«Dhi mali tërheqëse»
«TËRHEQËSE», nuk është një mbiemër që shumica prej nesh do ta përdornim për të përshkruar një dhi. Mund t’i mendojmë dhitë si kafshë të dobishme, që hanë pothuajse çdo gjë dhe që na japin mish të shijshëm dhe qumësht ushqyes, por vështirë se do t’i quanim tërheqëse.
Megjithatë, Bibla e përshkruan një grua si «drenushë të dashur dhe dhi mali tërheqëse». (Proverbat [Fjalët e urta] 5:18, 19, BR) Solomoni, një shkrimtar i librit të Proverbave, e kishte vrojtuar me vëmendje florën dhe faunën e Izraelit, prandaj, pa dyshim, kishte arsye të vlefshme për të përdorur këtë metaforë. (1 Mbretërve 4:30-33) Ndoshta, ashtu si i ati, Davidi, ai kishte vëzhguar dhitë e malit që vizitojnë rregullisht zonën përreth En-gedit, pranë brigjeve të Detit të Vdekur.
Kope të vogla me dhi mali, të cilat jetojnë në shkretëtirën e Judesë aty afër, vijnë rregullisht në burimin e En-gedit. Meqë është i vetmi burim i sigurt uji në këtë tokë shterpë, En-gedi ka shekuj që është vend i preferuar për ujë nga dhitë e malit. Në fakt, emri En-gedi ka të ngjarë të ketë kuptimin «burimi i kecit», një dëshmi për praninë e përhershme të dhive të reja në këtë zonë. Mbreti David gjeti strehim këtu nga persekutimi i mbretit Saul, ndonëse iu desh të jetonte si ikanak «përballë shkëmbinjve të dhive të egra».—1 Samuelit 24:1, 2.
Në En-gedi mund të shihni ende ndonjë dhi mali, e cila zgjedh tërë elegancë rrugën e saj poshtë nëpër një grykë shkëmbore ndërsa ndjek një cjap drejt ujit. Atëherë mund të filloni të kuptoni krahasimin e dhisë së malit me një grua besnike. Natyra e saj e qetë dhe mënyrat e saj elegante të të vepruarit tregojnë, gjithashtu, virtyte femërore. Me sa duket, fjala «tërheqëse» nënkupton hirin dhe pamjen elegante të dhisë së malit.a
Përveçse të jetë hirplote, dhia e malit duhet të jetë edhe e fortë. Siç ia theksoi Jehovai Jobit, dhia e malit i lind të vegjlit nëpër shkrepa, në vende shkëmbore të paarritshme, ku ushqimi mund të jetë i pakët dhe temperaturat ekstreme. (Jobi 39:1) Me gjithë këto vështirësi, ajo kujdeset për të vegjlit e saj dhe i mëson të ngjiten dhe të kërcejnë nëpër shkëmbinj po me aq lehtësi sa edhe ajo vetë. Gjithashtu, dhia e malit i mbron me trimëri të vegjlit e saj nga grabitqarët. Një vrojtues shikoi një dhi mali që luftoi gjysmë ore për të zmbrapsur një shqiponjë, ndërsa keci i vogël ishte strukur poshtë saj për mbrojtje.
Grave dhe nënave të krishtere shpesh u duhet t’i rritin fëmijët në rrethana të vështira. Ashtu si dhia e malit, ato tregojnë përkushtim dhe altruizëm duke u kujdesur për këtë përgjegjësi që u ka dhënë Perëndia. Gjithashtu, me trimëri ato përpiqen t’i mbrojnë fëmijët e tyre nga rreziqet frymore. Prandaj, Solomoni nuk po i nënçmonte aspak gratë me këtë metaforë, por po e tërhiqte vëmendjen ndaj hirit dhe bukurisë së gruas, cilësive frymore që shkëlqejnë edhe në ambientin më të vështirë.
[Shënimi]
a Sipas The New Brown-Driver-Briggs-Gesenius Hebrew and English Lexicon, në këtë kontekst fjala hebraike chen, e përkthyer «tërheqëse» do të thotë ‘hir ose elegancë në formë dhe në paraqitje’.
[Figurat në faqet 30, 31]
Një grua dhe nënë e krishterë shfaq cilësi të bukura frymore kur përmbush përgjegjësitë që i ka dhënë Perëndia