Gëzoj në Jehovain pavarësisht nga sprovat
TREGUAR NGA XHORXH SKIPIO
Në dhjetor të vitit 1945 gjendesha në një pavijon spitali, plotësisht i paralizuar përveç duarve dhe këmbëve. Unë mendoja se kjo gjendje ishte e përkohshme, por të tjerët dyshonin se do të ecja përsëri. Çfarë sprove ishte kjo për një 17-vjeçar aktiv! Nuk doja ta pranoja një prognozë të tillë. Kisha kaq shumë plane në kokë, duke përfshirë edhe një udhëtim në Angli me punëdhënësin tim vitin që do të vinte.
ISHA viktimë e një epidemie poliomieliti që kishte përfshirë ishullin tonë, Shën Elenën. Kjo epidemi kishte vrarë 11 njerëz dhe kishte lënë shumë të tjerë të gjymtuar. Ndërsa rrija në shtrat, pata shumë kohë për të reflektuar mbi jetën time të shkurtër dhe mbi të ardhmen time. Ndërsa bëja këtë, fillova të kuptoja se, pavarësisht nga sëmundja ime, kisha arsye për t’u gëzuar.
Një fillim i thjeshtë
Në vitin 1933, kur isha pesë vjeç, im atë Tomi, i cili punonte si polic dhe ishte dhjak i Kishës Baptiste, mori disa libra nga dy Dëshmitarë të Jehovait. Ata ishin ungjilltarë në kohë të plotë ose pionierë, që e vizituan ishullin për pak kohë.
Njëri nga librat titullohej Harpa e Perëndisë. Im atë e përdori këtë libër në studimin biblik me familjen tonë dhe me disa individë të interesuar. Materiali ishte i thellë dhe unë kuptoja shumë pak prej tij. Por më kujtohet se shënoja në Biblën time çdo shkrim që diskutonim. Shpejt, im atë e kuptoi se ajo që po studionim ishte e vërteta dhe se ishte ndryshe nga ajo që po predikonte vetë në Kishën Baptiste. Ai filloi t’u fliste të tjerëve për të dhe të predikonte nga katedra se nuk ka trinitet, nuk ka ferr të zjarrtë dhe nuk ka shpirt të pavdekshëm. Kjo shkaktoi gati-gati një trazirë në kishë.
Përfundimisht, në përpjekje për të zgjidhur çështjen, u thirr një mbledhje e kishës. U bë pyetja: «Kush është me baptistët?» Shumica u përgjigjën. Pyetja tjetër ishte: «Kush është me Jehovain?» Rreth 10 ose 12 veta u përgjigjën. Atyre iu kërkua të linin kishën.
Ky ishte fillimi i thjeshtë i një feje të re në Shën Elena. Im atë kontaktoi Qendrën Botërore të Shoqatës Watch Tower në Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi një aparat për t’i ritransmetuar publikut fjalime biblike të incizuara. Iu tha se aparati ishte tepër i madh për ta dërguar në Shën Elena. U dërgua një gramafon më i vogël dhe më vonë vëllezërit porositën edhe dy të tjerë. Ata i ranë përqark ishullit, në këmbë dhe me gomar, duke u çuar njerëzve mesazhin.
Me përhapjen e mesazhit, u përhap edhe kundërshtimi. Në shkollën time, fëmijët këndonin: «Ejani dëgjoni, ejani dëgjoni, grupi i Tomi Skipios dhe gramafoni!» Kjo ishte një sprovë e rëndë për mua, një djalosh shkolle që dëshironte miratimin e bashkëmoshatarëve. Çfarë më ndihmoi për të qëndruar?
Familja jonë e madhe, me gjashtë fëmijë, kishte një studim të rregullt biblik familjar. Gjithashtu, çdo mëngjes para buke lexonim Biblën së bashku. Kjo pa dyshim ka qenë një gjë themelore që e ka ndihmuar familjen tonë për të vazhduar besimplotë në të vërtetën përgjatë viteve. Unë për vete zhvillova një dashuri për Biblën që në moshë të vogël dhe përgjatë viteve e kam mbajtur zakonin e leximit të rregullt të saj. (Psalmi 1:1-3) Në kohën kur lashë shkollën, në moshën 14-vjeçare, kisha hedhur rrënjë fort në të vërtetën dhe në zemër kisha druajtjen ndaj Jehovait. Kjo më bëri të mundur të gëzoja në Jehovain, pavarësisht nga ato sprova.
