Sa e do Fjalën e Perëndisë?
«Sa e dua ligjin tënd! Ai është meraku im gjatë gjithë ditës.»—PSALMI 119:97, BR.
1. Në ç’mënyrë e tregojnë individët me druajtje Perëndie dashurinë e tyre për Fjalën e Perëndisë?
ME QINDRA milionë burra e gra e kanë një kopje të Biblës. Por një gjë është të kesh një Bibël dhe një gjë tjetër ta duash Fjalën e Perëndisë. A mund të pohojë me të drejtë një person se e do Fjalën e Perëndisë, nëse e lexon rrallë atë? Patjetër që jo! Në kontrast, disa që më parë nuk kishin shumë konsideratë për Biblën, tani e lexojnë atë çdo ditë. Ata kanë mësuar ta duan Fjalën e Perëndisë dhe, ashtu si psalmisti, tani e bëjnë Fjalën e Perëndisë merakun e tyre «gjatë gjithë ditës».—Psalmi 119:97, BR.
2. Si u mbështet besimi i një Dëshmitari të Jehovait nën kushte të vështira?
2 Një njeri që mësoi ta donte Fjalën e Perëndisë ishte Nasho Dori. Së bashku me bashkëbesimtarët e tjerë, ai qëndroi për shumë dekada duke i shërbyer Jehovait në vendin e tij, në Shqipëri. Për pjesën më të madhe të asaj kohe, Dëshmitarët e Jehovait ishin nën ndalim dhe këta të krishterë besnikë merrnin pak literaturë biblike. Megjithatë, besimi i vëllait Dori mbeti i fortë. Si ndodhi kjo? «Kisha si synim,—tha ai,—ta lexoja Biblën të paktën për një orë çdo ditë, gjë të cilën e bëra për 60 vjet, përpara se të humbja shikimin.» Deri kohët e fundit, në shqip nuk disponohej një Bibël e plotë, por vëllai Dori kishte mësuar greqisht kur ishte fëmijë, kështu që e lexonte Biblën në atë gjuhë. Leximi i Biblës rregullisht e mbështeti vëllanë Dori përmes sprovave të ndryshme dhe mund të na mbështetë edhe ne.
‘Të ushqejmë një dëshirë të zjarrtë’ për Fjalën e Perëndisë
3. Cilin qëndrim duhet të kultivojnë të krishterët ndaj Fjalës së Perëndisë?
3 «Si foshnja të sapolindura,—shkroi apostulli Pjetër,—ushqeni një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier që i përket fjalës.» (1. Pjetrit 2:2, BR) Ashtu si një foshnjë që e dëshiron fort qumështin e nënës së vet, të krishterët që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore gjejnë kënaqësi të madhe duke lexuar Fjalën e Perëndisë. A ndihesh kështu? Nëse jo, mos u dëshpëro. Edhe ti mund të kultivosh një dëshirë të zjarrtë për Fjalën e Perëndisë.
4. Çfarë përfshihet në bërjen e leximit të Biblës një shprehi të përditshme?
4 Për të arritur këtë, së pari disiplinoje veten për ta bërë leximin e Biblës një shprehi të rregullt dhe po të jetë e mundur, të përditshme. (Veprat 17:11) Ndoshta nuk ke mundësi të kalosh një orë çdo ditë duke lexuar Biblën, siç bënte Nasho Dori, por, në mënyrë të ngjashme, mund të lësh mënjanë pak kohë çdo ditë për të shqyrtuar Fjalën e Perëndisë. Shumë të krishterë ngrihen disa minuta më herët në mëngjes, për të medituar mbi një fragment biblik. A mund të ketë ndonjë mënyrë më të mirë se kjo, për ta filluar ditën? Të tjerë preferojnë ta përfundojnë ditën duke lexuar Biblën, pak para se të flenë. Të tjerë akoma e lexojnë Biblën në një kohë tjetër të volitshme. E rëndësishme është që ta lexosh Biblën rregullisht. Pastaj, gjej ca minuta kohë për të medituar rreth asaj që ke lexuar. Le të shqyrtojmë disa shembuj të individëve që nxorën dobi nga leximi dhe meditimi rreth Fjalës së Perëndisë.
