Për në ishujt e Paqësorit në punë!
SALLAT ku pasagjerët presin për t’u nisur, në aeroportet ndërkombëtare në Brisbein dhe Sidnei, Australi, zienin nga një entuziazëm më i madh se zakonisht. Një grup prej 46 vetash po bëhej gati të merrte fluturimin për në Samoan plot diell, që të bashkohej me 39 të tjerë, nga Zelanda e Re, Havai dhe Shtetet e Bashkuara. Bagazhet e tyre nuk ishin të zakonshme: përbëheshin kryesisht nga vegla, si çekiçë, sharra dhe trapano, jo gjërat që një person merr zakonisht për një udhëtim në një ishull tërheqës të Paqësorit. Por, sigurisht, misioni i tyre nuk ishte aspak i zakonshëm.
Duke udhëtuar me shpenzimet e tyre, ata do të kalonin dy javë si vullnetarë pa pagesë, në një program ndërtimi të mbikëqyrur nga Zyra Rajonale e Inxhinierisë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. Programi, i financuar me kontribute vullnetare, përfshin ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, të Sallave të Asambleve, të shtëpive misionare dhe të ndërtesave të degës ose të përkthimit, për kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait që po rriten me të shpejtë në ishujt e Paqësorit. Le të takojmë disa prej punëtorëve, të cilët kanë qenë në skuadra ndërtimi të Sallave të Mbretërisë në vendet e tyre.
Maksi, që punon në veshjen e çative, vjen nga Koura në Uellsin e Ri Jugor, Australi. Është i martuar dhe ka pesë fëmijë. Arnoldi është nga Havai. Ka dy djem dhe shërben edhe si pionier ose shërbëtor i plotkohor. Ashtu si Maksi, Arnoldi shërben si plak në kongregacionin e tij. Patjetër, këta burra që karakterizojnë pjesën më të madhe të vullnetarëve në program, nuk janë vullnetarë sepse kanë kohë të tepërt. Përkundrazi, ata dhe familjet e tyre shohin një nevojë dhe duan të bëjnë atë që munden për të ndihmuar.
Punëtorë nga shumë kombe plotësojnë një nevojë jetësore
Një vend ku nevojiteshin aftësitë dhe shërbimet e tyre ishte Tuvalu, një komb në oqeanin Paqësor me rreth 10 500 banorë, i cili gjendet në një grup të largët prej nëntë atolesh koralorë, afër ekuatorit dhe në veriperëndim të Samoas. Ishujt ose atolet kanë mesatarisht një sipërfaqe prej 2,5 kilometrash katrorë secila. Në vitin 1994, të 61 Dëshmitarët atje kishin nevojë urgjente për një Sallë të re Mbretërie dhe për një zyrë përkthimi më të madhe.
Në këtë pjesë të Paqësorit tropikal, ndërtesat duhen projektuar dhe ndërtuar që t’u bëjnë ballë stuhive dhe cikloneve të shpeshta e të ashpra. Por në ishuj ka pak materiale ndërtimi me cilësi. Zgjidhja? Çdo material—që nga veshja e çative dhe armatura e deri tek orenditë dhe perdet, wc-të e banjove dhe tubat e dusheve, madje edhe vidat e gozhdët—u soll me rrugë detare nga Australia, nëpër konteinerë.
Para se të mbërrinin materialet, një skuadër e vogël paraprake përgatiti vendin e punës dhe hodhi themelet. Pastaj, erdhën punëtorët ndërkombëtarë për të ngritur, lyer e për të pajisur ndërtesat.
Rastësisht, gjithë ky aktivitet në Tuvalu shkaktoi zemërimin e një kleriku lokal, i cili njoftoi në radio se Dëshmitarët po ngrinin një «Kullë Babeli»! Por, cilat ishin faktet? «Kur njerëzit ndërtonin Kullën e Babelit, për të cilën flitet në Bibël, zbuluan se nuk e kuptonin dot më njëri-tjetrin, sepse Perëndia u kishte ngatërruar gjuhët, kështu që iu desh ta braktisnin projektin dhe ta linin kullën të papërfunduar,—thotë vullnetari Greimi. (Zanafilla 11:1-9)—Është krejt e kundërta kur punon për Perëndinë Jehova. Me gjithë ndryshimet gjuhësore dhe kulturore, projektet përfundohen gjithnjë.» Kështu ndodhi edhe me këtë projekt, i cili u mbarua vetëm për dy javë. Në fakt, ceremoninë e dedikimit e ndoqën 163 veta, duke përfshirë edhe gruan e kryeministrit.
