A mund të jetë kjo karriera më e mirë për ty?
NËSE je një i krishterë i pagëzuar, patjetër që dashuria për Perëndinë të shtyn të bësh vullnetin e tij. Për më tepër, shërbimi, me siguri, duhet të jetë diçka së cilës i je përkushtuar. Në fund të fundit, Jezu Krishti i ngarkoi të gjithë ithtarët e tij që të bënin dishepuj. (Mateu 28:19, 20) Mbase tani mund të jesh duke punuar për ta mbajtur veten financiarisht. Por, si ithtar i Jezuit dhe si Dëshmitar i Jehovait, para së gjithash, je një shërbëtor i krishterë, i cili i jep përparësi në jetë veprës së predikimit të Mbretërisë.—Mateu 24:14.
Ndoshta je në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-tave. Ka mundësi që të kesh menduar shumë se çfarë drejtimi do të ndjekësh në jetë. Kur peshon mundësitë që ke përpara, ka të ngjarë që kënaqësia personale të jetë për ty një faktor i rëndësishëm.
Atëherë, shqyrto çfarë thotë Jurgeni nga Danimarka për zgjedhjen që ka bërë. Ai e përshkruan atë si «një mënyrë ideale jetese, në të cilën mund të përqendrohesh në veprën më të rëndësishme nga të gjitha». Eva, një 31-vjeçare nga Greqia, thotë: «Kur e krahasoj jetën time me atë të moshatarëve të mi, nxjerr gjithnjë përfundimin se është më e pasur, më e plotë dhe më entuziazmuese.» Cila karrierë siguron këtë kënaqësi? Si mund ta ndjekësh ti një drejtim të tillë në jetë?
A e tregon Perëndia rrugën?
Të zgjedhësh një karrierë mund të jetë shumë e vështirë. Në të vërtetë, disa mund të dëshirojnë që Perëndia t’u tregojë saktësisht se çfarë dëshiron të bëjnë ata.
Kur Moisiu ishte në Midian, Jehovai e drejtoi të kthehej në Egjipt dhe t’i nxirrte izraelitët nga skllavëria. (Eksodi 3:1-10) Engjëlli i Perëndisë iu shfaq Gideonit, i cili u caktua për ta shpëtuar Izraelin nga shtypja. (Gjyqtarët 6:11-14) Davidi ishte duke ruajtur delet kur Perëndia i tha Samuelit ta vajoste si mbretin e ardhshëm të Izraelit. (1 Samuelit 16:1-13) Sot nuk udhëhiqemi në mënyra të tilla. Në vend të kësaj, duhet t’i peshojmë gjërat dhe të vendosim si t’i përdorim aftësitë që na ka dhënë Perëndia.
Jehovai u ka hapur sot të rinjve të krishterë ‘një derë të gjerë që çon në aktivitet’. (1 Korintasve 16:9) Në ç’kuptim? Në dhjetëvjeçarin e fundit, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë është rritur me më shumë se 2.125.000, duke arritur në më tepër se 6.000.000 veta në mbarë tokën. Cilët ndihmojnë për të siguruar miliona Bibla, libra, broshura, revista dhe fletushka që nevojiten për mbështetjen frymore dhe për veprën globale të predikimit të lajmit të mirë? Këtë privilegj të bekuar e gëzojnë anëtarët e familjes mbarëbotërore Bethel.
Një jetë shpërblyese
Bethel do të thotë «Shtëpia e Perëndisë» dhe shtëpitë Bethel janë vendet e banimit të vullnetarëve të krishterë që shërbejnë në selinë botërore dhe në zyrat e degëve të Shoqatës Watch Tower. (Zanafilla 28:19, shënimi, BR) Familjet e sotme Bethel mund të krahasohen me ‘shtëpi të ndërtuara me dituri’, të organizuara mirë dhe që kanë në themel dashurinë për Jehovain.—Fjalët e urta 24:3.
Çfarë mund të thuhet për atmosferën familjare që është në Bethel? Një anëtare 25-vjeçare e familjes Bethel në Estoni thotë: «Më pëlqen ndjenja se jam mes miqve të Jehovait gjatë gjithë kohës. Kjo vazhdon të jetë gjëja më e vlefshme për mua në Bethel.»—Psalmi 15:1, 2.
Në mbarë botën, tani rreth 19.500 individë gëzojnë privilegjin e shërbimit në Bethel. (Psalmi 110:3) Në Shtetet e Bashkuara, 46 për qind e atyre që janë në Bethel janë në moshën nga 19 deri në 29-vjeçare. Ashtu si Isaia, ata kanë thënë: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isaia 6:8) Isaia, i cili tashmë i ishte dedikuar Jehovait, po dilte vullnetar për një privilegj të mëtejshëm shërbimi. Kjo, me sa duket, nënkuptonte që ai të sakrifikonte disa përfitime vetjake. Ata që janë në shërbimin në Bethel lënë shtëpinë e tyre dhe mjedisin familjar, si edhe nënën, babanë, motrat, vëllezërit dhe miqtë. Këto sakrifica bëhen vullnetarisht «për hir të lajmit të mirë».—Marku 10:29, 30.