Sprova dhe gëzime të mëtejshme
Ndërsa gjendesha i shtrirë në shtratin e sëmundjes, duke menduar për ato vite të hershme dhe për perspektivat e së ardhmes sime, e dija nga studimi i Biblës se kjo sëmundje nuk ishte ndonjë sprovë ose ndëshkim nga Perëndia. (Jakovit 1:12, 13) Megjithatë, poliomieliti ishte një sprovë pikëlluese dhe efektet e tij do të më mbeteshin për pjesën tjetër të jetës.
Dora-dorës që shërohesha m’u desh të mësoja të ecja përsëri. Humba edhe përdorimin e disa muskujve të krahëve. Nuk numërohet sa herë bija çdo ditë. Por, me lutje të zjarrta dhe me përpjekje të vazhdueshme, në vitin 1947 munda të ecja me ndihmën e një bastuni.
Gjatë asaj kohe rashë në dashuri me një vajzë që quhej Doris, e cila kishte të njëjtat bindje fetare me mua. Ishim tepër të rinj për të menduar për martesën, por kjo gjë më nxiti për të bërë më shumë progres në ecje. Gjithashtu, e lashë punën shtetërore, sepse paga nuk mjaftonte për të mbajtur një familje dhe hapa laboratorin tim dentar, i cili funksionoi për dy vjetët që pasuan. U martuam në vitin 1950. Deri atëherë kisha fituar mjaft para sa për të blerë një makinë të vogël. Tani mund t’i çoja vëllezërit në mbledhje dhe në shërbimin në fushë.
Përparime teokratike në ishull
Në vitin 1951, Shoqata dërgoi përfaqësuesin e saj të parë te ne. Ky ishte Jakobus van Staden, një i ri nga Afrika e Jugut. Sapo ishim transferuar në një shtëpi të madhe, kështu që mundëm ta mikpritnim për një vit të tërë. Meqë kisha punën time private, kaluam shumë kohë së bashku në veprën e predikimit dhe prej tij mora shumë stërvitje të vlefshme.
Jakobusi ose Kusi, siç e thërritnim ne, organizoi mbledhje të rregullta kongregacioni, të cilat i ndiqnim me kënaqësi që të gjithë. Kishim problemin e transportit, pasi mes gjithë të interesuarve vetëm dy kishin makina. Terreni ishte i ashpër e kodrinor dhe në atë kohë kishte pak rrugë të mira. Prandaj, ishte një punë shumë e madhe t’i sillje të gjithë në mbledhje. Disa niseshin më këmbë herët në mëngjes. Unë merrja tre prej tyre në makinën time të vogël dhe i lija në njëfarë largësie përgjatë rrugës. Ata zbrisnin dhe vazhdonin të ecnin. Kthehesha prapa, merrja tre të tjerë për njëfarë rruge, i lija dhe kthehesha përsëri. Në fund, të gjithë arrinin në mbledhje me këtë metodë. Pas mbledhjes, ndiqnim të njëjtën procedurë për t’i çuar të gjithë në shtëpi.
Kusi na mësoi edhe se si të bënim prezantime të efektshme nëpër dyer. Patëm shumë përvoja të mira dhe disa jo edhe aq të mira. Por gëzimi që patëm në shërbimin në fushë i tejkalonte të gjitha sprovat e shkaktuara nga kundërshtarët e aktivitetit tonë të predikimit. Një mëngjes po predikoja me Kusin. Kur iu afruam një shtëpie dëgjuam një zë që vinte nga brenda saj. Një burrë po lexonte me zë të lartë Biblën. Mundëm të dëgjonim fjalët e njohura të Isaisë, kapitulli 2. Kur ai arriti në Is 2 vargun 4, trokitëm në derë. Doli një burrë i moshuar miqësor që na ftoi brenda dhe ne përdorëm Isainë 2:4 për t’i shpjeguar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Me të u fillua një studim biblik, edhe pse jetonte në një vend shumë të vështirë për të shkuar. Na duhej të zbrisnim një kodër, të kapërcenim një përrua duke ecur nëpër gurë të mëdhenj, të ngjiteshim në një kodër tjetër dhe pastaj të zbrisnim për te shtëpia e tij. Por ia vlente barra qiranë. Ky burrë i moshuar zemërbutë e pranoi të vërtetën dhe u pagëzua. Për të ardhur në mbledhje ai ecte me dy bastunë deri në një vend ku unë mund ta merrja me makinë për pjesën tjetër të rrugës. Ai vdiq më vonë, duke qenë një Dëshmitar besimplotë.
