtën kohë ta kemi frikë? Përse është e nevojshme t’i frikësohemi një Perëndie të dashur? Çfarë dobish nxjerrim duke kultivuar frikë Perëndie? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, së pari, duhet të kuptojmë çfarë do të thotë frika ndaj Perëndisë dhe në ç’mënyrë kjo lloj frike është thelbësore në marrëdhënien tonë me Jehovain.

Respekt, nderim i thellë dhe frikë

3. Çfarë nënkupton frika ndaj Perëndisë?

3 Frika ndaj Perëndisë është një ndjenjë që të krishterët duhet ta kenë ndaj Bërësit të tyre. Një përkufizim i kësaj frike është «respekt dhe nderim i thellë për Krijuesin, si edhe një druajtje e shëndetshme për të mos i shkaktuar pakënaqësi». Kështu, frika ndaj Perëndisë ndikon në dy fusha të rëndësishme të jetës sonë: në qëndrimin që kemi ndaj Perëndisë dhe në qëndrimin që mbajmë ndaj sjelljes të cilën ai e urren. Është e qartë se të dyja fushat janë të rëndësishme dhe meritojnë shqyrtim të kujdesshëm. Siç thekson një fjalor i Vajnit, Expository Dictionary of New Testament Words, për të krishterët kjo frikë përnderuese është ‘një motiv që e mban në kontroll jetës si në çështjet frymore, ashtu edhe morale’.

4. Si mund t’i zhvillojmë ndjenjat e respektit dhe të nderimit të thellë ndaj Krijuesit tonë?

4 Si mund t’i zhvillojmë ndjenjat e respektit dhe të nderimit të thellë ndaj Krijuesit tonë? Ne mbushemi me respekt dhe mahnitemi kur shohim një peizazh të bukur, një ujëvarë mbresëlënëse ose një perëndim dielli që të magjeps. Kjo ndjenjë thellohet kur shquajmë, nëpërmjet syve të besimit, dorën e Perëndisë pas këtyre veprave krijuese. Për më tepër, ashtu si mbreti David, arrijmë të kuptojmë se sa të parëndësishëm jemi në krahasim me krijimin e madhërishëm të Jehovait. «Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend?» (Psalmi 8:3, 4) Ky respekt i madh çon në nderim të thellë ndaj Perëndisë, nderim që na shtyn ta falënderojmë dhe ta lavdërojmë Jehovain për gjithçka që bën për ne. Davidi shkroi gjithashtu: «Do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar [që të ngjall frikë, BR]; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.»—Psalmi 139:14.

5. Përse duhet t’i frikësohemi Jehovait dhe cilin shembull të shkëlqyer kemi në këtë aspekt?

5 Ndjenjat e respektit dhe të nderimit të thellë ngjallin një frikë të shëndetshme plot respekt për fuqinë e Perëndisë si Krijues dhe për autoritetin e tij si Sundimtari legjitim i universit. Në një vegim që pa apostulli Gjon, ‘ata që dalin fitimtarë mbi bishën dhe mbi shëmbëlltyrën e saj’,—pra, ithtarët e mirosur të Krishtit, në pozitën e tyre qiellore,—shpallin: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, i Plotfuqishmi. Të drejta e të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë. Kush nuk do të frikësohet vërtet prej teje, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd?» (Zbulesa 15:2-4) Frika ndaj Perëndisë, e cila vjen si pasojë e një nderimi të thellë për madhështinë e tij, i bën këta bashkësundimtarë me Krishtin në Mbretërinë qiellore që ta nderojnë Perëndinë si autoritetin suprem. Kur shqyrtojmë gjithë ato gjëra që ka kryer Jehovai, si edhe mënyrën e drejtë në të cilën drejton universin, a nuk kemi arsye të bollshme për t’iu frikësuar atij?—Psalmi 2:11; Jeremia 10:7.