Një psalmist që e donte Ligjin e Perëndisë
5, 6. Edhe pse mund të mos ia dimë emrin, çfarë mund të mësojmë rreth shkrimtarit të Psalmit të 119-të, duke lexuar dhe medituar rreth asaj që shkroi ai?
5 Shkrimtari i Psalmit të 119-të sigurisht që kishte një çmueshmëri të thellë për Fjalën e Perëndisë. Kush e shkroi këtë psalm? Në Bibël nuk identifikohet shkrimtari i tij. Megjithatë, nga konteksti mësojmë disa hollësi rreth tij dhe e dimë se nuk bënte një jetë pa probleme. Disa nga të njohurit e tij, që pretendonin se ishin adhurues të Jehovait, nuk kishin të njëjtën dashuri që kishte ai për parimet biblike. Gjithsesi, psalmisti nuk lejoi që qëndrimi i tyre ta pengonte për të bërë atë që ishte e drejtë. (Psalmi 119:23) Nëse jeton ose punon me dikë që nuk i respekton normat e Biblës, mund të shohësh ngjashmëri mes situatës në të cilën gjendej psalmisti dhe situatës sate.
6 Edhe pse ishte njeri i perëndishëm, psalmisti nuk mbahej në asnjë mënyrë si tepër i drejtë. Ai i pranoi hapur papërsosmëritë e tij. (Psalmi 119:5, 6, 67) Megjithatë, nuk lejoi që mëkati ta kishte nën kontroll. «Si do ta pastrojë një i ri shtegun e vet?»—pyeti ai. Përgjigjja ishte: «Duke qëndruar vigjilent sipas fjalës sate.» (Psalmi 119:9, BR) Më pas, duke theksuar se çfarë force të fuqishme dobiprurëse ushtron Fjala e Perëndisë, psalmisti shtoi: «E kam ruajtur fjalën tënde [thëniet e tua, BR] në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.» (Psalmi 119:11) Një forcë vërtet e fuqishme, që mund të na ndihmojë për të mos mëkatuar kundër Perëndisë!
7. Përse veçanërisht të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm për nevojën e leximit të Biblës përditë?
7 Të rinjtë e krishterë bëjnë mirë të mendojnë me kujdes rreth fjalëve të psalmistit. Sot ata po sulmohen! Djallit do t’i pëlqente shumë të korruptonte brezin e ri të adhuruesve të Jehovait. Synimi i Satanait është t’i joshë të rinjtë e krishterë që t’u dorëzohen dëshirave të mishit dhe të thyejnë ligjet e Perëndisë. Filmat dhe programet televizive shpesh pasqyrojnë mënyrën e të menduarit të Djallit. Yjet e këtyre programeve duken tërheqës e të pëlqyeshëm dhe marrëdhëniet imorale mes tyre portretizohen si një gjë normale. Mesazhi që përcjellin? ‘S’ka asnjë problem që njerëzit e pamartuar të kenë marrëdhënie seksuale, për sa kohë që e duan me të vërtetë njëri-tjetrin.’ Mjerisht, çdo vit një numër të rinjsh të krishterë bien pre e këtij arsyetimi. Disa përjetojnë fundosjen e besimit të tyre. Prandaj, presioni ekziston! Por, a është ai kaq i fortë saqë të rinjtë ta kenë të pamundur t’i bëjnë ballë? Aspak! Jehovai u ka siguruar të rinjve të krishterë një mënyrë se si t’i kapërcejnë dëshirat jo të shëndetshme. Ata mund t’i rezistojnë çdo arme që mund të shpikë Djalli, duke ‘qëndruar vigjilentë sipas Fjalës së Perëndisë, duke ruajtur thëniet e Perëndisë në zemrën e tyre’. Sa kohë harxhon personalisht duke lexuar dhe duke medituar rregullisht rreth Biblës?