Nga ana e vet, ç’bekime frymore që ka në Bethel! Një anëtare e re e familjes Bethel në Rusi shpjegon: «Duke qenë vetësakrifikues, mësojmë shumë gjëra që do të na ndihmojnë të jetojmë në botën e re. Mund të them se në rastin tim, bekimet e Jehovait janë shumë më të mëdha sesa sakrificat që bëj.»—Malakia 3:10.
Jeta në Bethel
Si është jeta në Bethel? Anëtarët e familjes Bethel thonë se është e shëndetshme, e kënaqshme dhe, madje, entuziazmuese. Jensi, i cili është 43 vjeç, e pëlqen shumë shërbimin në Bethel. Përse? Ai thotë: «Për shkak të ndjenjës se jemi pjesë e një përpjekjeje të madhe për të kryer një detyrë të rëndësishme. Arrij ta kuptoj shtrirjen dhe rëndësinë e veprës së Jehovait.»
Nga e hëna deri të shtunën, dita në Bethel fillon me adhurimin e mëngjesit. Ky është një trajtim nga Bibla, të cilin e drejton një plak me përvojë. Të hënave në mbrëmje, i kushtohet një orë studimit familjar të Biblës me ndihmën e Kullës së Rojës, i cili disa herë ndiqet nga një fjalim i bazuar në një temë biblike, të përshtatur në mënyrë të veçantë për familjen Bethel.
Çfarë ndodh kur një person vjen fillimisht në Bethel? Për t’i njohur anëtarët e rinj me jetën e Bethelit, vëllezër të pjekur të familjes mbajnë fjalime që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme të shërbimit aty. Për disa javë gjatë vitit të parë, anëtarët e rinj të familjes Bethel ndjekin një shkollë të shkëlqyer që mbahet një herë në javë, e cila është projektuar për të zgjeruar kuptueshmërinë e tij ose të saj për Shkrimet. Të sapoardhurit kanë edhe një program të veçantë për leximin e Biblës. Gjatë vitit të parë të shërbimit në Bethel, anëtarët e rinj të familjes e lexojnë të tërë Biblën, nga fillimi në fund.
Cili është efekti i gjithë kësaj stërvitjeje? Xhoshua, një anëtar 33-vjeçar i familjes Bethel në Hong-Kong, përgjigjet: «Betheli ma ka thelluar vërtet çmueshmërinë për Jehovain. Kam mundësi të shoqërohem me shumë vëllezër me përvojë, të cilët e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre duke i shërbyer Jehovait. Veçanërisht, më pëlqejnë programet frymore, si adhurimi i mëngjesit dhe studimi familjar i Kullës së Rojës. Më tej, më pëlqen jeta e rregullt dhe e thjeshtë. Kjo më liron nga ankthet e panevojshme. Mësoj edhe si t’i bëj gjërat në mënyrë të krishterë, dhe kjo ka qenë gjithnjë e dobishme.»
Anëtarët e familjes Bethel e harxhojnë pjesën më të madhe të kohës dhe të përpjekjeve të tyre duke bërë atë për të cilën dolën vullnetarë. Domethënë, i përdorin burimet fizike dhe mendore kryesisht që të kujdesen për caktimin që u është dhënë në Bethel. Duhen bërë shumë gjëra të ndryshme. Disa punojnë në shtypshkronjë ose në libralidhje për të bërë libra të cilët u dërgohen shumë kongregacioneve. Të tjerë shërbejnë në kuzhinë, në dhomën e ngrënies ose në lavanderi. Caktimet përfshijnë pastrimin, punën në fermë, punën e ndërtimit e kështu me radhë. Disa kanë përgjegjësinë që të kujdesen për pajisjet në këto reparte. Të tjerë sigurojnë kujdes shëndetësor ose punojnë në zyra. Të gjitha caktimet e punës në Bethel përfshijnë sfida që sjellin kënaqësi dhe janë shpërblyese në mënyrë të mrekullueshme. Puna e bërë në Bethel është veçanërisht e këndshme, sepse përkrah interesat e Mbretërisë dhe kryhet nga dashuria për Perëndinë.
Anëtarët e familjes Bethel janë caktuar nëpër kongregacione, ku provojnë drejtpërdrejt dobitë e punës së tyre. Ata kënaqen duke ndjekur mbledhjet e kongregacionit dhe duke marrë pjesë në veprën e predikimit. Për pasojë, anëtarët e familjes Bethel kanë zhvilluar lidhje të forta me vëllezërit e motrat e tyre në kongregacionet ku shërbejnë.—Marku 10:29, 30.