Dagu, mbikëqyrësi i projektit, thotë duke medituar për këtë përvojë: «Ishte një gëzim të punoje me vullnetarë nga vende të tjera. Kemi mënyra të ndryshme për t’i bërë gjërat, terminologji të ndryshme e, madje, sisteme të ndryshme matjeje, e, megjithatë, asnjë nga këto gjëra nuk shkaktoi ndonjë problem.» Tani që ka qenë i pranishëm në disa projekte të tilla, ai shton: «Kjo ma përforcon mendimin se, me mbështetjen e Jehovait, populli i tij mund të ngrejë ndërtesa kudo në këtë tokë, sado i izoluar ose i vështirë të jetë vendi i ndërtimit. Patjetër, kemi shumë njerëz të talentuar, por është fryma e Jehovait që e bën të mundur këtë gjë.»
Fryma e Perëndisë i shtyn, gjithashtu, familjet e Dëshmitarëve në ishuj që të sigurojnë ushqime e vende strehimi dhe kjo për disa është vërtet një sakrificë. Kjo çmohet thellësisht nga ata që e marrin këtë mikpritje. Keni nga Melburni, Australi, kishte punuar në një projekt të ngjashëm në Polinezinë Franceze. Ai vëren: «Erdhëm si shërbëtorë, por na trajtuan si mbretër.» Kur është e mundur, Dëshmitarët vendas ndihmojnë edhe në punën e ndërtimit. Në Ishujt Solomon, betonin e përzien gratë, madje me dorë. Njëqind burra dhe gra u ngjitën lart në malet e lagura nga shiu dhe sollën poshtë më shumë se 40 tonelata dru. Edhe të rinjtë ndihmuan. Një punëtor nga Zelanda e Re kujton: «Më kujtohet një vëlla i ri në ishull, i cili mbante dy a tre thasë çimento njëkohësisht. Gjithashtu, hiqte zhavorr gjithë ditën, në shi e në vapë.»
Fakti që Dëshmitarët vendas marrin pjesë në punë sjell një dobi tjetër. Zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Samoa raporton: «Vëllezërit në ishull kanë mësuar zanate që mund t’i përdorin për të ndërtuar Salla Mbretërie dhe për të bërë riparime e rindërtime pas cikloneve. Këto zanate mund t’i ndihmojnë edhe për të fituar jetesën në një komunitet ku shumë të tjerë e kanë të vështirë të gjejnë punë.»
Programi i ndërtimit jep dëshmi të shkëlqyer
Kolini ishte në Honiara dhe pa ndërsa ndërtohej Salla e Asambleve në Ishujt Solomon. Me mbresa të thella, i shkroi zyrës së degës së Shoqatës Watch Tower këtë mesazh në anglishten pixhine: «Të gjithë kishin një mendje, asnjeri nuk trajtonin ashpër, ata edhe një familje ishin.» Pak kohë më pas, kur u kthye në fshatin e tij në Aruligo, 40 kilometra larg, ai dhe familja e tij ndërtuan një Sallë Mbretërie. Pastaj, i dërguan një mesazh tjetër zyrës: «Salla jonë e Mbretërisë, e cila ka edhe podium, është gati, prandaj, a mund të bëjmë disa mbledhje këtu?» Kjo gjë u rregullua menjëherë, dhe më shumë se 60 veta ndjekin mbledhjet atje rregullisht.