Shefi i policisë ishte kundër veprës sonë dhe e kërcënonte vazhdimisht Kusin se do ta dëbonte nga ishulli. Një herë në muaj e thërriste Kusin për ta marrë në pyetje. Fakti që Kusi i jepte gjithnjë përgjigje drejtpërdrejt nga Bibla e zemëronte akoma më shumë. Çdo herë ai e paralajmëronte Kusin se duhej të pushonte së predikuari, por çdo herë merrte një dëshmi. Ai vazhdoi ta kundërshtonte veprën edhe pasi Kusi u largua nga Shën Elena. Pastaj shefi i policisë, një burrë trupmadh e i fortë, papritur u sëmur dhe u ligështua. Mjekët nuk mundën ta gjenin se çfarë kishte. Për pasojë, ai u largua nga ishulli.
Pagëzimi dhe rritja e vazhdueshme
Pas tre muajsh që kishte ardhur në ishull, Kusi mendoi se ishte e përshtatshme të mbahej një shërbim pagëzimi. Problemi ishte të gjeje një pishinë të përshtatshme. Vendosëm të gërmonim një gropë të madhe, ta vishnim me çimento dhe të sillnim ujë për ta mbushur. Natën para pagëzimit ra shi dhe mëngjesin tjetër u kënaqëm kur pamë se gropa ishte mbushur plot e përplot.
Atë mëngjes të diele Kusi mbajti fjalimin e pagëzimit. Kur u kërkoi kandidatëve për pagëzim të ngriheshin në këmbë, 26 prej nesh u ngritën për t’iu përgjigjur pyetjeve të zakonshme. Ishim të privilegjuar për të qenë Dëshmitarët e parë të pagëzuar në ishull. Ajo ishte dita më e lumtur e jetës sime, pasi kisha pasur gjithnjë merak se mos Harmagedoni vinte para se të pagëzohesha.
Me kalimin e kohës u formuan dy kongregacione, një në Lëvëlvud dhe një në Xhejmstaun. Çdo javë, tre ose katër prej nesh udhëtonin trembëdhjetë kilometra për të shkuar në një kongregacion, për të drejtuar Shkollën e Shërbimit Teokratik të shtunën në mbrëmje. Pas shërbimit në fushë të dielën në mëngjes, ktheheshim dhe bënim të njëjtat mbledhje, si edhe Studimin e Kullës së Rojës në kongregacionin tonë pasdite dhe në mbrëmje. Kështu, fundjavët tona ishin të mbushura me aktivitete të gëzueshme teokratike. Dëshiroja me zjarr ta bëja veprën e predikimit në kohë të plotë, por kisha një familje për të mbajtur. Prandaj, në vitin 1952 u ktheva në shërbimin shtetëror si dentist në kohë të plotë.
Duke filluar nga viti 1955, përfaqësuesit udhëtues të Shoqatës, mbikëqyrësit qarkorë, filluan ta vizitonin ishullin çdo vit dhe gjatë vizitës së tyre qëndronin për njëfarë kohe në shtëpinë time. Ata qenë një ndikim pozitiv për familjen tonë. Gati në të njëjtën kohë pata edhe privilegjin për të marrë pjesë në shfaqjen e tri filmave të Shoqatës përqark ishullit.
