Ai ‘qëndroi deri në fund’
NË NJË videokasetë të vitit 1993, e cila u tregohet anëtarëve të rinj të personelit të selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, Lajman Aleksandër Suingëlli shprehu ndjenjat e tij për shërbimin ndaj Jehovait: «Të vdesësh me këpucët mbathur!»a
Vëlla Suingëlli, nëntëdhjetëvjeçar, bëri pikërisht atë që i kishte nxitur të tjerët të bënin. Ai ‘qëndroi deri në fund’. (Mateu 24:13) Ndonëse vuante nga ana fizike, të mërkurën, më 7 mars, ndoqi një mbledhje të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, në të cilin bënte pjesë. Të martën që vijoi gjendja e tij u keqësua dhe, më 14 mars, në orën 4.26 të mëngjesit, mjeku i tij njoftoi se kishte vdekur.
Lajman Suingëlli e filloi shërbimin në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, më 5 prill 1930. Shërbeu atje për afro 71 vjet. Në fillim Lajmani u caktua në repartin e lidhjes së librave, pastaj në shtypshkronjë dhe ndihmoi edhe në prodhimin e bojës. Vëlla Suingëlli punoi rreth 25 vjet në repartin e prodhimit të bojës. Shërbeu edhe për afro 20 vjet të tjerë si pjesëtar i repartit të shkrimtarëve, në selinë botërore. Kurse për 17 vitet e fundit të jetës, punoi në Zyrën e Thesarit.
Lajmani ishte një lajmëtar i guximshëm i Mbretërisë së Perëndisë. Në vitet e para që kaloi në Bruklin, së bashku me shokun e dhomës, Artur Uorslin, e kishin zakonin të merrnin ndonjë nga barkat e Dëshmitarëve dhe të lundronin nëpër lumin Hudson. Duke përdorur altoparlantë, ata kalonin shumë fundjavë duke shpallur me anë të gramafonëve mesazhin e Mbretërisë në zonat që ndodheshin përgjatë bregut.
Vëlla Suingëlli lindi më 6 nëntor 1910 në Linkoln, Nebraska, por pak kohë më pas familja u transferua në Solt-Lejk-Siti, në Juta. Atje, në vitin 1913, prindërit e tij u bënë Studentë të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Gjatë viteve, familja Suingëll mirëpriti shumë oratorë vizitues nga selia botërore e Dëshmitarëve në Bruklin dhe këta burra patën një ndikim pozitiv te Lajmani. Në vitin 1923, kur ishte 12 vjeç, ai u pagëzua në simbol të dedikimit të tij ndaj Perëndisë.
Pasi shërbeu për më shumë se 26 vjet në Bruklin si beqar, jeta e Lajmanit u pasurua jashtëzakonisht kur u martua me Kristal Zirkerin më 8 qershor 1956. Ata të dy ishin të pandashëm dhe dilnin bashkë në shërbim deri me vdekjen e Kristalit, në vitin 1998. Rreth tre vjet më parë, Kristali kishte pasur një apopleksi që e kishte lënë shumë të gjymtuar. Kujdesi i përditshëm që tregonte Lajmani për të ishte një shembull përkushtimi që i frymëzonte të gjithë, sidomos ata që e shihnin Lajmanin kur me dashuri shtynte karrocën me rrota në trotuaret e lagjes, ndërsa Kristali u prezantonte kalimtarëve revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Vëlla Suingëlli ishte një njeri i hapur dhe i përzemërt, i cili u hynte në zemër atyre që e njihnin. Ashtu si babai dhe nëna e tij, ai kishte shpresën e bazuar në Bibël për të jetuar me Jezu Krishtin në Mbretërinë qiellore, një shpresë që jemi të sigurt se tani e ka përmbushur.—1 Selanikasve 4:15-18; Zbulesa 14:13.
[Shënimi]
a Kjo nënkupton që deri në çastin e vdekjes, të jesh i zënë me punë.
[Figura në faqen 31]
Vëlla Suingëlli shërbeu rreth 25 vjet në repartin e prodhimit të bojës
[Figura në faqen 31]
Lajmani dhe Kristali ishin të pandashëm