Rita, anëtare e familjes Bethel në Britani, thotë: «Jam shumë mirënjohëse për kongregacionin. Kur jam në mbledhje dhe në shërbim, më forcohet shumë besimi kur shoh atje vëllezër, motra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët janë kaq të dashur. Çfarëdo që të ndodhë, ata janë të pranishëm. Kjo më ndihmon të jem më e zellshme në shërbimin në Bethel.»
Jeta në Bethel nuk është e gjitha punë, mbledhje, shërbim në fushë dhe studim. Familja gëzon edhe periudha çlodhjeje. Herë pas here, bëhen programe zbavitëse dhe shpërblyese nga ana frymore të quajtura «Mbrëmja e familjes», të cilat u japin mundësi anëtarëve të familjes të kënaqen me talentet e shumë vetave dhe të mësojnë gjëra nxitëse për jetën e të tjerëve që shërbejnë në Bethel. Të këndshme janë edhe vizitat ndërtuese e të shëndetshme te njëri-tjetri. Mund të sigurohen disa mjedise për kohën e lirë, si edhe biblioteka për lexim personal dhe kërkime. Nuk duhen harruar as bisedat e këndshme në tavolinë, në kohën e ngrënies.
Tomi, anëtar i familjes Bethel në Estoni, thotë: «Shumë afër Bethelit është deti dhe aty afër gjendet një pyll i bukur, ku së bashku me gruan, na pëlqen të bëjmë shëtitje të shkurtra. Ndonjëherë luaj edhe golf, hokej dhe tenis me miqtë në kongregacion dhe në Bethel. Dhe, kur na e lejon moti, bëjmë shëtitje me biçikletë.»
Çfarë mund të bësh për t’u kualifikuar?
Patjetër që Betheli është, kryesisht, një vend ku të krishterë të pjekur i bëjnë shërbim të shenjtë Jehovait dhe punojnë për dobinë e bashkëbesimtarëve në mbarë botën. Ata që bëhen anëtarë të familjes Bethel duhet të plotësojnë disa kualifikime. Çfarë mund të bësh që të kualifikohesh për shërbimin në Bethel?
Ashtu si Timoteu, i cili shërbeu me apostullin Pavël, ata që pranohen për shërbimin në Bethel duhet të kenë qëndrim të mirë në kongregacion. (1 Timoteut 1:1) Për Timoteun, «vëllezërit në Listra dhe Ikoni flitnin mirë». (Veprat 16:2) Ndonëse ishte i ri në moshë, Timoteu i njihte Shkrimet dhe ishte i themeluar mirë në të vërtetën. (2 Timoteut 3:14, 15) Në mënyrë të ngjashme, nga ata që pranohen për shërbimin në Bethel pritet të kenë njohuri për Biblën.
Anëtarët e familjes Bethel duhet të kenë një frymë vetësakrifikuese. Fryma vetësakrifikuese dhe gatishmëria që kishte Timoteu për t’i vënë interesat e Mbretërisë para të tijave ishte kaq e dukshme, saqë apostulli Pavël mundi të thoshte për të: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si të tijën, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja. Pasi gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Krishtit Jezu. Por ju e dini provën që dha ai për veten, se si u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me atin e tij, për të çuar përpara lajmin e mirë.»—Filipianëve 2:20-22.
Shërbimi në Bethel kërkon burra frymorë e gra frymore. Rregullimet e bëra për anëtarët e familjes Bethel ua bëjnë të mundur të rriten frymësisht nëpërmjet studimit të Biblës, rregullsisë në mbledhjet e krishtere e në shërbimin në fushë, si edhe shoqërimit me të krishterë të pjekur. Kështu, ata që janë në Bethel ndihmohen të ndjekin këshillën e Pavlit: «Vazhdoni të ecni në unitet me [Krishtin Jezu], të rrënjosur, duke u ndërtuar në të e duke u stabilizuar në besim, ashtu siç ju është mësuar, duke vërshuar me besim në dhënie falënderimesh.»—Kolosianëve 2:6, 7.
Për shkak të natyrës së punës në Bethel, ata që pranohen për këtë privilegj shërbimi duhet të jenë të fortë fizikisht dhe me shëndet të mirë. Nëse i plotëson kualifikimet që kemi përmendur dhe ke moshën 19 vjeç ose më shumë, si edhe ke të paktën një vit që je pagëzuar, të nxitim që ta shqyrtosh shërbimin në Bethel.
