Gjithkush dëshiron të jetë i lirë
«Njeriu ka lindur i lirë dhe është i lidhur kudo me zinxhirë»,—shkroi filozofi francez Zhan-Zhak Ruso në vitin 1762. Ka lindur i lirë. Sa mendim i mrekullueshëm! Por, siç vërejti Rusoi, miliona njerëz përgjatë historisë nuk e kanë përjetuar kurrë lirinë. Përkundrazi, ata e kanë kaluar jetën të «lidhur me zinxhirë», të burgosur në një sistem që i ka privuar nga çdo lumturi dhe kënaqësi e qëndrueshme në jetë.
MILIONA njerëz sot akoma vënë re se «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar». (Predikuesit 8:9) Duke ndjekur synimet e tyre drejt pushtetit, burra e gra ambiciozë vazhdojnë të tregojnë pak ose të mos tregojnë fare keqardhje kur shtypin liritë e të tjerëve. «Skuadrat e tërbuara të vdekjes vrasin 21 njerëz»,—thotë një raport tipik. Një raport tjetër flet për një «kasaphanë», ku forcat e sigurimit ‘vrasin gra, fëmijë e pleq të pambrojtur e pa rezistencë, therin, u qëllojnë të burgosurve civilë në kokë dhe ndjekin politikën e tokës së djegur, duke shkatërruar fshatrat dhe duke bombarduar kuturu’.
S’është për t’u çuditur që njerëzit e dëshirojnë thellësisht lirinë nga shtypja dhe madje luftojnë për të! Por e vërteta e hidhur është se lufta për të siguruar lirinë e një njeriu shpesh përfshin shkeljen e të drejtave dhe lirive të një tjetri. Gjatë këtij procesi është pothuajse i paevitueshëm sakrifikimi i burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm dhe vdekja e tyre «justifikohet», duke e shpallur të drejtë e të denjë kauzën për të cilën luftohet. Për shembull, vitin e kaluar në Irlandë, një makinë-bombë e vendosur nga «luftëtarët e lirisë» në një provincë të vogël në Omag, vrau 29 kalimtarë dhe plagosi qindra të tjerë.
Ende të «lidhur me zinxhirë»
Por, çfarë fitohet kur mbaron një luftë? Kur «luftëtarët e lirisë» fitojnë betejat e tyre, mund të fitojnë disa liri të kufizuara. Por më pas, a janë vërtet të lirë? A nuk është e vërtetë se edhe në shoqëritë më liberale në të ashtuquajturën botë të lirë, njerëzit janë ende të «lidhur me zinxhirë» ndaj padronëve brutalë, si varfëria, papërsosmëria, sëmundjet dhe vdekja? Si mund të thotë një person se është vërtet i lirë, për sa kohë që këto gjëra vazhdojnë ta mbajnë në skllavëri?
Shkrimtari i lashtë biblik, Moisiu, e përshkroi me saktësi jetën, ashtu siç ka qenë për kaq shumë njerëz përgjatë historisë dhe ashtu siç është ende sot. Ai tha se ne mund të jetojmë për 70 ose 80 vjet, «megjithatë këmbëngulja e tyre është në telashe dhe në gjëra të dëmshme». (Psalmi 90:10, BR) A do të ndryshojë ndonjëherë kjo gjendje? A do të jetë ndonjëherë e mundur të bëjmë një jetë që na kënaq plotësisht, një jetë të lirë nga dhimbja dhe tmerri që përjetojnë kaq shumë njerëz sot?
Bibla thotë se është e mundur! Ajo flet për «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». (Romakëve 8:21, BR) Le ta shqyrtojmë më nga afër këtë liri, për të cilën ka folur apostulli Pavël në shekullin e parë, në një letër që u shkroi të krishterëve në Romë. Në këtë letër, Pavli shpjegon qartë se në ç’mënyrë mund ta fitojë secili prej nesh «lirinë e lavdishme» të vërtetë e të qëndrueshme.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Nga libri Beacon Lights of History, Vëll. XIII