Ndryshohen normat, shpërdorohet besimi
Në ditët e mbretit Henri I të Anglisë (1100-1135), një jard, një masë gjatësie, llogaritej si «largësia nga maja e hundës së mbretit deri në majën e gishtit të madh të dorës së tij, të zgjatur përpara». Sa të saktë ishin shkopinjtë me gjatësi një jard që përdornin për matje nënshtetasit e mbretit Henri? E vetmja mënyrë për të qenë të sigurt ishte duke bërë një vizitë te monarku.
SOT, njësitë matëse janë përcaktuar më me saktësi, me anë të standardeve ose etaloneve. Kështu, metri përkufizohet si largësia që përshkon drita në boshllëk, në një sekondë të pjesëtuar me 299.792.458. Që të jetë e përpiktë, kjo dritë ka një gjatësi të fiksuar vale dhe del nga një lloj i veçantë aparati lazër. Nëse kanë pajisjen që riprodhon standardin, njerëzit kudo që gjenden mund të kontrollojnë që njësia e tyre matëse për gjatësinë të jetë e njëjtë me atë të të gjithë të tjerëve.
Ndryshimet në standardet e matjes, sado të vogla të jenë, mund të shkaktojnë pasiguri, prandaj bëhen përpjekje të mëdha për t’i ruajtur këto standarde. Për shembull, në Britani standardi për të matur peshën është një shufër e bërë nga një përzierje platini dhe iridi, e cila peshon një kilogram. Kjo shufër mbahet në Laboratorin Kombëtar të Fizikës. Ndotja e ajrit nga trafiku i makinave dhe nga avionët që kalojnë andej bëjnë që ky standard kilogrami të shtojë në peshë çdo ditë. Megjithatë, kjo shufër ose ky cilindër metali është një kopje e standardit botëror, i cili mbahet nën tri kambana qelqi, në një dhomë të nëndheshme, në Zyrën Ndërkombëtare të Peshave dhe Njësive Matëse, në Sèvrë, Francë. Mirëpo, edhe pesha e këtij objekti luhatet si pasojë e ndotjes në përmasa mikroskopike. Deri tani, specialistët e botës nuk kanë shpikur ende ndonjë standard më të qëndrueshëm.
Ndonëse ndryshimet e vogla i duken të papërfillshme njeriut të zakonshëm, ndryshimi i plotë i standardit mund të jetë pështjellues. Në Britani, ndryshimi nga sistemi britanik i njësive të peshës (paunde dhe unse) në sistemin metrik (kilogramë dhe gramë) solli shumë mosbesim, dhe jo pa arsye. Disa shitës të paskrupuj përfituan ngaqë në përgjithësi njerëzit nuk e njihnin sistemin e ri dhe i mashtruan klientët e tyre.
Normat morale dhe familjare
Ç’të themi për ndryshimin në standardet ose normat morale dhe familjare? Pasojat e këtyre ndryshimeve mund të jenë shumë më dëmtuese. Raportet e sotme për prishjen e familjes, për sjelljen e shthurur seksuale dhe për keqtrajtimin shumë të përhapur fizik, seksual dhe emocional të fëmijëve i tmerrojnë shumë veta dhe vërtetojnë se po jetojmë në një epokë të rënies së normave. Familjet me një prind, fëmijët që rriten nga ‘prindër’ të të njëjtit seks dhe keqtrajtimi i tmerrshëm seksual i fëmijëve që janë nën kujdesin e autoriteteve vendase, janë që të gjitha pasoja që vijnë sepse njerëzit u kthejnë shpinën normave të pranuara gjerësisht. Gjithnjë e më shumë, njerëzit po bëhen «të dashuruar pas vetes, . . . pa përzemërsi të natyrshme, . . . pa dashuri për mirësinë, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës»,—siç e kishte parathënë Bibla rreth dy mijë vjet më parë.—2 Timoteut 3:1-4.
Rënia e normave morale lidhet ngushtë me shpërdorimin e pamëshirshëm të besimit të të tjerëve. Kohët e fundit, shmangiet flagrante nga normat e larta në profesionin e mjekut dolën në dritë në Hajd, një qytet në veri të Anglisë, ku banorët u besonin mjekëve të familjes, të cilët i «respektonin dhe u zinin besë». Por, mjerisht, besimi i tyre ishte shpërdoruar. Në ç’mënyrë? Raportet gjyqësore zbuluan se një mjek i përgjithshëm kishte shkaktuar vdekjen e të paktën 15 pacienteve të tij. Policisë iu desh të hetonte përsëri, më shumë se 130 vdekje të tjera që kishin të bënin me këtë mjek. Se sa shumë e kishte shpërdoruar ky mjek besimin e pacienteve, u theksua kur atë e shpallën fajtor dhe e dënuan me burgim. Dy gardianë burgu, mamaja e të cilëve mund të ishte vrarë nga ky mjek, u caktuan në detyra të tjera, që të mos u duhej të kishin të bënin me këtë të burgosur famëkeq. Nuk habitemi që një raport për këtë rast, i botuar në The Daily Telegraph, e përshkruante mjekun fajtor si «mjeku ‘Djall’».
Duke pasur parasysh ndryshimin dhe rënien e normave në kaq shumë fusha të jetës, te kush mund të jeni të sigurt ta vini besimin tuaj? Ku mund të gjeni norma të pandryshueshme, të mbështetura nga një autoritet që ka fuqinë për t’i ruajtur ato? Artikulli vijues u përgjigjet këtyre pyetjeve.