Të gjithë marrim pjesë
Si të krishterë, patjetër, të gjithë dëshirojmë t’i vëmë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetë dhe të jemi me gjithë shpirt në shërbimin ndaj Jehovait. (Mateu 6:33; Kolosianëve 3:23) Gjithashtu, mund t’i nxitim ata që shërbejnë në Bethel të vazhdojnë të bëjnë shërbim të shenjtë atje. Veçanërisht, vëllezërit e rinj në moshë, të cilët kualifikohen për shërbimin në Bethel, duhen nxitur që të synojnë për këtë privilegj të bekuar.
Shërbimi në Bethel është një mënyrë jetese e kënaqshme frymësisht, e cila mund të jetë karriera vërtet më e mirë për ty. Kështu është për Nikun, i cili filloi të shërbente në Bethel në moshën 20-vjeçare. Pas dhjetë vjetësh shërbimi në Bethel, ai thotë: «E falënderoj shpesh Jehovain në lutje për dashamirësinë e tij të pamerituar. Çfarë mund të kërkoja më tepër? Këtu, jemi të rrethuar nga të krishterë besimplotë, të cilët po bëjnë më të mirën për t’i shërbyer Jehovait.»
[Kutia dhe figura në faqen 22]
ÇFARË MUND TË BËJNË PLEQTË DHE PRINDËRIT?
Pleqtë dhe mbikëqyrësit udhëtues duhet t’i nxitin sidomos djemtë e rinj të bëjnë kërkesën për në Bethel. Kohët e fundit, një anketë e rastit e bërë me anëtarët e rinj të familjes Bethel tregoi se 34 për qind e tyre kryesisht ishin nxitur nga mbikëqyrësit e krishterë që ta bënin shërbimin në Bethel synimin e tyre. Është e vërtetë që kongregacionet mund ta ndiejnë mungesën e tyre. Por është mirë të mbajmë mend se, ndonëse Timoteu, pa dyshim, ushtronte një ndikim të shëndetshëm te të rinjtë në Listra dhe në Ikoni, pleqtë e atjeshëm nuk e penguan duke mos e lënë të shkonte të shërbente me Pavlin. Ata nuk nxorën përfundimin që, nëse Timoteu do të shoqëronte apostullin, kongregacioni i tyre do të kishte një humbje tepër të madhe.—1 Timoteut 4:14.
Veçanërisht prindërit e krishterë duhet të përpiqen të ndikojnë pozitivisht te fëmijët e tyre për këtë çështje. Në anketën e përmendur më sipër, 40 për qind e atyre që u pyetën, thanë se prindërit ishin burimi kryesor i nxitjes për të filluar shërbimin në Bethel. Një motër, e cila ka disa vjet që shërben në Bethel, tha: «Jeta e prindërve të mi në shërbim të Jehovait ishte një shtysë e fuqishme që të filloja shërbimin në Bethel. Duke parë shembullin e tyre në shërbimin e plotkohor, e dija se kjo do të ishte mënyra e jetës më e mirë dhe më e kënaqshme për të zgjedhur.»
[Kutia në faqen 24]
E ÇMOJNË SHËRBIMIN NË BETHEL
«E vlerësoj shumë shërbimin në Bethel. Është e kënaqshme të di se i kam shërbyer Jehovait gjatë gjithë ditës dhe se do të bëj të njëjtën gjë nesër, pasnesër, e kështu me radhë. Kjo më jep një ndërgjegje të mirë dhe ma mbush mendjen me mendime pozitive.»
«Betheli është një vend ku mund t’ia kushtosh të gjithë kohën dhe energjitë e tua shërbimit ndaj Jehovait, pa shpërqendrim. Kjo të sjell gëzim të brendshëm. Por, gjithashtu, mund ta shohësh organizatën e Jehovait nga një këndvështrim i ndryshëm. Ndihesh shumë më afër qendrës së kësaj organizate, dhe kjo e bën këtë shërbim një gjë shumë entuziazmuese.»
«Fakti që kam ardhur në Bethel është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë. Arsimimi këtu nuk mbaron kurrë. Përveç kësaj, arsimimi këtu nuk është për arritjet e mia personale, por për Jehovain. Këtu, puna ime nuk do të jetë kurrë e kotë.»
«Duke qenë se i përdor talentet e mia në Bethel, ndihem e kënaqur dhe me paqe të brendshme, sepse ato po përdoren për Jehovain dhe për vëllezërit.»
«Nuk arrija të gjeja kënaqësi dhe lumturi të vërtetë në karrierën që kisha më parë. Për shumë vjet, kisha ëndërruar të punoja me dhe për vëllezërit e motrat. Ja përse erdha në Bethel. Gjej kënaqësi të vërtetë duke e ditur se të gjitha përpjekjet e mia do t’u sjellin dobi frymore të tjerëve dhe do t’i sjellin lavdi Jehovait.»