Kolegjiantët: Studimi i Biblës i bëri të ndryshëm
A ke dëgjuar ndonjëherë për Kolegjiantët?
Ky grup shumë i vogël fetar Holandez, i shekullit të 17-të, ishte i ndryshëm nga kishat kryesore të asaj kohe. Nga se ndryshonin dhe çfarë mund të mësojmë prej tyre? Për të gjetur përgjigje, le të udhëtojmë prapa në kohë.
NË VITIN 1587, në qytetin e Amsterdamit mbërriti Jakobus Arminiusi (ose Jakob Harmensen). Nuk pati problem për të gjetur punë, pasi biografia e tij personale ishte mbresëlënëse. Në moshën 21 vjeç ai u diplomua në Universitetin Leiden të Holandës. Pas kësaj, kaloi gjashtë vjet në Zvicër, për të studiuar teologji nën teologun Theodor de Beze, pasuesin e reformatorit protestant, Zhan Kalvinit. Nuk habitemi që protestantët e Amsterdamit e emëruan me kënaqësi 27-vjeçarin Arminius si një nga pastorët e tyre. Por disa vjet më vonë, shumë anëtarë të kishës u penduan për zgjedhjen e tyre. Pse?
Çështja e paracaktimit
Jo shumë kohë pasi Arminiusi u ngjit në altar, mes protestantëve të Amsterdamit u krijua tension për çështjen e doktrinës së paracaktimit. Kjo doktrinë përbënte bërthamën e kalvinizmit, por disa anëtarë të kishës mendonin se një Perëndi që kishte paracaktuar shpëtimin për disa dhe dënimin për të tjerët, ishte i ashpër e i padrejtë. Kalvinistët shpresonin që Arminiusi, duke qenë një nxënës i Bezes, t’i sillte në rrugë të drejtë jokonformistët. Por ngelën të shtangur kur Arminiusi mbajti anën e jokonformistëve. Në vitin 1593, debati ishte bërë kaq i flaktë, saqë i ndau protestantët e qytetit në dy grupe, ata që përkrahnin doktrinën dhe ata që e hidhnin poshtë atë, jofanatikët.
Brenda pak vitesh, ky debat lokal u kthye në një përçarje mbarëkombëtare protestante. Së fundi, në nëntor të vitit 1618 ishin krijuar rrethanat për një ballafaqim vendimtar. Kalvinistët, të mbështetur nga ushtria dhe nga opinioni publik, i thirrën jokonformistët (që atëherë quheshin remostrantë [protestues]a) në një këshill kombëtar, në Sinodin Protestant të Dordrektit. Në përfundim të mbledhjes, të gjithë pastorëve remostrantë iu tha të zgjidhnin: ose të firmosnin një dokument ku deklarohej se nuk do të predikonin më, ose të largoheshin nga vendi. Pjesa më e madhe zgjodhën mërgimin. Kalvinistë të rreptë zunë vendet që lanë bosh pastorët remostrantë. Kalvinizmi kishte triumfuar ose të paktën kështu shpresonte sinodi.
Lindja dhe rritja e kolegjiantëve
Ashtu si në vendet e tjera, edhe kongregacioni remostrant në fshatin Varmond, afër Leidenit, e humbi pastorin e vet. Por ndryshe nga vendet e tjera, ky kongregacion nuk e pranoi zëvendësimin e miratuar nga sinodi. Për më tepër, kur një pastor remostrant rrezikoi jetën duke u kthyer në Varmond, në vitin 1620, për t’u kujdesur për kongregacionin, disa anëtarë të kongregacionit nuk e pranuan as atë. Këta anëtarë kishin filluar t’i mbanin mbledhjet e tyre fetare në fshehtësi, pa ndihmën e ndonjë kleriku. Më vonë, këto mbledhje u quajtën kolegje dhe ata që merrnin pjesë u quajtën kolegjiantë.
Edhe pse kolegjiantët lindën si grup më tepër nga rrethanat sesa nga parimet, shumë shpejt kjo situatë ndryshoi. Një anëtar i kongregacionit, Kisbert van der Kode, argumentoi se duke u mbledhur pa mbikëqyrje klerikale, grupi po i përmbahej më ngushtësisht Biblës dhe udhës së të krishterëve të hershëm, sesa kishat kryesore. Ai tha se klasa e klerit ishte shpikur pas vdekjes së apostujve, për të krijuar punë për njerëzit që s’kishin dëshirë të mësonin një zanat.