6. Përse duhet të kemi një frikë të shëndetshme për të mos i shkaktuar pakënaqësi Jehovait?

6 Mirëpo, përveç respektit dhe nderimit të thellë, frika ndaj Perëndisë duhet të përfshijë një druajtje të shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi atij ose se mos tregohemi të pabindur ndaj tij. Përse? Sepse, ndonëse Jehovai është «i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi», duhet të mbajmë në mend se ai «nuk e lë të pandëshkuar fajtorin». (Eksodi [Dalja] 34:6, 7) Megjithëse është i dashur dhe i mëshirshëm, Jehovai nuk e toleron padrejtësinë dhe keqbërjen e vullnetshme. (Psalmi 5:4, 5; Habakuku 1:13) Ata që me dashje e pa u penduar praktikojnë atë që është e ligë në sytë e Jehovait dhe i kundërvihen atij, nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Siç e tha apostulli Pavël, «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë të gjallë». Në fund të fundit, për ne është mbrojtje të kemi një frikë të shëndetshme për të mos rënë në një gjendje të tillë.—Hebrenjve 10:31.

«Do të jeni të lidhur ngushtë me të»

7. Çfarë arsyesh kemi për të pasur besim në fuqinë shpëtuese të Jehovait?

7 Frika përnderuese ndaj Perëndisë dhe vetëdija e plotë për fuqinë e tij mahnitëse janë pararendëse të besimit dhe sigurisë te Jehovai. Ashtu si një fëmijë i vogël ndihet i mbrojtur kur ka afër babanë e tij, po ashtu ne ndihemi të sigurt nën dorën udhëheqëse të Jehovait. Vini re se si reaguan izraelitët pasi Jehovai i nxori nga Egjipti: «Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër egjiptasve dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti.» (Eksodi 14:31) Edhe përvoja e Eliseut është një dëshmi e faktit që «engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron». (Psalmi 34:7; 2 Mbretërve 6:15-17) Historia e popullit të Jehovait në ditët e sotme e ndoshta edhe përvoja jonë personale, vërteton se Perëndia e ushtron vërtet fuqinë e tij në dobi të atyre që i shërbejnë. (2 Kronikave 16:9) Në këtë mënyrë, arrijmë të kuptojmë se «në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe».—Fjalët e urta (Proverbat) 14:26.

8. (a) Përse frika ndaj Perëndisë na shtyn të ecim në udhët e tij? (b) Shpjegoni se si duhet të ‘jemi të lidhur ngushtë’ me Jehovain.

8 Frika e shëndetshme ndaj Perëndisë jo vetëm që nxit besim dhe siguri tek ai, por edhe na motivon që të ecim në udhët e tij. Kur përuroi tempullin, Solomoni iu lut Jehovait: ‘[Izraeli] të të ketë frikë dhe të ecë në rrugët e tua për gjithë kohën që do të jetojë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.’ (2 Kronikave 6:31) Më parë, Moisiu i kishte nxitur izraelitët: «Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t’i bindeni zërit të tij, do t’i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.» (Ligji i përtërirë 13:4) Siç e tregojnë qartë këto vargje, dëshira për të ecur në udhët e Jehovait dhe për të ‘qenë të lidhur ngushtë’ me të vjen nga besimi dhe siguria që kemi te Perëndia. Po, frika ndaj Perëndisë na bën që t’i bindemi Jehovait, t’i shërbejmë dhe të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të, ashtu si një fëmijë i vogël në kuptimin e mirëfilltë mund të kapet fort pas të atit, tek i cili ka besim dhe siguri të plotë.—Psalmi 63:8; Isaia 41:13.

Të duam Perëndinë do të thotë t’i frikësohemi atij

9. Cila është lidhja ndërmjet dashurisë për Perëndinë dhe frikës ndaj tij?

9 Nga këndvështrimi biblik, fakti që kemi frikë Perëndie nuk e përjashton aspak ta duam atë. Përkundrazi, izraelitët morën udhëzimin që ‘të kishin frikë nga Zoti . . . për të ecur në tërë rrugët e tij dhe për ta dashur atë’. (Ligji i përtërirë 10:12) Kështu, frika ndaj Perëndisë dhe dashuria për të janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Frika ndaj Perëndisë na shtyn të ecim në udhët e tij, dhe kjo, nga ana e vet, jep prova të dashurisë tonë për të. (1 Gjonit 5:3) Kjo është logjike, sepse kur e duam dikë, me të drejtë kemi frikë se mos e lëndojmë. Izraelitët e lënduan Jehovain me drejtimin e tyre rebel në shkretëtirë. Patjetër, ne nuk do të donim të bënim asgjë që do t’i sillte një hidhërim të tillë Atit tonë qiellor. (Psalmi 78:40, 41) Nga ana tjetër, meqë «Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij», bindja dhe besnikëria jonë e bën zemrën e tij të gëzojë. (Psalmi 147:11; Fjalët e urta 27:11) Dashuria për Perëndinë na shtyn që ta kënaqim atë dhe frika ndaj tij na frenon që të mos e lëndojmë. Këto cilësi nuk e kundërshtojnë, por e plotësojnë njëra-tjetrën.