8. Si mund të të ndihmojnë shembujt e treguar në këtë paragraf për të rritur çmueshmërinë për Ligjin e Moisiut?
8 Shkrimtari i Psalmit të 119-të thërriti: «Sa e dua ligjin tënd!» (Psalmi 119:97, BR) Cilit ligj po i referohej? Fjalës së zbuluar të Jehovait, duke përfshirë edhe kodin e Ligjit të Moisiut. Në pamje të parë, disa mund ta shpërfillin kodin e Ligjit, duke e konsideruar si të vjetër dhe mund të habiten se si mund ta dojë dikush atë. Megjithatë, kur meditojmë mbi aspektet e ndryshme të Ligjit të Moisiut, siç bëri psalmisti, mund të kuptojmë mençurinë që qëndron pas këtij Ligji. Përveç aspekteve të shumta profetike, Ligji përfshinte rregulla sanitare dhe dietike, të cilat nxitnin pastërtinë dhe shëndetin e mirë. (Levitiku 7:23, 24, 26; 11:2-8) Ligji inkurajonte ndershmërinë në praktikat tregtare dhe u bënte thirrje izraelitëve të tregonin empati për bashkadhuruesit nevojtarë. (Eksodi [Dalja] 22:26, 27; 23:6; Levitiku 19:35, 36; Ligji i përtërirë 24:17-21) Vendimet gjyqësore duheshin marrë me paanshmëri. (Ligji i përtërirë 16:19; 19:15) Dora-dorës që shkrimtari i Psalmit të 119-të fitoi përvojë në jetë, pa dyshim ai e pa se çfarë rezultati të mirë patën ata që zbatonin Ligjin e Perëndisë dhe dashuria e tij për këtë Ligj u bë edhe më e fortë. Në mënyrë të ngjashme sot, dora-dorës që të krishterët kanë rezultate të mira nga zbatimi i parimeve të Biblës, dashuria dhe çmueshmëria e tyre për Fjalën e Perëndisë intensifikohet.
Një princ që pati guximin të ishte i ndryshëm
9. Çfarë qëndrimi kultivoi mbreti Hezekia lidhur me Fjalën e Perëndisë?
9 Përmbajtja e Psalmit të 119-të është në harmoni me atë që dimë për Hezekian, kur ky ishte ende një princ i ri. Disa studiues biblikë sugjerojnë se shkrimtari i psalmit ishte Hezekia. Ndonëse kjo nuk është e sigurt, ne e dimë se Hezekia kishte shumë respekt për Fjalën e Perëndisë. Me jetën e tij, ai tregoi se ishte me gjithë zemër në harmoni me fjalët e Psalmit 119:97. Bibla thotë për Hezekian: «[Ai] mbeti i lidhur me Zotin. Nuk pushoi së ndjekuri gjurmët e tij dhe respektoi urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut.»—2. Mbretërve 18:6.
10. Çfarë inkurajimi ofron shembulli i Hezekias për të krishterët që nuk janë rritur nga prindër të perëndishëm?
10 Sipas të dhënave, Hezekia nuk u rrit në një familje të perëndishme. I ati, mbreti Ahaz, ishte një idhujtar jobesnik, i cili të paktën njërin nga djemtë e tij, d.m.th. një vëlla të Hezekias, e dogji të gjallë si flijim ndaj një perëndie të rremë! (2. Mbretërve 16:3) Me gjithë këtë shembull të keq, Hezekia pati mundësi të «pastronte shtegun e tij» nga ndikimet pagane, duke u njohur me Fjalën e Perëndisë.—2. Kronikave 29:2.
11. Ndërsa Hezekia vëzhgonte, çfarë përfundimi pati babai i tij jobesnik?
11 Ndërsa rritej, Hezekia e pa me sytë e tij se si i trajtonte i ati idhujtar çështjet e shtetit. Juda ishte e rrethuar nga armiq. Një prej tyre ishte Rezini, mbreti i Sirisë, i cili u bashkua me mbretin Pekah të Izraelit, në rrethimin e Jerusalemit. (2. Mbretërve 16:5, 6) Ishin edhe edomitët dhe filistejtë, të cilët bënë sulme të suksesshme në Judë e madje pushtuan disa qytete të saj. (2. Kronikave 28:16-19) Si i përballoi Ahazi këto kriza? Në vend që t’i drejtohej Jehovait për ndihmë kundër Sirisë, Ahazi iu drejtua mbretit të Asirisë, duke i dhënë ryshfete në ar e argjend, ku përfshihej edhe një sasi nga thesari i tempullit. Por kjo gjë nuk i solli paqe të qëndrueshme Judës.—2. Mbretërve 16:6, 8.
12. Çfarë duhej të bënte Hezekia për të shmangur përsëritjen e gabimeve të babait të tij?
12 Së fundi, Ahazi vdiq dhe Hezekia u bë mbret, në moshën 25-vjeçare. (2. Kronikave 29:1) Ai ishte relativisht i ri, por kjo gjë nuk e pengoi të bëhej një mbret i suksesshëm. Në vend që të imitonte sjelljen e babait të tij jobesnik, ai nuk iu nda Ligjit të Jehovait. Ky ligj përfshinte një urdhërim të veçantë për mbretërit: «Kur [mbreti] të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji, sipas kopjes së priftërinjve levitikë. Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji.» (Ligji i përtërirë 17:18, 19) Duke e lexuar përditë Fjalën e Perëndisë, Hezekia do të mësonte t’i druhej Jehovait dhe të shmangte përsëritjen e gabimeve të babait të tij të paperëndishëm.
13. Si mund të jetë i sigurt një i krishterë se, në kuptimin frymor, çdo gjë që bën do të ketë sukses?
13 Inkurajimi për t’i kushtuar vazhdimisht vëmendje Fjalës së Perëndisë nuk u jepej vetëm mbretërve të Izraelit, por edhe të gjithë izraelitëve me druajtje Perëndie. Psalmi i parë e përshkruan një person vërtet të lumtur si një njeri, «kënaqësia [e të cilit] është në ligjin e Jehovait dhe në ligjin e tij ai lexon nën zë ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2, BR) Për një njeri të tillë, psalmisti thotë: «Çdo gjë që ai bën do të ketë sukses.» (Psalmi 1:3, BR) Në kontrast, për njeriun që i mungon besimi në Perëndinë Jehova, Bibla thotë: «Ai është njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.» (Jakobit 1:8) Që të gjithë ne duam të jemi të lumtur e të suksesshëm. Leximi rregullisht e me një qëllim i Biblës mund t’i kontribuojë lumturisë sonë.
Fjala e Perëndisë e mbështeti Jezuin
14. Si e tregoi Jezui dashurinë e tij për Fjalën e Perëndisë?
14 Në një rast, prindërit e gjetën Jezuin të ulur mes mësuesve në tempullin e Jerusalemit. Sa u ‘habitën nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij’ këta ekspertë të Ligjit të Perëndisë! (Luka 2:46, 47) Kjo ndodhi kur Jezui ishte 12 vjeç. Po, edhe në moshë të re, dukej qartë se ai kishte dashuri për Fjalën e Perëndisë. Më vonë, Jezui i përdori Shkrimet për të qortuar ashpër Djallin, duke thënë: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, po me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.» (Mateu 4:3-10) Jo shumë kohë pas kësaj, Jezui u predikoi banorëve të qytetit të tij të lindjes, Nazaretit, duke përdorur Shkrimet.—Luka 4:16-21.
15. Në ç’mënyrë la një shembull Jezui, kur u predikoi të tjerëve?
15 Shpesh Jezui citoi nga Fjala e Perëndisë për të mbështetur mësimet e tij. Dëgjuesit e tij ‘ishin të mahnitur nga mënyra e tij e të mësuarit’. (Mateu 7:28, BR) S’është për t’u habitur, pasi mësimet e Jezuit vinin nga vetë Perëndia Jehova! Jezui tha: «Ajo që mësoj nuk është e imja, por i përket atij që më dërgoi. Ai që flet nga vetja kërkon lavdinë e vet, por ai që kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, ky është i vërtetë dhe në të nuk ka padrejtësi.»—Gjoni 7:16, 18, BR.
16. Deri në çfarë mase e tregoi Jezui dashurinë e tij për Fjalën e Perëndisë?
16 Ndryshe nga shkrimtari i Psalmit të 119-të, te Jezui ‘nuk kishte padrejtësi’. Ai ishte pa mëkat, Biri i Perëndisë, i cili «e përuli vetveten, duke u bërë i bindur deri në vdekje». (Filipianëve 2:8; Hebrenjve 7:26) Megjithatë, edhe pse ishte i përsosur, Jezui e studionte Ligjin e Perëndisë dhe i bindej atij. Ky ishte një faktor kyç në aftësinë e tij për të mbajtur integritetin. Kur Pjetri përdori një shpatë, duke u përpjekur t’i pengonte të tjerët që të arrestonin Zotërinë e tij, Jezui e qortoi apostullin dhe e pyeti: «A kujton ti vallë se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë, si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?» (Mateu 26:53, 54) Pra, për Jezuin përmbushja e Shkrimeve kishte më shumë rëndësi sesa të shpëtonte nga një vdekje mizore e poshtëruese. Çfarë dashurie e jashtëzakonshme për Fjalën e Perëndisë!
Imitues të tjerë të Krishtit
17. Sa e rëndësishme ishte Fjala e Perëndisë për apostullin Pavël?
17 Apostulli Pavël u shkroi të bashkëkrishterëve: «Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.» (1. Korintasve 11:1) Ashtu si Zotëria i tij, Pavli zhvilloi dashurinë për Shkrimet. Ai pranoi: «Në personin tim më të brendshëm, unë e dua shumë Ligjin e Perëndisë.» (Romakëve 7:22, The Jerusalem Bible) Pavli citonte shpesh nga Fjala e Perëndisë. (Veprat 13:32-41; 17:2, 3; 28:23) Kur i dha udhëzimet e fundit Timoteut, një bashkëshërbëtori të dashur, Pavli theksoi rolin e rëndësishëm që duhet të luajë Fjala e Perëndisë në jetën e përditshme të çdo ‘njeriu të Perëndisë’.—2. Timoteut 3:15-17.
18. Cito shembullin e një personi në kohët moderne, i cili tregoi respekt për Fjalën e Perëndisë.
18 Shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait në kohët moderne e kanë imituar në mënyrë të ngjashme dashurinë e Jezuit për Fjalën e Perëndisë. Në fillim të këtij shekulli, një djalë i ri mori një Bibël nga një shoqe. Më pas, përshkroi efektin që pati tek ai kjo dhuratë e çmuar: «Vendosa ta bëja një detyrë në jetën time leximin e një pjese të Biblës çdo ditë.» Ky i ri ishte Frederick Franz dhe dashuria për Biblën e bëri që të gëzonte një jetë të gjatë e të suksesshme në shërbimin e Jehovait. Ai mbahet mend me dashuri për aftësinë që kishte për të cituar kapituj të tërë të Biblës përmendësh.
19. Si e programojnë disa veta leximin javor të Biblës për Shkollën e Shërbimit Teokratik?
19 Dëshmitarët e Jehovait e vënë shumë theksin në rëndësinë e leximit të Biblës rregullisht. Çdo javë, duke u përgatitur për një nga mbledhjet e tyre të krishtere, Shkollën e Shërbimit Teokratik, ata lexojnë disa kapituj të Biblës. Gjatë mbledhjes trajtohen pika kryesore nga leximi i caktuar i Biblës. Disa Dëshmitarëve u duket e volitshme ta ndajnë leximin javor të Biblës në shtatë pjesë më të vogla dhe të lexojnë një pjesë çdo ditë. Duke lexuar, ata meditojnë mbi materialin. Kur është e mundur, bëjnë kërkime të mëtejshme me ndihmën e botimeve të bazuara në Bibël.
20. Çfarë nevojitet për të gjetur kohë për leximin e Biblës rregullisht?
20 Mund të të duhet të ‘blesh kohë’ nga aktivitetet e tjera për ta lexuar rregullisht Biblën. (Efesianëve 5:16) Megjithatë, dobitë do të jenë shumë më të mëdha se çfarëdo sakrifice. Duke zhvilluar shprehinë e leximit të Biblës përditë, dashuria jote për Fjalën e Perëndisë do të rritet. S’do të kalojë shumë kohë dhe ti do të ndihesh i nxitur të thuash si psalmisti: «Sa e dua ligjin tënd! Ai është meraku im gjatë gjithë ditës.» (Psalmi 119:97, BR) Një qëndrim i tillë do të sjellë shumë dobi tani dhe në të ardhmen, siç do ta tregojë artikulli vijues.
A të kujtohet?
◻ Si shfaqi shkrimtari i Psalmit të 119-të dashuri të thellë për Fjalën e Perëndisë?
◻ Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga shembujt e Jezuit dhe të Pavlit?
◻ Si mund ta shtojmë personalisht dashurinë për Fjalën e Perëndisë?
[Figurat në faqen 10]
Mbretërit besnikë duhej ta lexonin Fjalën e Perëndisë rregullisht. Ti, a e lexon?
[Figura në faqen 12]
Edhe kur ishte një djalë i vogël, Jezui e donte Fjalën e Perëndisë