Asambleja rrëqethëse «Vullneti Hyjnor»
Në vitin 1958 e lashë përsëri punën shtetërore me qëllim që të ndiqja Asamblenë Ndërkombëtare «Vullneti Hyjnor» në Nju Jork. Ajo asamble ishte një moment historik në jetën time, një rast që më dha shumë arsye për t’u gëzuar në Jehovain. Për shkak të mungesës së transportit të rregullt për në ishull, qëndruam larg tij për pesë muaj e gjysmë. Asambleja zgjati tetë ditë dhe sesionet fillonin në orën nëntë të mëngjesit e mbaronin në orën nëntë të darkës. Por nuk ndjeva kurrë lodhje dhe mezi prisja të vinte çdo ditë. Pata privilegjin të përfaqësoja Shën Elenën për dy minuta në program. T’u drejtoheshe turmave të mëdha në stadiumin Jenki dhe në Polo Graunds ishte një përvojë që m’i bëri nervat copë.
Asambleja e përforcoi vendimin tim për të shërbyer si pionier. Veçanërisht inkurajues qe fjalimi publik: «Mbretëria e Perëndisë sundon: A është afër fundi i botës?» Pas asamblesë, vizituam Qendrën Botërore të Shoqatës në Bruklin dhe bëmë një vizitë në fermë. Fola me vëllanë Knorr, që atëherë ishte president i Shoqatës Watch Tower, për progresin e veprës në Shën Elena. Ai tha se dëshironte ta vizitonte një ditë ishullin. Morëm me vete kaseta, ku ishin incizuar të gjitha fjalimet, si edhe shumë video të asamblesë për t’ia treguar familjes dhe miqve.
Arrij synimin e shërbimit të plotkohor
Kur u ktheva, m’u ofrua përsëri puna që lashë, meqë nuk kishte asnjë dentist tjetër në ishull. Por, unë u shpjegova se kisha ndër mend të filloja shërbimin e plotkohor. Pas shumë diskutimeve, ramë dakord që të punoja tri ditë në javë, por me një pagë më të lartë se kur punoja gjashtë ditë në javë. Dolën të vërteta fjalët e Jezuit: «Vazhdoni, pra, të kërkoni së pari mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33, BR) Nuk ka qenë gjithnjë e lehtë për mua të udhëtoja në terrenin kodrinor të ishullit me këmbët e mia të dobësuara. Megjithatë, shërbeva si pionier për 14 vjet dhe munda të ndihmoja shumë ishullarë që të mësonin të vërtetën, gjë që ishte sigurisht një shkak për shumë gëzim.
Në vitin 1961, qeveria donte të më dërgonte në Ishujt Fixhi për një kurs stërvitjeje falas dyvjeçar, që të bëhesha një dentist plotësisht i kualifikuar. Ata madje më ofruan që të merrja edhe familjen me vete. Kjo ishte një ofertë tunduese, por pas një shqyrtimi serioz e refuzova. Nuk doja t’i lija vëllezërit për një periudhë kaq të gjatë kohe dhe të hiqja dorë nga privilegji për të shërbyer me ta. Nëpunësi i lartë i mjekësisë që kishte organizuar udhëtimin ishte më i zemëruari nga të gjithë. Ai tha: «Edhe nëse mendon se fundi është kaq afër, ke akoma mundësi t’i përdorësh paratë që do të fitosh ndërkohë.» Por unë qëndrova i palëkundur.
Vitin që pasoi më ftuan në Afrikën e Jugut që të ndiqja Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë, një kurs stërvitjeje njëmujor për mbikëqyrësit e kongregacioneve. Na u dhanë udhëzime të vlefshme që na ndihmuan të kujdeseshim në mënyrë më të efektshme për caktimet tona në kongregacion. Pas shkollës, mora stërvitje të mëtejshme, duke punuar me një mbikëqyrës udhëtues. Pastaj, shërbeva për më shumë se dhjetë vjet në dy kongregacionet e Shën Elenës si zëvendës-mbikëqyrës qarkor. Me kohë, patëm vëllezër të tjerë të kualifikuar dhe u përdor një sistem rotacioni.