10. Si e tregoi Jezui se gjente kënaqësi duke iu frikësuar Jehovait?

10 Drejtimi i jetës së Jezu Krishtit e ilustron qartë se si mund ta duam dhe në të njëjtën kohë ta kemi frikë Perëndinë. Profeti Isaia shkroi për Jezuin: «Mbi të duhet të zbresë fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës së Jehovait; dhe ai do të ketë gëzim në frikën e Perëndisë.» (Isaia 11:2, 3, BR) Sipas kësaj profecie, fryma e Perëndisë e shtynte Jezuin t’i frikësohej Atit të tij qiellor. Për më tepër, vërejmë se kjo frikë, në vend që të ishte diçka kufizuese, ishte një burim kënaqësie. Jezui gjente kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë dhe duke i pëlqyer atij, edhe në rrethanat më të vështira. Kur ishte përballë ekzekutimit me vdekje në shtyllën e torturës, ai i tha Jehovait: «Jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.» (Mateu 26:39) Për shkak të kësaj frike Perëndie, Jehovai i dëgjoi me miratim përgjërimet e Birit të tij, e forcoi dhe e shpëtoi atë nga vdekja.—Hebrenjve 5:7.

Të mësojmë t’i frikësohemi Jehovait

11, 12. (a) Përse duhet të mësojmë që t’i frikësohemi Perëndisë? (b) Si na mëson Jezui që t’i frikësohemi Jehovait?

11 Ndryshe nga respekti që ndiejmë instinktivisht kur gjendemi përballë fuqisë dhe madhështisë së natyrës, frika ndaj Perëndisë nuk vjen vetvetiu. Ja përse Davidi më i Madh, Jezu Krishti, në mënyrë profetike na bën ftesën: «Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.» (Psalmi 34:11) Si mund të mësojmë nga Jezui që t’i frikësohemi Jehovait?

12 Jezui na mëson t’i frikësohemi Jehovait, duke na ndihmuar të kuptojmë personalitetin e mrekullueshëm të Atit tonë qiellor. (Gjoni 1:18) Vetë shembulli i Jezuit zbulon se si mendon Perëndia dhe si i trajton të tjerët, pasi Jezui e pasqyron në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij. (Gjoni 14:9, 10) Për më tepër, nëpërmjet flijimit të Jezuit Jehovai na dëgjon kur lutemi për faljen e mëkateve. Kjo shprehje e jashtëzakonshme e mëshirës së Perëndisë është në vetvete një arsye e fuqishme për t’iu frikësuar atij. Psalmisti shkroi: «Te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.»—Psalmi 130:4.

13. Cilat hapa të treguara në librin e Fjalëve të urta na ndihmojnë t’i frikësohemi Jehovait?

13 Libri i Fjalëve të urta tregon një seri hapash që na japin mundësi të zhvillojmë frikë Perëndie. «Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, . . . atëherë do të ndjesh [kuptosh, BR] frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.» (Fjalët e urta 2:1-5) Prandaj, për të pasur frikë Perëndie duhet të studiojmë Fjalën e tij, të përpiqemi me ngulm t’i kuptojmë udhëzimet e saj dhe pastaj t’u kushtojmë vëmendje të kujdesshme këshillave të saj.