Në vitin 1621, Van der Kode dhe anëtarë të tjerë që kishin të njëjtat mendime, i transferuan mbledhjet e tyre në fshatin fqinj Rinsburg.b Disa vjet më vonë, kur persekutimi fetar i kishte lënë vendin tolerancës, reputacioni i mbledhjeve të kolegjiantëve u përhap në të gjithë vendin dhe tërhoqi «zogj me pendë të ndryshme», siç e përshkroi historiani Zigfrid Silverberg. Aty kishte remostrantë, menonitë, sosinianë e madje edhe teologë. Disa ishin fermerë. Të tjerët ishin poetë, tipografë, mjekë dhe zejtarë. Filozofi Spinoza (Benediktus de Spinoza) dhe pedagogu Johan Amos Komenius (ose Zhan Komenski), si edhe piktori i famshëm Rembrandt van Rin, e miratuan këtë lëvizje. Mendimet e ndryshme që sollën me vete këta njerëz të devotshëm, ndikuan në zhvillimin e bindjeve të kolegjiantëve.
Pas vitit 1640, ky grup dinamik u rrit me shpejtësi. U ngritën kolegje në Roterdam, Amsterdam, Lavarden dhe në qytete të tjera. Profesori i historisë, Endrju C. Fiks vëren se ndërmjet viteve 1650 dhe 1700, «kolegjiantët . . . arritën të bëheshin një nga forcat fetare më të rëndësishme dhe më të fuqishme në Holandën e shekullit të shtatëmbëdhjetë».
Bindjet e kolegjiantëve
Duke qenë se karakteristikat dalluese të lëvizjes së kolegjiantëve ishin logjika, toleranca dhe liria e fjalës, individët kolegjiantë ishin të lirë të kishin bindje të ndryshme nga njëri-tjetri. E megjithatë, ata i lidhnin disa bindje të përbashkëta. Për shembull, të gjithë kolegjiantët e kuptonin rëndësinë e studimit personal të Biblës. Një kolegjiant shkroi se çdo anëtar duhej të «hetonte vetë dhe jo ta njihte Perëndinë nga dikush tjetër». E kështu vepruan. Sipas historianit të kishës në shekullin e 19-të, Jakobus C. van Slej, kolegjiantët kishin më shumë njohuri biblike se çdo grup tjetër fetar i asaj kohe. Madje edhe kundërshtarët i lavdëronin kolegjiantët për aftësinë që kishin për ta përdorur Biblën me shkathtësi.
Por sa më shumë që kolegjiantët e studionin Biblën, aq më shumë zhvillonin bindje të ndryshme nga ato të kishave kryesore. Burime që datojnë nga shekulli i 17-të deri në shekullin e 20-të përshkruajnë disa nga bindjet e tyre:
Kisha e hershme. Kolegjianti dhe teologu Adam Borejl në vitin 1644 shkroi se në momentin kur kisha e hershme u përfshi në politikë, në kohën e perandorit Kostandin, ajo e prishi besëlidhjen e saj me Krishtin dhe humbi frymëzimin nga fryma e shenjtë. Ai shtoi se si pasojë e kësaj, mësimet e rreme u shumëfishuan dhe vazhduan deri në ditët e tij.
Reforma. Reforma e shekullit të 16-të, e udhëhequr nga Luteri, Kalvini dhe të tjerë, nuk kishte bërë aq sa duhej për të reformuar kishën. Përkundrazi, sipas mjekut dhe kolegjiantit drejtues, Galenus Abrahamson (1622-1706), Reforma e keqësoi situatën fetare, duke i dhënë shtytje grindjeve dhe urrejtjes. Një reformë e vërtetë duhet të ndryshojë zemrën, gjë që Reforma dështoi ta bënte.
Kisha dhe kleri. Kishat kryesore janë të korruptuara, mondane dhe pa autoritet hyjnor. Gjëja më e mirë që mund të bëjë kushdo që e merr seriozisht fenë, është të largohet nga kisha të cilës i përket, që të mos bëhet bashkëfajtor në mëkatet e saj. Pozita e klerit, thoshin kolegjiantët, është në kundërshtim me Shkrimet dhe «e dëmshme për mirëqenien frymore të kongregacionit të krishterë».
Mbretëria dhe Parajsa. Njëri prej themeluesve të kolegjit të Amsterdamit, Daniel de Brejn (1594-1664), shkroi se Mbretëria e Krishtit nuk ishte një mbretëri frymore që banon në zemrën e një personi. Mësuesi Jakob Ostens, një kolegjiant nga Roterdami, tha se «patriarkët prisnin përmbushjen e premtimeve tokësore». Po ashtu, kolegjiantët prisnin kohën kur toka do të transformohej në një parajsë.