Ndërkohë, ishim transferuar nga Xhejmstauni në Lëvëlvud, ku kishte nevojë më të madhe dhe qëndruam atje për dhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe punoja natë e ditë, pasi shërbeja si pionier, punoja tri ditë në javë për shtetin dhe mbaja një dyqan të vogël me artikuj ushqimorë. Përveç kësaj, kujdesesha për punët e kongregacionit dhe bashkë me gruan kujdeseshim për një familje më katër djem që rriteshin. Për të përballuar këtë gjendje, e lashë punën triditore, e shita dyqanin dhe e çova të gjithë familjen në Kejptaun, në Afrikën e Jugut, për tre muaj pushime. Më pas u transferuam në ishullin Ashension dhe qëndruam atje për një vit. Gjatë asaj kohe patëm mundësi të ndihmonim shumë veta që të merrnin njohurinë e saktë të së vërtetës biblike.
Kur u kthyem në Shën Elena, u transferuam përsëri në Xhejmstaun. Meremetuam një shtëpi që lidhej me Sallën e Mbretërisë. Për të siguruar nga ana materiale, bashkë me djalin tim Xhonin, sajuam një furgon për shitjen e akulloreve nga një kamion i tipit Ford dhe shitëm akullore për pesë vjetët që pasuan. Pak kohë pasi filluam këtë tregti, pata një aksident me furgonin. U rrëzova dhe zura këmbët. Si pasojë, nga gjuri e poshtë nervat nuk funksiononin më dhe m’u deshën tre muaj për të marrë veten.
Bekime të pasura në të kaluarën dhe në të ardhmen
Përgjatë viteve kemi pasur shumë bekime, që janë arsye të mëtejshme për t’u gëzuar. Një prej këtyre ishte udhëtimi në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në një kongres kombëtar në vitin 1985 dhe vizita në shtëpinë e re Bethel, e cila ishte akoma në ndërtim e sipër. Një bekim tjetër ishte pjesëmarrja edhe pse e vogël, bashkë me djalin tim Xhonin, në ndërtimin e një Salle Asamblesh shumë të bukur afër Xhejmstaunit. Jemi të lumtur edhe që tre nga djemtë tanë shërbejnë si pleq dhe një nip shërben në Bethelin e Afrikës së Jugut. E patjetër që kemi korrur shumë gëzime dhe kënaqësi, duke ndihmuar shumë veta për të marrë një njohuri të saktë të Biblës.
Fusha e shërbimit tonë është e kufizuar, me vetëm 5.000 banorë. Megjithatë, punimi i të njëjtit territor vazhdimisht ka prodhuar rezultate të shkëlqyera. Shumë pak njerëz sillen ashpër me ne. Shën Elena njihet për atmosferën miqësore dhe kudo që të shkosh do të të përshëndetin, kur ecën më këmbë ose kur je me makinë. Nga përvoja kam mësuar se, sa më mirë t’i njohësh njerëzit, aq më e lehtë është t’u dëshmosh atyre. Tani kemi 150 lajmëtarë, edhe pse shumë të tjerë janë transferuar përtej detit.
Tani që katër fëmijët tanë janë rritur dhe janë larguar, unë dhe gruaja jemi përsëri vetëm, pas 47 vjetësh martese. Dashuria dhe mbështetja e saj besnike gjatë viteve më kanë ndihmuar të vazhdoj t’i shërbej Jehovait me gëzim, pavarësisht nga sprovat. Forca jonë fizike po dobësohet, por forca frymore rigjallërohet çdo ditë. (2. Korintasve 4:16) Unë, së bashku me familjen dhe miqtë, pres me padurim një të ardhme të mrekullueshme kur do të bëhem nga ana fizike edhe më mirë sesa isha në moshën 17-vjeçare. Dëshira ime më e madhe është të marr përsosmërinë në çdo kuptim dhe, mbi të gjitha, t’i shërbej përgjithmonë Perëndisë tonë të dashur e të kujdesshëm, Jehovait dhe Mbretit të tij që po mbretëron, Jezu Krishtit, përgjithmonë.—Nehemia 8:10.
[Figura në faqen 26]
Xhorxh Skipio dhe tre nga djemtë e tij, të cilët shërbejnë si pleq
[Figura në faqen 29]
Xhorxh Skipio me gruan e tij, Doris