14. Si mund ta ndjekim këshillën që u jepej mbretërve të Izraelit?

14 Çdo mbret në Izraelin e lashtë ishte udhëzuar që të bënte një kopje të Ligjit dhe ‘ta lexonte çdo ditë të jetës së tij, që të mësonte të kishte frikë nga Zoti, Perëndia i tij dhe të zbatonte në praktikë të gjitha fjalët e ligjit’. (Ligji i përtërirë 17:18, 19) Leximi dhe studimi i Biblës janë për ne po aq jetësore, nëse duam të mësojmë t’i frikësohemi Jehovait. Ndërkohë që zbatojmë parimet biblike në jetë, dalëngadalë fitojmë mençurinë dhe njohurinë hyjnore. Arrijmë të ‘kuptojmë frikën e Zotit’, sepse shohim frytet e mira që sjell në jetën tonë dhe arrijmë ta çmojmë marrëdhënien me Perëndinë. Për më tepër, duke u mbledhur rregullisht me bashkëbesimtarët edhe të rinjtë, edhe të moshuarit mund të dëgjojnë mësimin hyjnor, mund të mësojnë t’i frikësohen Perëndisë dhe mund të ecin në udhët e tij.—Ligji i përtërirë 31:12.

I lumtur është kushdo që i frikësohet Jehovait

15. Në cilat mënyra frika ndaj Perëndisë lidhet me adhurimin që i bëjmë atij?

15 Nga ajo që pamë më lart, mund të kuptojmë se frika ndaj Perëndisë është një qëndrim i shëndetshëm që të gjithë ne duhet ta kultivojmë, pasi është pjesë themelore e adhurimit që i bëjmë Jehovait. Kjo frikë na bën t’i besojmë atij plotësisht, të ecim në udhët e tij dhe të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të. Ashtu siç ndodhi edhe me Jezu Krishtin, frika ndaj Perëndisë mund të na shtyjë edhe ne që ta përmbushim betimin e dedikimit tonë tani e për gjithë përjetësinë.

16. Përse Jehovai na inkurajon që t’i frikësohemi atij?

16 Frika ndaj Perëndisë nuk është kurrë një frikë e sëmurë ose tepër kufizuese. «Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët e tij»,—na siguron Bibla. (Psalmi 128:1) Jehovai na inkurajon që t’i frikësohemi atij, sepse e di që kjo cilësi do të na mbrojë. E vëmë re interesimin e tij të dashur në këto fjalë që i tha Moisiut: «Ah, sikur [izraelitët] të zhvillonin një zemër që të më frikësohej mua dhe t’i mbante të gjitha urdhërimet e mia gjithnjë, me qëllim që t’u shkonte mbarë atyre dhe bijve të tyre në kohë të pacaktuar!»—Ligji i përtërirë 5:29, BR.

17. (a) Cilat dobi marrim duke iu frikësuar Perëndisë? (b) Cilat veçori të frikës ndaj Perëndisë do të shqyrtohen në artikullin vijues?

17 Ngjashëm, nëse zhvillojmë një zemër që i frikësohet Perëndisë, do të na vejë mbarë. Në çfarë mënyrash? Para së gjithash, një qëndrim i tillë do ta kënaqë Perëndinë dhe do të na afrojë me të. Davidi e dinte nga përvoja personale se Perëndia «kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton». (Psalmi 145:19) Së dyti, frika ndaj Perëndisë do të na sjellë dobi, sepse do të ndikojë në qëndrimin që mbajmë ndaj së keqes. (Fjalët e urta 3:7) Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim se si kjo frikë na ruan nga rreziqet frymore dhe do të rishikojë disa shembuj biblikë të njerëzve që iu frikësuan Perëndisë dhe u larguan nga e keqja.

[Shënimi]

a Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e adoptoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut më 10 dhjetor 1948.

A mund të përgjigjeni?

• Çfarë nënkupton frika ndaj Perëndisë dhe si ndikon ajo te ne?

• Cila është lidhja ndërmjet frikës ndaj Perëndisë dhe ecjes me Perëndinë?

• Si e tregon shembulli i Jezuit se frika ndaj Perëndisë është e lidhur me dashurinë që kemi për të?

• Në cilat mënyra mund të zhvillojmë një zemër që i frikësohet Jehovait?

[Figura në faqen 17]

Mbretërve izraelitë u ishte urdhëruar të bënin një kopje personale të Ligjit dhe ta lexonin çdo ditë

[Figura në faqen 18]

Frika ndaj Jehovait na bën që të kemi besim tek ai, ashtu si një bir ka besim te babai i vet

[Burimi i figurës në faqen 15]

Yje: Fotografi nga Malin, © IAC/RGO 1991

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo