Si mund të ketë sukses kërkimi i një jete më të gjatë?
DISA njerëz mbajnë shpresa se mijëvjeçari i ri do të përjetojë një hap përpara në përpjekjet e njeriut për të zgjatur jetën. Dr. Ronald Klatz është një prej tyre. Ai është presidenti i Akademisë Amerikane të Mjekësisë Kundër Plakjes, një organizatë mjekësh dhe shkencëtarësh që i janë përkushtuar zgjatjes së jetës së njeriut. Ai dhe kolegët e tij planifikojnë të jetojnë shumë gjatë. «Unë kërkoj si minimum një jetëgjatësi prej 130 vjetësh,—thotë dr. Klatz.—Ne besojmë se plakja nuk është e pashmangshme. Tani ekziston teknologjia që mund t’i ngadalësojë, t’i ndalojë e madje edhe t’i prapësojë në mënyrë domethënëse sëmundjet dhe rënien fizike, të cilat aktualisht quhen plakje natyrore.» Vetë dr. Klatz pi 60 tableta në ditë, duke kërkuar të zgjatë jetën e tij.
Terapia me hormone dhe gjenetika: Arsye për të shpresuar?
Terapia me hormone është një fushë që ngjall shpresa. Eksperimentet e bëra me hormonin që njihet si DHEA duket se e ngadalësojnë procesin e plakjes te kafshët laboratorike.
Për sa i përket hormonit bimor, kinetinës, një e përditshme suedeze, Aftonbladet, citonte fjalët e dr. Suresh Ratan, një profesor në Universitetin Aarhus, Danimarkë: «Eksperimentet e bëra në laboratorin tonë tregojnë se qelizat e lëkurës njerëzore të kultivuara në kinetinë nuk ndryshojnë sipas rrugës normale në lidhje me moshën. Ato mbeten të reja gjatë gjithë jetës së tyre.» Thuhet se insektet e trajtuara me këtë hormon jetojnë nga 30 deri në 40 për qind më shumë sesa normalisht.
Trajtimet me melatoninë pohohet se e kanë rritur jetëgjatësinë e minjve deri në 25 për qind. Për më tepër, minjtë dukeshin më të rinj, më të shëndetshëm dhe më të fuqishëm.
Përkrahësit e hormonit të rritjes së njeriut (hGH) pohojnë se ky kontribuon për të pasur një lëkurë rrezatuese, rritje të masës muskulore, nxitje më të lartë seksuale, humor më të mirë, mprehtësi më të madhe mendore dhe metabolizmin e një adoleshenti.
Shumë i drejtohen edhe gjenetikës. Shkencëtarët kanë nxjerrë përfundimin se, duke kontrolluar gjenet, mund të kontrollojnë jetëgjatësinë e një nematodi ose krimbi të rrumbullakët. Në fakt, ata ia kanë dalë mbanë t’i mbajnë gjallë disa prej këtyre krimbave gjashtë herë më shumë se jetëgjatësia e tyre normale. Kjo ka ngjallur shpresën për gjetjen dhe kontrollimin e gjeneve të ngjashme te njerëzit. Revista Time citonte fjalët e dr. Sigfrid Hekimi, nga Universiteti MekGill, në Montreal: «Nëse i gjejmë të gjitha gjenet përgjegjëse për jetëgjatësinë e njeriut, ndoshta mund t’i ngadalësojmë sikur edhe vetëm pak, me qëllim që të zgjatim jetën.»
Biologët e dinë nga shumë kohë se një skaj i kromozomeve, i ashtuquajturi telomer, shkurtohet çdo herë që një qelizë riprodhohet. Kur telomeri humbet rreth 20 për qind të gjatësisë së tij, aftësia riprodhuese e qelizës mbaron dhe ajo vdes. Një enzimë e veçantë, e quajtur telomerazë, mund t’ia rikthejë telomerit gjatësinë e plotë, duke e lejuar në këtë mënyrë qelizën që të vazhdojë të ndahet. Në pjesën më të madhe të qelizave, kjo enzimë është e frenuar dhe joaktive, por disa kanë arritur të depërtojnë me sukses telomerazë aktive në disa qeliza, duke i bërë ato të rriten dhe të ndahen shumë më tepër se numri normal i ndarjeve.
Sipas kërkuesve, kjo hap mundësi sensacionale për të luftuar sëmundjet që lidhen me plakjen. Ç’të themi për zëvendësimin e qelizave origjinore (qelizat që sigurojnë ripërtëritjen e indeve të trupit) me qeliza origjinore që janë bërë «të pavdekshme» me telomerazë aktive? Dr. Uiliam A. Hazeltin thotë: «Ky është një vëzhgim i përshkruar qartë i pavdekësisë së njeriut, vëzhgim që do të prezantohet dalëngadalë gjatë 50 vjetëve të ardhshëm.»—The New York Times.
A e kanë përgjigjen nanoteknologjia dhe krionika?
Nanoteknologjia, shkenca e inxhinierisë në nivelin e nanometrit (një e miliarda e metrit), ofron, gjithashtu, shpresë. Ideatorët në këtë fushë pohojnë se në të ardhmen makineritë e kompjuterizuara, shumë më të vogla se qelizat, mund të projektohen për të vepruar në nivel molekular, për të riparuar dhe rinuar qelizat, indet dhe organet e plakura. Në një konferencë kundër plakjes, një kërkues sugjeroi se fizikanët e shekullit të 21-të mund ta përdorin nanoteknologjinë për t’i dhënë mundësi njeriut të bëhet i pavdekshëm fizikisht.
Krionika është praktika e ngrirjes së trupave njerëzorë, me shpresën se shkenca do të jetë në gjendje t’i ringjallë qelizat e vdekura, duke i sjellë përsëri në jetë. Mund të ngrijë i gjithë trupi ose edhe vetëm truri. Madje, një burrë çoi për të ngrirë një çarçaf krevati. Përse çarçafin? Ky i përkiste një mikut të tij që kishte vdekur dhe përmbante disa qeliza të lëkurës e disa fije floku. Ai donte që t’i ngrinte ato për t’i dhënë mikut të tij mundësinë të rikthehej në jetë, nëse shkenca arrin deri në pikën e rindërtimit të njerëzve vetëm nga disa ose edhe nga një qelizë e tyre.
Kujt duhet t’i besojmë?
Njeriu ka një dëshirë të natyrshme për të jetuar, domethënë për të mos vdekur. Prandaj, progresi shkencor në këtë fushë brohoritet menjëherë dhe shoqërohet me shpresa të mëdha. Por deri tani nuk ka ndonjë dëshmi faktike se DHEA-ja, kinetina, melatonina, hGH-ja ose ndonjë substancë tjetër mund ta vonojë vërtet plakjen e njerëzve. Skeptikët kanë frikë se depërtimi i telomerazës nëpër qeliza nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të krijojë qeliza të mundshme kanceroze. Gjithashtu, përdorimi i nanoteknologjisë dhe i krionikës është më shumë një gjë fantastiko-shkencore sesa realitet.
Shkenca i ka kontribuar dhe mund t’i kontribuojë akoma një jete më të gjatë e më të shëndetshme për disa njerëz, por nuk do t’i japë kurrë ndonjë njeriu jetën e përhershme. Përse jo? E thënë thjesht, sepse shkaku rrënjësor i plakjes dhe i vdekjes gjendet përtej fushës së shkencës njerëzore.
Shkaku rrënjësor i plakjes dhe i vdekjes
Pjesa më e madhe e shkencëtarëve e pranojnë se plakja dhe vdekja duken sikur janë të programuara në gjenet tona. Pyetja është: Kur, si dhe përse hynë, si të thuash, ato në kodin tonë gjenetik?
Bibla na jep përgjigjen e thjeshtë, edhe pse nuk e paraqet nga pikëpamja e gjenetikës ose e ADN-së. Në Romakëve 5:12 lexojmë: «Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.»
Njeriu i parë, Adami, kishte perspektivën që të jetonte përgjithmonë. Trupi i tij ishte projektuar me aftësitë e nevojshme për të jetuar dhe për të gëzuar jetë të përjetshme. Megjithatë, jeta e përjetshme ishte e kushtëzuar. Adami duhej të bashkëpunonte me Burimin e jetës, Krijuesin e tij dhe t’i bindej atij, për ta mbajtur të përhershme jetën e vet.—Zanafilla 1:31; 2:15-17.
Adami zgjodhi mosbindjen ndaj Krijuesit. Në fakt, Adami pohoi se njeriu ishte në gjendje më të mirë kur drejtonte vetveten duke qenë i pavarur nga Perëndia. Në këtë mënyrë, ai mëkatoi. Që nga ajo pikë e më tej, ishte sikur kodi i tij gjenetik të ishte ndryshuar. Në vend që t’i kalonte si trashëgimi pasardhësve të vet jetën e përjetshme, Adami përcolli mëkatin dhe vdekjen.—Zanafilla 3:6, 19; Romakëve 6:23.
Shpresa e vërtetë
Gjithsesi, ajo situatë nuk do të ishte e përhershme. Në Romakëve 8:20 thuhet: «Krijimi i ishte nënshtruar kotësisë, jo me anë të vullnetit të vet, por nëpërmjet atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës.» (BR) Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova, ia nënshtroi njerëzit vdekjes sepse kishin mëkatuar ndaj tij, por kur e bëri këtë, ai vendosi edhe një bazë për shpresë.
Kjo bazë u identifikua qartë kur erdhi në tokë Jezu Krishti. Në Gjonin 3:16 thuhet: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» Por, si mund të na shpëtojë nga vdekja ushtrimi i besimit në Jezu Krishtin?
Nëse shkaku i vdekjes është mëkati, para se të eliminohet vdekja duhet hequr mëkati. Në fillim të shërbimit të Jezuit si Krishti, Gjon Pagëzuesi tha: «Ja, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» (Gjoni 1:29) Jezu Krishti ishte krejtësisht pa mëkat. Në këtë mënyrë ai nuk i ishte nënshtruar vdekjes, e cila është ndëshkimi për mëkatin. Megjithatë, ai i lejoi të tjerët që ta vritnin. Përse? Sepse duke bërë kështu, ai pagoi çmimin për mëkatet tona.—Mateu 20:28; 1. Pjetrit 3:18.
Pasi u pagua ky çmim, mundësia për të jetuar pa vdekur kurrë u vu në dispozicion të të gjithë atyre që ushtrojnë besim në Jezuin. Shkenca mund t’i kontribuojë zgjatjes së jetës në një masë shumë të kufizuar, por ushtrimi i besimit në Jezuin është udha e vërtetë drejt jetës së përhershme. Jezui e fitoi një jetë të tillë në qiell dhe apostujt e tij besnikë e disa të tjerë, do të bëjnë po ashtu. Megjithatë, për pjesën më të madhe prej nesh që ushtrojmë besim në Jezuin, jeta e përhershme do të jetë në tokë, kur Perëndia Jehova të rivendosë Parajsën tokësore.—Isaia 25:8; 1. Korintasve 15:48, 49; 2. Korintasve 5:1.
Jeta e përhershme në një tokë parajsore
Një njeri pyeti: «Sa njerëzve do t’u duket me vlerë jeta, kur nuk do t’u duhet më të vdesin?» A do të jetë e mërzitshme jeta pa vdekje? Bibla na siguron që jo. «Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet, ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.» (Predikuesi 3:11) Krijimi i Perëndisë Jehova është kaq i pasur e i ndërlikuar, saqë do të vazhdojë të na ngjallë kureshtje, të na nxitë dhe të na bëjë të lumtur për sa kohë të jetojmë, madje edhe përgjithmonë.
Një njeri i cili u mor me studimin e një zogu të njohur si grishlemza siberiane, e quajti këtë «një njohje të jashtëzakonshme e magjepsëse» dhe pohoi se vëzhgimi i zogut ishte një nga përvojat më të kënaqshme në jetën e tij. Sa më shumë që e studionte zogun, aq më tepër i ngjallte kureshtje. Ai tha se edhe pas 18 vjetësh, studimi i tij ishte ende shumë larg përfundimit. Nëse një lloj zogu mund ta tërheqë, ta nxitë dhe ta mbajë të lumtur një njeri inteligjent gjatë një studimi intensiv 18-vjeçar, imagjino se sa shumë mundësi për gëzim e kënaqësi duhet të ketë në studimin e të gjithë krijimit tokësor.
Përfytyro fushat interesante të shkencës që do të vihen në dispozicion të njerëzve që nuk do të jenë të kufizuar nga koha. Imagjino të gjitha vendet mahnitëse që do të eksplorojmë dhe të gjithë njerëzit interesantë që do të takojmë. Përpiqu të kapësh mundësitë e pafundme që do të ekzistojnë për të perceptuar, për të krijuar dhe për të ndërtuar gjëra. Nuk do të ketë asnjë kufizim në mundësitë për të zhvilluar dhe për të përdorur krijimtarinë tonë. Kur meditojmë për bollëkun e krijimit, bëhet e qartë se masa e vetme kohore që mund t’i përmbushë mundësitë e jetës është përjetësia.
Bibla tregon se nëpërmjet ringjalljes, jeta e përhershme do t’u ofrohet edhe atyre që kanë vdekur. (Gjoni 5:28, 29) Shumë nga misteret e historisë mund të bëhen të qarta kur ata që i kanë përjetuar, të mund t’u përgjigjen me hollësi pyetjeve tona. Mendo sa mund të thellohemi në lidhje me periudha të ndryshme të historisë me anë të të ringjallurve.—Veprat 24:15.
Kur mediton për atë kohë, mund ta kuptosh që Jobi i ringjallur mund të dëshirojë ta rishikojë pohimin e bërë në Jobin 14:1. Ndoshta ai do të ofrojë në vend të tij, këtë pohim: ‘Njeriu i lindur nga një grua tani jeton përgjithmonë dhe është plot kënaqësi.’
Për ata që i besojnë Jehovait dhe ushtrojnë besim në Jezuin, zgjatja e jetës përtej kufijve të kohës nuk është thjesht një ëndërr e paarritshme. Së shpejti ajo do të bëhet realitet. Plakja dhe vdekja do të ndalen. Kjo është në harmoni me Psalmin 68: 20, ku thuhet: «Jehovait, Zotërisë Sovran, i përkasin udhët për të dalë nga vdekja.» (BR)—Zbulesa 21:3, 4.
[Figurat në faqet 4, 5]
Progresi shkencor ka ngjallur shpresa lidhur me mundësinë për të jetuar shumë më gjatë
[Figura në faqen 7]
Masa e vetme kohore që mund t’i përmbushë mundësitë që ofron jeta, është përjetësia