Një këshilltar i Bashkimit Evropian pa projektin në Tuvalu. «Mendoj se të gjithë jua thonë këtë,—i bëri një koment një punëtori,—por, për mua, kjo është thjesht një mrekulli!» Një grua që punonte në një central telefonik, pyeti një vullnetare tjetër që kishte ardhur: «Si ka mundësi që të gjithë ju jeni kaq të lumtur? Bën kaq vapë këtu!» Nuk e kishin parë kurrë më parë krishterimin në veprim, në një mënyrë kaq praktike e vetëmohuese.
Sakrifica pa keqardhje
«Ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur»,—thotë Bibla te 2 Korintasve 9:6. Punëtorët, familjet e tyre dhe kongregacionet ku bëjnë pjesë po vazhdojnë të mbjellin me bujari, duke ndihmuar Dëshmitarët e tjerë në Paqësor. «Kongregacioni im më dhuroi më shumë se një të tretën e biletës së avionit,—thotë Rosi, një plak nga Kinkumberi, afër Sidneit,—dhe kunati, i cili erdhi, gjithashtu, me mua, kontribuoi 500 dollarë të tjerë.» Një punëtor tjetër i nxori lekët e udhëtimit duke shitur makinën. Një tjetër akoma, shiti një copë tokë. Kevinit i duheshin edhe 900 dollarë të tjerë, kështu që vendosi të shiste 16 pëllumbat e tij dyvjeçarë. Nëpërmjet një të njohuri, gjeti një blerës që i ofroi tamam 900 dollarë për ta.
«A ia vlente udhëtimi dhe pagat që humbët, të cilat së bashku bëjnë 6000 dollarë?»—e pyetën Danin dhe Sherilin. «Po! Edhe dyfishi i asaj shume do të kishte qenë më se i denjë të harxhohej»,—u përgjigjën ata. Alani nga Nelsoni, Zelanda e Re, shtoi: «Me paratë që më kushtoi të shkoja në Tuvalu, mund të kisha shkuar deri në Evropë dhe të më mbeteshin ende para. Por, a do të kisha marrë bekimet ose a do të kisha bërë kaq shumë miq me prejardhje të ndryshme, ose a do të kisha bërë diçka për të tjerët, në vend që ta bëja për vete? Jo! Sidoqoftë, sado që t’u kem dhënë vëllezërve tanë në ishull, ata më dhanë shumë më tepër.»
Një çelës tjetër për suksesin e programit është mbështetja e familjes. Ndërkohë që disa gra mund t’i shoqërojnë burrat e tyre e, madje, t’i ndihmojnë në kantierin e punës, të tjera duhet të kujdesen për fëmijët që kanë në moshë shkollore ose për punët e familjes. «Gatishmëria e gruas që të kujdesej për fëmijët dhe për shtëpinë gjatë mungesës sime,—thotë Klei,—ishte një sakrificë shumë më e madhe se e imja.» Në fakt, të gjithë burrat që nuk patën mundësi t’i merrnin gratë me vete, do t’i shtonin një «Amen» me gjithë zemër këtij pohimi.
Që nga përfundimi i projektit në Tuvalu, punëtorët vullnetarë kanë ndërtuar Salla Mbretërie, Salla Asamblesh, shtëpi misionare dhe zyra përkthimi në Fixhi, Tonga, në Papua Guinenë e Re, në Kaledoninë e Re dhe në vende të tjera. Shumë projekte, ku përfshihen edhe disa projekte për vende të Azisë Juglindore, janë ende në fazë planifikimi. A do të ketë mjaft punëtorë?
Me sa duket, ky nuk do të jetë një problem. «Këtu, të gjithë ata që kanë marrë pjesë në projekte ndërkombëtare ndërtimi kanë kërkuar që t’i kujtojnë kur të planifikohet një projekt tjetër,—shkruan zyra e degës në Havai.—Sapo kthehen në shtëpi, fillojnë të kursejnë para për këtë.» Si mund të mos jetë i suksesshëm programi, kur këtij përkushtimi altruist i shtoni edhe bekimin e pasur të Jehovait?
[Figura në faqen 9]
Materiale për projektin
[Figurat në faqen 9]
Ekip pune në kantierin e ndërtimit
[Figurat në faqen 10]
Kur mbaruan projektet, u gëzuam për atë që kishte kryer fryma e Perëndisë