Triniteti. Disa kolegjiantë drejtues, të ndikuar nga bindjet sosiniane, e hodhën poshtë Trinitetin.c Për shembull, Daniel Zviker (1621-1678) shkroi se çdo doktrinë që bie në kundërshtim me logjikën, siç është Triniteti, ishte «e pamundur dhe e rreme». Në vitin 1694 u botua një version i Biblës, i përkthyer nga kolegjianti Rejner Rolejo. Pjesa e fundit e Gjonit 1:1 aty përkthehej «dhe fjala ishte një perëndi» në vend të përkthimit tradicional «dhe fjala ishte Perëndi».d
Mbledhje javore
Ndonëse kolegjiantët nuk ishin të gjithë dakord me njëri-tjetrin për sa u përket bindjeve, kolegjet e tyre në qytete të ndryshme funksiononin pothuajse njësoj. Historiani Van Slej raporton se në ditët e hershme të lëvizjes së kolegjiantëve, mbledhjet zakonisht nuk përgatiteshin që më përpara. Kolegjiantët mendonin se, duke u bazuar në fjalët e apostullit Pavël mbi nevojën për të «profetizuar», çdo anëtar mashkull mund të fliste lirisht në kolegj. (1. Korintasve 14:1, 3, 26) Si rezultat, shpesh mbledhjet zgjatnin deri natën vonë dhe disa të pranishëm binin në «gjumë të thellë».
Më vonë, mbledhjet u bënë më të organizuara. Kolegjiantët nuk mblidheshin vetëm të dielave, por edhe gjatë mbrëmjeve në ditë jave. Për t’i dhënë mundësi oratorit dhe kongregacionit të përgatiteshin më përpara për të gjitha mbledhjet e atij viti, hartohej një program ku renditeshin vargjet biblike që duheshin shqyrtuar, si edhe inicialet e oratorëve. Pasi hapej mbledhja me këngë e lutje, një orator shpjegonte vargjet biblike. Kur mbaronte së foluri, ai u kërkonte burrave që të shprehnin opinionin e tyre për argumentin që sapo ishte diskutuar. Pastaj, një orator i dytë tregonte zbatimin e po atyre vargjeve. Mbledhja mbyllej me këngë e lutje.
Kolegjiantët në qytetin e Harlingenit, në provincën e Frizlendit, kishin një mënyrë origjinale për t’i mbajtur mbledhjet sipas programit. Oratori që fliste më gjatë nga koha që i ishte caktuar, do të paguante një gjobë të vogël.
Asamble kombëtare
Kolegjiantët ndien, gjithashtu, nevojën për grumbullime më të mëdha. Kështu, duke filluar nga viti 1640, kolegjiantë nga i gjithë vendi udhëtonin dy herë në vit (në pranverë dhe në verë) për në Rinsburg. Historiani Fiks shkruan se këto grumbullime u jepnin mundësi atyre të «njiheshin me idetë, ndjenjat, bindjet dhe aktivitetet e vëllezërve të tyre anembanë vendit».
Disa nga kolegjiantët e ardhur merrnin dhoma me qira në shtëpitë e fshatarëve, kurse të tjerët qëndronin në Groote Huis ose në Shtëpinë e Madhe, një vilë me 30 dhoma, që ishte pronë e kolegjiantëve. Atje shërbeheshin vakte për 60 deri në 70 persona. Pas darkës, vizitorët mund të shëtisnin përgjatë kopshtit të madh të vilës për t’u kënaqur me ‘veprat e Perëndisë, për një bisedë në qetësi ose për një moment meditimi’.
Edhe pse kishte kolegjiantë që nuk ishin dakord, pjesa më e madhe besonte se pagëzimi ishte i nevojshëm. Kështu, pagëzimi u bë një veçori e grumbullimeve të mëdha. Historiani Van Slej thotë se zakonisht ceremonia bëhej të shtunën në mëngjes. Pas këngës dhe lutjes, mbahej një fjalim mbi nevojën për t’u zhytur në ujë. Më pas, oratori i ftonte të rriturit që donin të pagëzoheshin, të bënin një rrëfim të besimit, të tillë si: «Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë së gjallë.» Pasi mbaronte fjalimi me lutje, të gjithë të pranishmit kalonin në vaskën e pagëzimit dhe shihnin ndërsa burrat e gratë uleshin në gjunjë në pishinë, kështu që uji u arrinte në shpatulla. Pastaj, pagëzuesi ia shtynte kokën ngadalë nën ujë besimtarit të ri. Pas ceremonisë, të gjithë ktheheshin në vendet e tyre për të ndjekur një tjetër fjalim.
Të shtunën pasdite, në orën 17.00 fillonte mbledhja me një lexim të shkurtër nga Bibla, një këngë dhe një lutje. Për t’u siguruar që kishte gjithnjë në dispozicion një orator, kolegjet e Roterdamit, Leidenit, Amsterdamit dhe të krahinës së Holandës Veriore e bënin me radhë për të dërguar oratorë për çdo asamble. E diela në mëngjes ishte rezervuar për të kremtuar Darkën e Zotërisë. Pas një fjalimi, lutjes dhe këngës, në fillim burrat e më pas gratë merrnin nga buka e nga vera. Të dielën në mbrëmje mbaheshin fjalime të tjera dhe të hënën në mëngjes mblidheshin të gjithë bashkë për fjalimin përmbyllës. Van Slej vëren se pjesa më e madhe e fjalimeve të mbajtura në këto asamble kishin natyrë praktike, duke theksuar më shumë zbatimin sesa shpjegimin.
Fshati i Rinsburgut i mirëpriste me kënaqësi këta vizitorë. Një vëzhgues i shekullit të 18-të shkroi se dyndja e të huajve, të cilët bënin harxhime të konsiderueshme, krijoi një burim të mirë të ardhurash për fshatin. Përveç kësaj, pas çdo asambleje kolegjiantët u dhuronin të varfërve të Rinsburgut një shumë të hollash. Pa dyshim që fshati e ndjeu humbjen, kur në vitin 1787 këto mbledhje nuk u mbajtën më. Pas këtij viti, lëvizja e kolegjiantëve u fashit. Përse?
Pse u fashitën?
Aty nga fundi i shekullit të 17-të, kishte lindur një debat rreth rolit që luante logjika në fe. Disa kolegjiantë mendonin se logjika njerëzore duhej të kishte përparësi mbi zbulesën hyjnore, por të tjerët nuk ishin dakord. Në fund, debati arriti të ndante gjithë lëvizjen e kolegjiantëve. Ata u bashkuan përsëri vetëm pas vdekjes së përkrahësve kryesorë të të dy palëve të debatit. Megjithatë, vëren historiani Fiks, pas kësaj përçarjeje lëvizja «nuk ishte më si më përpara».
Edhe rritja e tolerancës brenda kishave protestante të shekullit 18-të i kontribuoi rënies së kolegjiantëve. Me pranimin gjithnjë e më shumë nga shoqëria, të parimeve të logjikës dhe të tolerimit, «drita njëherë e një kohë e vetme e kolegjiantizmit u shkri në agimin e ndritshëm të Iluminizmit». Nga fundi i shekullit të 18-të, shumica e kolegjiantëve ishin asimiluar nga menonitët dhe nga grupet e tjera fetare.
Duke qenë se kolegjiantët nuk kishin si synim unitetin e mendimit brenda lëvizjes së tyre, ekzistonin po aq pikëpamje të ndryshme sa edhe individë kolegjiantë. Ata e kuptonin këtë e prandaj nuk pretendonin të ishin «të bashkuar . . . duke pasur një mendje», siç i nxit apostulli Pavël të krishterët. (1. Korintasve 1:10) Por në të njëjtën kohë, kolegjiantët prisnin një kohë kur bindjet themelore të krishtere, si uniteti i mendimit, do të bëheshin realitet.
Po të merret parasysh fakti që në ditët e kolegjiantëve njohuria e vërtetë nuk ishte ende me bollëk, ata dhanë një shembull të cilin mund ta vërejnë shumë fe të sotme. (Krahaso Danielin 12:4.) Theksi që i vinin ata studimit të Biblës ishte në harmoni me këshillën e apostullit Pavël: «Sigurohuni për të gjitha gjërat.» (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:21, BR) Studimi personal i Biblës i mësoi Jakobus Arminiusit dhe të tjerëve se disa doktrina dhe praktika që mbaheshin nga shumë kohë nuk ishin të bazuara fare në Bibël. Kur e kuptuan këtë gjë, ata patën guximin të largoheshin nga feja kryesore. A do të kishe bërë edhe ti kështu?
[Shënimet]
a Në vitin 1610 jokonformistët u kishin dërguar sundimtarëve holandezë një remostrancë apo protestë formale (një dokument ku shpreheshin arsyet për kundërshtimin). Pas këtij akti, ata u quajtën remostrantë.
b Për shkak të këtij vendi, kolegjiantët u quajtën edhe rinsburgë.
c Shiko Zgjohuni!, 22 nëntor, 1988, anglisht, faqe 19 me titull: «Sosinianët: Pse e hodhën poshtë Trinitetin?»
d Testamenti i Ri i Zotërisë sonë Jezu Krisht, përkthyer nga greqishtja prej Rejner Rolejo, M.D. (Het Nieuwe Testament van onze Heer Jezus Christus, uit het Grieksch vertaald door Reinier Rooleeuw, M.D.)
[Figura në faqen 24]
Rembrandt van Rin
[Figurat në faqen 26]
Fshati i Varmondit, ku patën fillimin kolegjiantët dhe lumi De Vliet, ku bëheshin pagëzimet
[Burimi i figurës në faqen 23]
Sfondi: Me mirësjellje nga Biblioteka e Shoqërisë Biblike Amerikane, Nju Jork